Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti sot nxënësit e shkollave të mesme” Gramoz Palushi” Paskuqan, “Androkli Kostallari” Shkozë dhe Mustafa Gerblleshi” Sauk, të cilët së bashku me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve realizuan një aktivitet sensibilizues mbi çështjet e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit, si dhe rolit që duhet të luajnë djemtë dhe burrat si partnerë dhe aleatë për eliminimin e dhunës me bazë gjinore e asaj në familje. Të rinjtë zhvilluan aktivitete artistike në pikturë, aktrim dhe grafikë, duke përcjellë mesazhe kundër dhunës, diskriminimit e pabarazive që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare sot.
“Sado i vjetër apo i ri, ne burrat kemi një rol për të luajtur. duke nisur që nga akti më i vogël i mirësjelljejes, deri tek veprimet e mëdha për fuqizimin e grave, ne kemi një zgjedhje. Të bëhemi #HeForShe” – u shpreh Përfaqesuesi i UN Women Albania, z. David Saunders.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i cili mirëpriti të rinjtë dhe të rejat dhe përgëzoi këtë nismë të tyre duke theksuar se ky aktivitet jo vetëm ndihmon fëmijët që të përcjellin emocione dhe mbresa sa më të bukura, të cilat ata mund t’i ndajnë me shokët e shoqet e tyre, me mësuesit dhe të afërmit e tyre, por njëkohësisht për të ndërgjegjësuar edhe Kuvendin e Shqipërisë se duhet të ketë më shumë në qendër të vëmendjes interesat dhe të ardhmen e tyre.
Ilir Meta vlerësoi rolin e organizatorëve, të Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, Universitetin e Arteve dhe UN Women, për vëmendjen që i kushtojnë çështjeve të ndjeshme që prekin fëmijët dhe njëkohësisht përgëzoi në mënyrë të veçantë për përzgjedhjen origjinale të këtij aktiviteti përmes krijimtarisë e përmes artit, të cilat përcjellin mesazhet e mirëkuptimit, të bashkëpunimit, të solidaritet dhe të dashurisë, kaq të domosdoshme për shoqërinë.
“Dua të vlerësoj mbështetjen që i jepet OJQ-ve që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, sidomos në mbrojtjen nga dhuna dhe abuzimet e tjera, duke u krijuar mundësi që të zhvillojnë projekte të rëndësishme në këtë fushë dhe për të sjellin progresin e duhur. Këtu kam parasysh partnerët tanë ndërkombëtar si Zyra e Kombeve të Bashkuara këtu në Shqipëri, UNICEF, UNDP, Mbretërinë e Suedisë, OSBE, BE dhe partnerët e tjerë aktiv në këtë fushë. Dua të konfirmoj angazhimin e Kuvendit në mbështetjen e thellimit të bashkëpunimit me të gjitha organizatat që punojnë për të drejtat e fëmijëve, për të rritur kontributin e tyre në procesin e shqyrtimit të projektligjeve dhe për t’i dhënë procesit ligjvënës transparencë dhe një legjitimitet më të madh se sa deri më tani”, tha z. Meta.


