“Realiteti shqiptar i martesave të hershme, ndërhyrja është domosdoshmëri”

Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta

Në kuadër të projektit “Parandalimi i martesave të hershme në Shqipëri” me mbështetjen e Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale dhe UNFPA, Observatori për të drejtat e Fëmijëve organizoi një konferencë me temë “Realiteti Shqiptar i Martesave të Hershme: Domosdoshmëria për Ndërhyrje”.

konference 6

Gjatë kësaj konference u prezantuan  disa raste studimore për martesën në moshë të mitur në qytetet Korçë dhe Vlorë, të cilat kishin si qëllim analizën e martesave të hershme dhe në moshë fëminore në Shqipëri, analizën e efekteve të procesit të martesave të hershme mbi shoqërinë ku jetojmë, me këndvështrim nga terreni. Duke qenë se Korça dhe Vlora kanë pozicion gjeografik si zona kufitare të shfrytëzuara shumë në të kaluarën për emigracion të paligjshëm dhe trafikim, janë ndikuar ndjeshëm nga fenomeni i trafikimit të fëmijëve, vajzave dhe grave.

Elma Tërshana, drejtoreshë ekzekutive e “Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve”, mbajti fjalimin hyrës duke falënderuar pjesëmarrësit për praninë dhe duke i ftuar të gjithë të avokojnë në lidhje me të tilla çështje të rëndësishme për shoqërinë. Ajo tha se studimi i fenomenit synon parandalimin dhe mbështetjen e rasteve të rrezikuara, nëpërmjet përmirësimit të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve. “Martesa e fëmijëve nuk është ngjarje e izoluar, shpesh ndeshet në rajone apo komunitete me probleme të tjera sociale, nivele të larta të papunësisë, vështirësi infrastrukturore, mungesa e aksesit në shërbimet arsimore dhe shëndetësore”, vijoi Tërshana.

Manuela Bello, asistent përfaqësuese e UNFPA-së në Shqipëri, u shpreh se UNFPA do të jetë gjithmonë mbështetëse e nismave të tilla me interes kombëtar e nuk do ta ndalë me kaq punën për parandalimin e fenomeneve që prekin kaq shumë shoqërinë dhe mbi të gjitha pjesën më të brishtë të saj, si fëmijët dhe vajzat e reja.

konference

Denada Seferi, drejtoreshë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u shpreh se ndërhyrje duhen bërë edhe në zonat e veriut, të cilat janë gjithashtu shumë të prekura nga fenomeni i martesave në moshë të hershme. Seferi foli për shportën e shërbimeve sociale, ku këto shërbime duhet të listohen dhe të bëhen të detyrueshme për pushtetin vendor. Strukturat vendore kanë nevojë për psikologë, sociologë, të cilët duhet të dinë të sillen, të menaxhojnë dhe të parandalojnë fenomene të tilla.

Marjana Jorgji, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror Korçë foli për martesat e hershme në Korçë, të cilat janë karakteristike për fëmijën e dytë ose të tretë në familje, gjë e cila u evidentua edhe nga studimi. “Shpesh niveli i ulët arsimor identifikohet me martesat në moshat e hershme, – vijoi ajo, – pasi shumë nga të intervistuarat nuk dinin të shkruanin as emrin e tyre. Martesa në djep, mentaliteti i prapambetur, mungesa e informacionit dhe takimeve me psikologë e punonjës socialë të cilët duhet t’i informojnë mbi problemet që sjell një martesë e hershme, kushtet ekonomike ishin një pikë e fortë që i detyronin shumë familje të martonin vajzat që në moshë fare të re”, përfundoi Jorgji.

konference2

Në fund të konferencës u theksua se rihartimi i ligjit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimi i njësive për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si dhe zbatueshmëria e listës së shërbimeve sociale janë çështje për të cilat duhet të punohet fort në mënyrë që të tilla fenomene të parandalohen në të ardhmen.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë