Kryefaqja Aktualitet Skandal / Të sëmurët me turbekuloz dy javë pa ilaçe

Skandal / Të sëmurët me turbekuloz dy javë pa ilaçe

0
Shpërndaje

Situata e pacientëve të infektuar me tuberkuloz është alarmante, pasi prej gati dy javësh vuajnë mungesën e medikamenteve. Në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 10 pacientë që vuajnë nga tuberkulozi, kryesisht nga tuberkulozi i mushkërive.

Ndërsa, në bazë të të dhënave, në një vit numri i të sëmurëve shkon te 300 pacientë tuberkularë. Mungesa e medikamenteve fillimisht është sinjalizuar nga familjarët e pacientëve, pasi medikamentet jo vetëm që mungojnë në spitalin e Sanatoriumit, por edhe në të gjitha dispanseritë. Gjë kjo që është konfirmuar për “GSH” edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapaisyzi.Sanatorium2

Sipas tyre, mungesa e ilaçeve nuk ka të bëjë me mungesën e fondeve, por janë firmat ato të cilat nuk kanë interes, për shkak të fitimit të vogël, që të sjellin këto lloj ilaçesh. “Ministria e Shëndetësisë është vënë në dijeni. Janë procedurat e prokurimit që kanë sjellë vonesa. Nuk bëhet fjalë për mungesë fondi. Zgjidhja e problemit do bëhet për punë ditësh”, është deklaruar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë.

Pacientët & ilaçet
Në tregun farmaceutik shqiptar, përfshi edhe të gjitha spitalet publike dhe dispanseritë, mungojnë ilaçet që kurojnë sëmundjen e tuberkulozit, të cilat janë Ethambutol, Rifampicin, Isoniazid dhe Pryazinamide. Këto medikamente janë kura e vetme për t’i bërë ballë kësaj sëmundjeje të rrezikshme, e cila në botë, por edhe në vendin tonë, merr mijëra jetë njerëzish. Drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapaisyzi, pasi është kontaktuar nga “Gazeta shqiptare”, ka sqaruar arsyet e mungesës së këtyre medikamenteve.

“Nuk është mungesë vetëm në spitalin tonë. Këto ilaçe nuk gjenden fare në Shqipëri. Firmat farmaceutike nuk janë të interesuara që t’i sjellin. Ne u lidhëm direkt me një firmë jashtë për të marrë katër ilaçet antituberkulare, kemi rënë dakord. Por ata të firmës na kërkuan një pjesë të pagesës para se të nisin ilaçet. Problemi qëndron se ka disa rregulla prokurimi; këtu është procedurë që nuk bëhet pagesa pa kaluar medikamentet. Kemi nisur shkresë në Ministri të Financave, për ta bërë me marrëveshje që do kalojnë paratë pa ardhur medikamentet, por do të bllokohen deri në momentin që neve do na vijë ngarkesa me ilaçet”, -sqaron për “GSH”, drejtori i spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”.

Ndërkaq, ai shprehet se kjo situatë do të gjejë zgjidhje për punë ditësh. Sa u përket pacientëve të shtruar në Sanatorium, ai ka thënë se janë 10 pacientë të shtruar në klinikat e këtij spitali të cilët janë diagnostikuar se janë të infektuar nga tuberkulozi. Tuberkulozi është një sëmundje infektive ngjitëse e shkaktuar nga mykobakteri tuberkular, mostrajtimi i të cilit sjell pasoja fatale për pacientin. Kurimi i bakterit të tuberkulozit do një kohë të gjatë, rreth 6 muaj.

“Në Sanatorium janë 10 pacientë të shtruar. Mungesa e ilaçeve është problem, pasi nëse nuk merren rregullisht, bakteri krijon rezistencë. Më problem mungesën e ilaçeve e kemi pasur këtë javë, pasi javën e kaluar mungonin Ethambutol dhe Rifampicin, por trajtimi bëhej me Isoniazid dhe Pryazinamide. Besojmë se mungesa e ilaçeve do zgjidhet këtë javë që nis”, – theksoi drejtori i spitalit.

Sëmundja
Sëmundja e tuberkulozit përhapet me anë të rrugëve respiratore. Mikrobi përhapet në ajër kur i sëmuri kollitet, teshtin apo flet. Edhe individët e shëndoshë mund të preken nga këto grimca të përhapura në ajër. Mjafton që ju të jeni në një ambient për një kohë të gjatë, apo të jeni duke udhëtuar me autobus apo tren për 3-4 orë me një person të infektuar dhe rrezikoni të infektoheni. Por infeksioni nuk shfaqet te çdo person i cili merr mikrobin. Bacilet e marra mund të fshihen në trup pa e sëmurë personin dhe të shfaqen kur bie imuniteti i trupit.

Personat më të rrezikuar janë ata të cilët qëndrojnë vazhdimisht pranë të sëmurit, në të njëjtin ambient. Mikrobi nuk ngjitet nëpërmjet lugëve, pirunëve, gotës, veshjeve apo çarçafëve. Tuberkulozi nëpërmjet medikamenteve mund të kurohet plotësisht. Për të luftuar mikrobet e TB përdoren katër ilaçe (i keni të cituara më sipër) në mënyrë që të parandalohet rezistenca që mund të shkaktojnë mikrobet. Koha e kurimit është gjashtë muaj. Pas dy muajve të parë të kurës, ku pacienti duhet të qëndrojë në spital, pasi përbën rrezik dhe për të infektuar familjarët, ulet numri i ilaçeve të përdora në dy. Është shumë e rëndësishme që ilaçet të merren rregullisht çdo ditë dhe mundësisht në të njëjtin orar, në mëngjes esëll, ose dy orë pas ushqimit. Pas daljes nga spitali, pacienti mund të bëjë jetë normale.

I sëmuri që pi ilaçe, pas 3-4 javëve të para, nuk infekton të tjerët. Mjekimi i rregullt jo vetëm ju shëron plotësisht, por edhe mbron fëmijët dhe të afërmit tuaj nga sëmundja e TB. Ndaj mjekët sqarojnë se të sëmurët pas fillimit të mjekimit mund të ndihen mirë, por nuk duhet ndërprerë mjekimi, pasi mikrobet e TB vazhdojnë të jetojnë dhe eliminohen shumë ngadalë. Në momentin që kura ndërpritet, sëmundja avancon duke u kthyer në tuberkuloz rezistent, dhe kurimi i tij kërkon një kohë shumë herë më të gjatë, gati dy vjet.

Shenjat e sëmundjes ndahen në dy grupe: shenja të përgjithshme dhe shenja të mushkërive. Shenjat e përgjithshme janë: temperaturë e lartë në darkë, djersitje natën, rënie në peshë, mungesë e oreksit dhe lodhje. Ndërsa shenjat më specifike janë: kollitje që zgjat më shumë se dy javë, nxjerrje e sekrecioneve, pështymë me gjak, dhimbje në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje.

Gazeta “Shëndet+” ka denoncuar para një viti problemin e mungesës së trajtimeve të pacientëve me turbekuloz në spitalin e Sanatoriumit, të cilët detyrohen t’i bëjnë analizat në Kosovë.

Turbekulozi, pacientët shqiptarë çohen për trajtim në Kosovë

Burimi: Gazeta Shqiptare / https://shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here