Emanuel Smaka
Ndërkohë që fëmijët e të rinjtë nga qytete të mëdha të Shqipërisë kanë zëvendësuar një pjesë të madhe të aktivitetit fizik me lojëra elektronike, shembuj të tjerë pozitivë vijnë nga Burreli e Dibra. Rreth 1000 nxënës nga 3 shkolla të pozicionuara në zona rurale po përfitojnë nga projekti “Shëndet për të gjithë”, financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe zbatuar nga shoqata “Bashkë për jetën”. Krahas sensibilizimit për ushqyerjen e shëndetshme, projekti synon informimin e nxënësve për rëndësinë që ka edukimi fizik gjatë procesit të rritjes.
“Informimi i nxënëseve të shkollave mbi rëndësinë e edukimit fizik është një hap pozitiv. Ne punojmë vazhdimisht në shkollë dhe shohim se nxënësit, ndoshta edhe për shkak se është zonë rurale, kanë shumë dëshirë të luajnë dhe të kryejnë aktivitete fizike. Nxënësit e shkollës tonë vazhdojnë të japin një shembull konkret sesi mund të qëndrojnë larg lojërave elektronike dhe të rrisin aktivitetin fizik. Kjo mënyrë jetese duket konkretisht në fakt, sepse nuk kemi asnjë fëmijë që të ketë probleme me mbipeshën apo probleme me sytë”, thotë Ergjent Canameti, mësues i edukimit fizik në shkollën “26 Korriku” të fshatin Bruç në bashkinë Burrel.
Aqif Shehu është një banor i zonës që punon prej më shumë se 3 dekadash si mësues fizkulture. Ai na tregon se banorët e fshatit kanë një dashuri të trashëguar për sportin.
“Mbaj mend se dikur bëheshim disa skuadra volejbolli e futbolli dhe bënim ndeshje me fshatrat e tjera. Kemi dalë në vendin e parë edhe pse ndesheshim me fshatra më të mëdha apo me skuadra të qytetit të Burrelit. Edhe sot nxënësit tanë janë shumë të përgatitur dhe punojnë shumë me aktivitetin fizik. Puna intensive që po bëjmë tani në kuadër të projektit “Shëndet për të gjithë” është diçka akoma më pozitive. Kjo i shtyn nxënësit që të njohin më tepër rëndësinë e edukimit fizik për trup dhe mendje të shëndetshme. Ç’është e vërteta, i kemi dhënë një rëndësi të veçantë edhe basketbollit gjatë viteve të fundit. Djemtë dhe vajzat e shkollës luajnë pothuajse çdo ditë”, shton Shehu duke folur për gazetën “Shëndet+”.
Përmirësimi i infrastrukturës për ushtrimin e orëve të edukimit fizik mbetet ndërkohë një sfidë për vitet e ardhshme. Drejtori i shkollës Astrit Neziri tregon vështirësitë që hasin për realizimin e orëve për shkak të mungesës së një palestre.
“Nxënësit e kanëme shumë dëshirë orën e edukimit fizik dhe ne përpiqemi që të jemi sa më gjithëpërfshirës. Megjithatë, në kemi një problem thelbësor qëështë mungesa e infrastrukturës. Palestra mungon, ndërsa fëmijët luajnë në oborrin e shkollës që prej vitesh është improvizuar si fushë futbolli, basketbolli e volejbolli”, tregon Neziri.
Projekti ”Shëndet për të gjithë” i ka mbështetur shkollat me topa, rrjeta, porta dhe materiale të tjera për ushtrimin e orëve të edukimit fizik, megjithatë ndërtimi i një palestre me parametra është ajo që drejtuesit e shkollës presin nga ana e pushtetit lokal apo qendror.
Studimet e ekspertëve tregojnë se aktiviteti fizik ndihmon që organet e trupit të mbushen me më shumë oksigjen, përfshi këtu edhe trurin. Sasia e madhe e oksigjenit në tru, tregojnë studimet, mund të ndihmojë në zvogëlimin e simptomave të disa shqetësimeve psikologjike si ankthi, pagjumësia apo stresi. Ndërkohë, tek fëmijët dhe të rinjtë aktiviteti fizik i kontrolluar i ndihmon ata që të gëzojnë një shëndet të plotë.
