Puna e infermierit është gjithmonë e vështirë, por të kesh kontakt çdo ditë me 200 përdorues të heroinës kërkon një vullnet të çeliktë dhe durim të pasosur. Çdo ditë Frrok Bardhi pret pacientët e tij për t’u dhënë atyre metadonin, një terapi kundër heroinës.
Prej 5 vitesh ai punon në këtë qendër ku i ka rastisur të njohë persona të shumtë, miqësorë dhe armiqësorë, por në sajë të dëshirës së tij për t’i ndihmuar, ka përballuar çdo situatë me qetësi dhe maturi. Në intervistën e mëposhtme ai tregon për marrëdhëniet me pacientët e tij dhe vështirësitë që ka hasur gjatë 5 viteve punë me ta.
Kur keni nisur të punoni në qendrën “Aksion Plus”?
Kam 5 vite që punoj pranë kësaj qendre.
Si ka ardhur numri i përdoruesve, është shtuar?
Kur unë kam filluar punë kanë qenë rreth 100 persona. Me kalimin e kohës numri i tyre është shtuar. Momentalisht kurohen pranë kësaj qendre 200 persona.
Çfarë është metadoni?
Është një substancë e cila zëvendëson heroinën. Nuk ka lidhje me drogërat e tjera. Ata që vijnë këtu janë të gjithë ish-përdorues të heroinës. Është një ilaç i cili ka një efektshmëri të lartë.
Gjatë këtyre 5 viteve të punës, sa persona kanë mundur që ta largohen nga varësia ndaj heroinës?
Gjatë kohës që jam këtu kanë kaluar mbi 700 persona në terapi. Një pjesë e tyre kanë vazhduar terapinë dhe e vazhdojnë ende. Por ka edhe raste që janë larguar dhe i janë rikthyer vesit të drogës. Është tepër e rëndësishme që në familja të gjendet pranë këtyre personave pasi ata në çdo moment mund t’i rikthehen përdorimit të drogës. Këta janë njerëz si ne dhe nuk duhet t’i paragjykojmë. Përkundrazi. Ata duhen ndihmuar.
Sa e vështirë është për këta persona të largohen nga përdorimi i drogës?
90 për qind, ose më shumë e kanë të vështirë ta lënë drogën. Janë të paktë ata që janë shkëputur përfundimisht. Këta kanë qenë persona të vendosur dhe janë ndihmuar shumë nga familja. Ata për 50 minuta që kanë nevojë për drogë, harrojnë çdo gjë dhe kërkojnë vetëm heroinë. Pas kësaj ata pendohen, por nuk ka më vlerë.
Sa e vështirë është për ju të punoni me vartësit e drogës?
Është e vështirë pasi janë njerëz që kanë nevojë për ndihmë. Përveç kësaj, këto kohë ka pasur një fluks pacientësh. Janë persona që në momente të caktuara nuk duan t’ia dinë për asnjeri në botë.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju?
Momenti më i vështirë në punë është kur përdoruesit bëhen të dhunshëm dhe kërkojnë më tepër metadon nga sa e kanë të përcaktuar. Sigurisht që unë nuk mund të plotësoj kërkesat e tyre. Janë të pavetëdijshëm në ato çaste. Ata thjesht e kërkojnë metadonin dhe nuk e kuptojnë se po morën më shumë se norma e lejuar, kalojnë në mbidozë dhe përfundojnë në spital.
A ka pacientë me të cilët keni marrëdhënie më të veçantë se me të tjerët?
Ka, por janë më shumë se një. Janë persona familjarë të cilët bëjnë të pamundurën që të shkëputen nga varësia e drogës dhe janë shumë të rregullt në terapi. Mund të them se i trajtoj si miq… por edhe këta persona ka momente që nuk më njohin, çastet kur ata kanë nevojë për metadon ose drogë…
Për çfarë ju vjen keq kur shikoni pacientët që vijnë njëri pas tjetrit për të marrë metadonin?
Më vjen keq që kanë humbur fillin e jetës së tyre. Më vjen keq sepse është shumë e vështirë të shkëputesh prej drogës, më vjen akoma më keq kur i shoh që nuk kanë vullnet për ta lënë drogën dhe nuk janë të rregullt në terapi…
Çfarë i ka shtyrë drejt drogës? Çfarë keni mundur të kuptoni nga vetë ata?
Dy janë çështjet kryesore që unë besoj se i kanë shtyrë drejt drogës: gjendja e vështirë ekonomike dhe papunësia. Por ka edhe nga ata që e kanë filluar nga kurioziteti dhe nuk kanë mundur të shkëputen më nga ajo.
Po familjarët e tyre i takoni, çfarë thonë ata?
Për familjarët është tepër e vështirë, sidomos në çastet kur ata kanë nevojë për drogë dhe bëhen të dhunshëm. Në ato çaste ata nuk njohin asnjë njeri, as prindërit e tyre. Më ka ndodhur të më thonë prindërit që më mirë të ma marrë Zoti djalin sesa ta shoh kështu. Kur e thotë një prind këtë, është tepër e rëndë.
Çfarë duhet bërë me këta persona?
Ata kanë nevojë për trajtim të specializuar. Kanë nevojë për një mundësi të vërtetë për të rifilluar jetën e tyre. Ne këtu në këtë qendër bëjmë sa mundemi, por nuk e dimë se ç’bëjnë ata jashtë dyerve të qendrës, sa të aftë janë t’i rezistojnë tundimit për të marrë drogë. Megjithatë ka persona që ia kanë dalë mbanë. Shifrat ama janë të frikshme.
200 persona
Kaq është numri i personave që trajtohen çdo ditë pranë qendrës Aksion Plus. Me kalimin e viteve është rritur ndjeshëm numri i përdoruesve të drogës në qytetin e Tiranës. Megjithë përpjekjet e shumta të tyre dhe të familjarëv shumë pak prej tyre janë shkëputur përfundimisht nga varësia e drogës.
Çfarë është metadoni?
Metadoni është një opioid sintetik i efektshëm në trajtimin e zvjerdhjes nga narkotikët, pasi është me veprim të gjatë dhe shkakton më pak eufori se sa barnat e tjerë opioide. Ai jepet nga goja. Doza përshtatet në nivelin minimal të mundshëm, që është në gjendje të mposhtë simptomat dhe pastaj pakësohet gradualisht përditë derisa ndërpritet.



