Kryefaqja Aktualitet Problemet e shëndetit mendor janë rritur, më të shpeshta ankthi dhe depresioni

Problemet e shëndetit mendor janë rritur, më të shpeshta ankthi dhe depresioni

0
Shpërndaje

Bisedoi: Iliada Kovaçi

Pandemia ka patur një ndikim të madh në jetën e secilit prej nesh. Pasojat që ka lënë nuk kanë qenë të pakta, sidomos sa i përket problemeve të shëndetit mendor. Për të mësuar më tepër rreth ndikimit që pati pandemia në shëndetin mendor, cilat grupmosha u preken më shumë ndaj këtyre problemeve apo çrregullimeve gazeta Shëndet+ intervistoi mjekun psikiatër në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Dr. Pasho Maksuti.

Doktor, a ka shumë persona që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor? Si paraqitet situata aktualisht dhe cilat janë kryesisht këto probleme?

Aktualisht në kohën që po jetojmë ka shumë njerëz të cilët vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Mund të them se rastet janë rritur ndër vite dhe kanë ndikuar shumë faktorë. Ndër problemet më të shumta që ballafaqohen psikologët dhe mjekët psikiatër janë problemet e ankthit dhe të depresionit. Ankthi dhe depresioni janë ato probleme që hasim më shpesh pra janë më të përhapura. Më pas vijnë problemet më madhore që kanë të bëjnë me psikozat.

Cilat janë ato grupmosha që janë më të prekura ndaj këtyre problemeve?

Të gjithë grupmoshat paraqesin probleme të shëndetit mendor, të cilat mund të jenë çrregullime apo probleme me ankthin dhe depresionin. Megjithatë, mund të them se së fundmi të rinjtë po shfaqin gjithnjë e më tepër shenja që lidhen me ankthin dhe depresionin.

Çfarë po ndikon në shfaqjen e këtyre gjendjeve tek të rinjtë?

Faktorët që po ndikojnë janë shumë dimensionalë! Njerëzit janë më të ngarkuar, po bëjnë një jetë me më shumë strese, më dinamike se më parë. Të gjitha këto ndikojnë në ngarkesën psikike dhe emocionale. Sidomos, më problematike janë ata të rinj të cilët kanë kaluar një fëmijëri apo adoleshencë, nën presion dhe stress.  Rreth 20-30 % e popullatës ka probleme të me ankthin, stresin dhe depresionin.

Çfarë është ankthi dhe depresioni në vetveve?

Ankthi është një lloj frike irracionale. Për ta kuptuar më qartë mund të themi se frika racionale ndodh atëherë kur kemi frikë nga probleme të cilat dëmtojnë integritetin psiko-fizik tonin dhe është një mekanizëm që na mbron që ne të mos futemi në një rrezik të caktuar. Ankthi është po e njëjta frikë por është irracionale sepse këtu mungon rreziku. Ndërsa shqetësimi është i ngjashëm sikur të ekzistonte rreziku prandaj quhet edhe irracionale dhe personat mund të ndihen të shqetësuar sikur po u ndodh diçka e keqe në organizmin e tyre apo një dëmtim. Shpesh këta persona janë të alarmuar, të shpërqëndruar sepse vëmendja përqëndrohet tek shqetësimet që kanë, e në këtë mënyrë prishet kualiteti i jetës dhe kërkojnë ndihmë. Ndihma është profesionale te mjekët psikiatër apo tek psikologët.

Depresioni është një çrregullim më madhor që manifestohet zakonisht në mënyrë episodike. Fillon me një humor të rënë, mund të jetë i shoqëruar me ankth qoftë si simptomë e depresionit, qoftë si bashkëshoqëruese e kësaj gjendjeje por zakonisht haset si një simptomë , përfshin mendime pesimiste, pafuqi fizike, ndjenjë pavlerësie në jetën e përditshme , pamundësi për të bërë punët që më parë i bënte etj. Pra, me pak fjalë, personi humb besimin se do të mund të jetë produktiv. Këto janë disa nga simptomat e depresionit. Personat të cilët vuajnë nga depresioni shpesh kërkojnë ndihmë. Në disa raste disa individë duke u ndjerë pesimistë për të ardhmen mund të ndërmarrin edhe veprime vetëdëmtuese deri në veprime suicidale. Prandaj kërkohet ndihmë mjekësore e specializuar vlerësimi dhe pastaj bëhet plani i mjekimit. Depresioni është një çrregullim episodik pasi kalon një periudhë kohore dhe ekziston mundësia që të përsëritet prandaj kërkohet një menaxhim profesional.  Nëse përsëritet shpesh herë ka nevojë për tu trajtuar në mënyrë më të zgjatur.

Si trajtohet ankthi dhe depresioni? A ka një shërim të plotë?

Mjekimi është i plotë. Zakonisht pritshmëria është që të kemi shërim të plotë, pavarësisht se përsëritja mund të vijë ose jo pasi është diçka individuale. Nuk ka një mekanizëm të caktuar për vijueshmërnë e trajtimit por duhet të jemi vigjilentë që të marrim masat që të bëjmë rekomandime sa më profesionale me qëllim që të shmangim përsëritjen e këtyre krizave. Mjekimet janë mjekime medikamentoze dhe psikoterapeutike dhe okupacionale të cilat kanë të bëjnë më riaktivizimin fizik profesional. Më e mira është trajtimi i kombinuar. Këtu pa dyshim ka të bëjë shumë edhe ambienti social, familja dhe trajtimet psikologjike të cilat janë të rekomandueshme.

Pse është e rëndësishme të kërkojmë ndihmë ?

Është e rëndësishme sepse një çrregullim apo një sëmundje prish funksionimin dhe kualitetin e jetës dhe kjo nuk është pak për një njeri. Gjatë një konsulte apo një vizite njeriu zgjidh shumë dilema. Fillimisht zgjidh dilemën se për çfarë bëhet fjalë, për një sëmundje madhore apo për një çrregullim tjetër, zgjidh dilemën sesi trajtohet dhe çfarë pritshmërie ka. Kur trajtimi është i hershëm sigurisht që ka më shumë rezultat dhe ditë të fituara për personin në fjalë. Nuk ka asnjë arsye se përse në ditët e sotme ku në jetojmë në kohën e kibernetikës, në kohën kur medikamentët janë shumë të sofistikuar krahasuar me 50 vjet më parë dhe kur një person me pak mund arrijë të zgjidhë shumëçka është e pafalshme që të mos kërkojë ndihmë të specializuar

 

**Intervista me dr. Pasho Maksutin vazhdon… Në pjesën e dytë do të lexoni për aktualitetin në spitale lidhur me problemet e shëndetit mendor dhe ndikimin që pati pandemia

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here