“Nxënësit e duan sportin”
“Lënda e edukimit fizik nuk ka nevojë për teknika specifike, sepse kjo lëndë u krijon hapësirë nxënësve që sipas dëshirës së tyre të bëjnë ushtrime nga më të ndryshmet”, argumenton mësuesi i edukimit fizik Aqif Shehu.
Ai tregon se prej vitesh është marrë me stërvitjen e klubeve sportive në Burrel, ndërsa në prag të moshës së pensionit ai është tërhequr dhe pjesën më të madhe ua ka kushtuar nxënësve të shkollës “26 Korriku”.
“Produktivitetit i një ore mësimi varet drejtpërdrejt nga hapësirat që u jepen nxënësve. Është me rëndësi që djemtë dhe vajzat gjatë orës së mësimit të kenë mundësi të shprehin talentin e tyre në një sport të caktuar. Puna e bërë vit pas viti si dhe aktivitetet intensive që kemi zhvilluar gjatë muajit shkurt i ka ndihmuar nxënësit tanë të kuptojnë se aktiviteti fizik ndikon jo vetëm në pasjen e një trupi të bukur, por luan rol shumë të rëndësishëm edhe në shëndetin mendor. Ajo që na pengon pak është terreni jo i përshtatshëm për të ushtruar orët e edukimit fizik. Nëse do të kishim një terren të përshtatshëm, ora e mësimit do të ishte shumë më cilësore. Duhet t’i japim gjithnjë e më tepër rëndësi orës së edukimit fizik, pasi gjatë viteve të shkollës evidentohen edhe talentet e ardhshme në basketboll, futboll, volejboll apo sporte të tjera. Përveç zbulimit të talenteve përfshirja e sporteve në planin mësimor është e rëndësishme edhe për shumë arsye të tjera. Kështu, mund të theksojmë shmangien e shumë problemeve shëndetësore nëse i mësojmë fëmijët me kulturën që të zhvillojnë sport”, thotë mësuesi i edukimit fizik.
Dëshira e nxënësve të kësaj shkolle për edukimin fizik ka nxjerrë shumë talente në fusha të ndryshme.
“Në 20 vitet e fundit, nga shkolla jonë kanë dalë shumë talente në futboll e volejboll. Kemi disa nxënës që sot vazhdojnë karrierën e tyre në klubet sportive shqiptare. Mbaj mend se para pluralizmit në Shqipëri, pikërisht në fushën e futbollit këtu në fshatin Bruç mblidheshim me qindra të rinj kur çdo natë luanim futboll. Ç’është e vërteta, aktualisht nuk ndodh kjo për shkak tëlargimit të shumë të rinjve. Prandaj, pjesa më e madhe e edukimit fizik dhe aftësimit të fëmijëve që kanë prioritet sportin, tashmë na është besuar ne në shkollën “26 Korriku”, përfundon mësuesi Shehu.
Studimet e bëra në botë pas viteve 2000 tregojnë se ushtrimet fizike ndikojnë për një jetë të shëndetshme më të gjatë, më të mirë dhe më të zgjuar.
Edukimi fizik në Bulqizë e Peshkopi
2 shkollat e tjera përfituese të projektit janë “Ahmet Cami” në fshatin Gjoricë të Bulqizës dhe shkolla “Idriz Kaba Peshko” e fshatit Tomin, pak kilometër larg qytetit të Peshkopisë. Takimet e zhvilluara në këto shkolla për promovimin e aktivitetit fizik janë përqendruar nëndarjen e informacioneve mbi përfitimet që sjell aktiviteti irregullt. Mësuesit e fizkulturës kanë qenë gjithashtu promovuesit e sesioneve informuese, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e shoqatës “Së bashku për jetën”./ Shendeti.com.al