Mjeku përgjigjet: “Kam infeksion në gjak”, besimi i gabuar i pacientëve. Gjaku nuk infektohet!

Për gazetën “Shëndet+”: Sotiraq Lako, hematolog

Është shumë e vështirë t’i shpjegosh pacientit, se “gjaku qarkullues nuk infektohet”. Lumi nuk infektohet, pellgu po.

Nëse në gjak ka patogjenë (viruse – viremia, baktere – bakteremia, funge – fungemia etj), nuk do të thotë se gjaku është i infektuar, ai është duke bërë detyrën kryesore të tij: transportin.

test gjaku_kancerPatogjeni nëse ka hyrë në gjak (ka kaluar barrierat kufizuese mbrojtëse) duhet të arrijë në zonat target ku ai gjen mjedisin e nevojshëm për të qëndruar, ushqyer dhe shumëzuar dhe aty shkakton dëmtimin përkatës  strukturor dhe funksional.

Nëse në analizën e gjakut periferik, ka një rritje të leukociteve, neutrofileve, pararendësve të neutrofileve (shkopinj, metamielocit etj), rritje të eritrosedimentit (shpesh të shoqëruara me temperaturë etj.), nuk do të thotë se ke “infeksion në gjak”.

Gjaku ka detyrë të transportojë :

Eritrocitet dhe bashkë me to  hemoglobinën dhe oksigjenin. Për veten e vet, gjakut nuk i duhen as eritrocitet, as hemoglobina, as oksigjeni (eritrocitet e sigurojnë energjinë e nevojshme me anë të glikolizës anaerobe  që të mos e harxhojnë oksigjenin për qelizat e tjera)

Leukocitet (neutrofile, eozinofile, limfocite, shkopinj, monocite etj). Për veten e vetë, gjakut nuk i duhen për asgjë leukocitet, ato prodhohen në palcën e kuqe të kockave (limfocite dhe jashtë saj) dhe me anë të gjakut periferik ato transportohen atje ku duhet të kryejnë detyrat e tyre, që janë gjithmonë jashtë vazës së gjakut. Nëse një patogjen ka arritur në lëndën themelore të indit lidhor fijeshkrifët, të parat që duhet të arrijnë atje janë neutrofilet për t’i eleminuar dhe duke kryer detyrën e tyre jashtë vazës së gjakut këto qeliza dhe vdesin. Për të siguruar sasinë e nevojshme të neutrofileve të mjaftueshëm për eleminimin dhe të patogjenit të fundit (brenda organizmit nuk duhet të ngeli asnjë patogjen), organizmi përdor rezervat, shton prodhimin dhe kur nuk arrin numrin e mjaftushëm të qelizave të pjekura (neutrofilet) hedh në qarkullim dhe pararendës të tyre, që nuk janë plotësisht efikase (ushtarë të rinj), por mund të luftojnë (shkopinj, metamielocite).

Nëse patogjeni arrin në gjak ka dhe një “luftëtar” tjetër që i eleminon drejtëpërdrejt  shpretka me sistemin fagocitar mononuklear më të madh në organizëm. Dhe nëse mbrojtja jo specifike nuk e eleminon dot, do të vijë mbrotja specifike (Limfocitet) dhe vetëm nëse gjithë këto hallka mbrojtëse kapërcehen (ose janë të dëmtuara) dhe patogjeni nuk është eleminuar, ai do të arrijë në zonat target të tij, do të vendoset, ushqehet, shumëzohet – me dëmtimet përkatëse lokalse dhe sistemike.

Trombocitet – janë i vetmi element i figuruar i gjakut, që i duhet gjakut për veten e vet dhe në këtë mënyrë për të gjithë qelizat e tjera të organizmit. Detyra e tyre është të sigurojnë stabilitetin e vazave të vogla të gjakut (kapilarët) dhe akoma më shumë ato duhen vetëm kur dëmtohet muri i vazës së gjakut, me qëllim ndalimin e hemorragjisë, pra të humbjes së gjakut me pasojat përkatëse.

Transporton hormonet, lipide, aminoacide, nxehtësi etj. Transporton dhe patogjene, qeliza tumorale etj.

Postime të ngjashme

Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç
Mjekja zbulon ushtrimet më efektive për rënien në peshë
Pse dietat e shpejta nuk ndihmojnë për rënien nga pesha
Dhjami në bark, më i keqi! Mjekja: Personat me risk të shtuar për probleme vaskulare
Çfarë është obeziteti metabolikisht i shëndetshëm dhe obeziteti metabolikisht jo i shëndetshëm
“Nuk duhet të hani një vakt në ditë”, mjekja zbulon sekretin për një jetesë të shëndetshme për pacientët obezë