Ndryshe nga ushqimet e mësipërme, frutat nuk janë krejt të ndaluara. Ato lejohen, por me masë. Nga ana tjetër, kjo nuk duhet kuptuar që diabetiku nuk rron dot pa fruta. Frutat nuk janë ushqim i domosdoshëm. Këtë e themi se ekziston një mendim i gabuar sipas të cilit dieta e diabetikut duhet të përmbajë patjetër fruta, madje ditë për ditë. Eshtë e vërtetë se disa fruta përmbajnë vitamina, por kjo nuk e justifikon e as e bën të detyrueshëm përdorimin e tyre.
Burimi kryesor i vitaminave në ushqimin tonë të përditshëm nuk janë frutat, por zarzavatet, buka, mishi, qumështi dhe prodhimet e tij. Sidoqoftë, ata diabetikë që kanë mundësi e dëshirë të hanë fruta mund t’i përdorin ato në një masë të kufizuar, jo më shumë se 300 gram në ditë (2-3 kokrra mollë ose fruta të tjera, nga ato që përmbajnë 10-15 për qind sheqer).
Ky kufizim është i domosdoshëm, sepse frutat përmbajnë shumë sheqer dhe e keqja është se sheqeri i tyre e rrit menjëherë gliceminë. Për këtë arsye disa fruta, si fiqtë, rrushi, frutat e thata, stafidhet, palat e fikut, kumbullat e thata arrat, bajamet, lajthitë etj., që kanë përmbajtje, shumë të lartë sheqeri, këshillohet të mos përdoren asnjëherë nga të sëmurët me diabet. Mendimi se frutat nuk i bëjnë dëm diabetit është i gabuar. Edhe mollët “e pabëra”, portokallet e “tharta” etj. kanë përmbajtje të lartë sheqeri e nuk duhen përdorur pa kufi, sic bëjnë disa diabetikë që hanë prej tyre një kilogram apo më shumë në ditë. Kjo bëhet shkak për çrregullimin e diabetit. Më shpesh e vemë re këtë gjë te diabetikët e shtruar në spital, të cilëve familjarët dhe vizitorët u sjellin fruta, me mendimin se ato i “kanë të lejuara” dhe “nuk u bëjnë dëm”.
Përdorimi i frutave, sidomos kur teprohet, i bën keq diabetit. Ata të sëmurë që nuk u pëlqejnë apo nuk munden të hanë fruta çdo ditë, nuk duhet ta quajnë këtë si mangësi në dietën e tyre, por përkundrazi lehtësi të saj. Në vend të frutës ata mund të marrin një ushqim tjetër, si patate, qumësht, bukë etj., që përmbajnë sheqerna, por nga ato që thithen ngadalë e s’bëhen shkak për rritjen e glicemisë.


