Albina Deda, mjeke dhe deputete
Gentian Marena (*), 15 vjeç, u nda nga jeta duke pritur reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e tij dinjitoz. Neglizhenca dhe amullia në shëndetësi e shoqëruan nga dita e parë e kontaktit dhe diagnostikimit të sëmundjes “Kliniko-morfologjike metastaze kockore nga eventual Adenocarcinoma mucinoze pulmonare”.
Gentiani prej korrikut 2013 ishte me dhimbje të ekstremiteteve inferiore, kryesisht majtas. Pas muajit janar 2014 shenjat klinike filluan të rëndoheshin, pra dhimbjet po i shtoheshin edhe në kurriz.
Kishte bërë vizitë në Durrës, ku banonte (grafi dhe iu vendos diagnoza artrit reumatoid) pastaj vizitë në QSUT ku iu bë përsëri grafi dhe dyshuan dhe e nisën në Spitalin Ushtarak.
Por asgjë e saktë nga këto ekzaminime dhe këto vizita. Në qendrën spitalore “Nënë Tereza” iu bë skaneri dhe shintigrafia. Aty u trajtua nga shefi i Onkologjisë.
Në datë 5.4.2014 iu mor biopsia kockore iliake sinistra. U konstatua se ky rast përbën një entitet kliniko-morfologjik shumë të rrallë, edhe në literaturë, edhe në Kazuistikën Botërore.
Pas biopsisë u dha vendimi i Komisionit Ndërspitalor me datë 2.6.2014, i cili theksoi se duhet të dërgohej jashtë vendit për konfirmim diagnoze dhe mjekim eventual. Mbledhja e komisionit u bë tre muaj me vonesë, megjithëse gjendja e pacientit po përkeqësohej. Ministria e Shëndetësisë në muajin shtator ende nuk i kishte komunikuar asgjë për rastin në fjalë familjes së tij, për trajtimin e mëtejshëm.
Pas burokracive, duke kaluar nga dyert e QSUT-së në ato të ministrisë, prindërit e Gentiani, të dy të papunë, vendosin me ndihmën e të afërmve ta dërgojnë vetë privatisht jashtë shtetit. 15-vjeçari u dërgua në një klinikë në Francë dhe pasi iu bënë dhe një herë të gjitha ekzaminimet, u vendos që të fillonte kimioterapinë.
U kthyen përsëri në Onkologjik (shefi i Onkologjisë), ku iu komunikua se medikamentet për kimio ishin në Farmacinë e QSUT-së. Prindërit kontaktuan me drejtuesen e farmacisë në drejtorinë e QSUT-së, e cila iu tha se nuk kishte medikamente.
Mjekët e Spitalit Onkologjik, duke filluar nga shefat, punojnë edhe te spitali “Hygeia” dhe spitalet e tjera private. Dhe iu rekomandua “Hygeia”. Në rastin tonë “Hygeia” i kishte ilaçet, por me pagesë 83000 lekë vetëm një kurë kimio. Po e gjithë kura për 21 ditë?!
Ndërkohë që flitet për shëndetësi falas dhe sidomos për të sëmurët me kancer, familja e Gentianit për 7 muaj pagoi në total për të gjitha vizitat, ekzaminimet dhe mjekimin 5.000.000 lekë ose 33.000 euro.
Burokracitë, mashtrimi dhe shëndetësia falas me fjalë tashmë janë të faktuara me raste si ky.
Gentiani 15-vjeçar ditën që të gjithë bashkëmoshatarët filluan shkollën, jo vetëm nuk ngrihej dot të bashkohej me ta, por nuk mundi as t’i shihte. Ai u nda përgjithmonë nga jeta.
Si deputete, si mjeke, si nënë, i kisha kërkuar ministrit të Shëndetësisë të ndërhynte për të përshpejtuar procedurat. Familjarët u sorollatën derë më derë dhe pa asnjë përgjigje.
Shëndetësia jo vetëm nuk është falas për të gjithë, por nuk është falas as për ata që e kanë këtë status, siç janë të sëmurët me kancer.
Mashtrimi vazhdon me sa e sa pacientë të tjerë që blejnë medikamentet, edhe pse shteti duhet t’u garantojë mjekim falas dhe trajtim dinijtoz deri në momentet e fundit.
Por Beqja apo Beqaj duhet të kujdeset për tenderat, për klientelistët, për importin paralel të medikamenteve dhe shkatërrimin e skemës së sigurimeve shëndetësore, duke hapur vrima rrugës vetëm e vetëm se kjo reformë shëndetësore u bë nga qeveria Berisha.
Ndërkohë, prindër e familjarë të tjerë si ata të Gentianit, vijojnë të sorollaten dyerve të institucioneve shëndetësore teksa kuptojnë se shëndetësia edhe mund të jetë falas. Por jo për ta!
(*Shënim i redaksisë: Gazeta “Shëndet+” i kërkoi informacion Ministrisë së Shëndetësisë për rastin e Gentian Marenës në datë 18 shtator 2014. Me zyrën e informacionit në ministri është kontaktuar edhe pas kësaj date. Gjithsesi, akoma sot e kësaj dite nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë lloj informacioni për rastin në fjalë)


