Kryefaqja Aktualitet Bashkëpronësia mbi tokën bujqësore dhe apartamentet e privatizuara pas viteve ‘90 

Bashkëpronësia mbi tokën bujqësore dhe apartamentet e privatizuara pas viteve ‘90 

0
Shpërndaje

Menjëherë pas rrëzimit të regjimit komunist në vend, ndryshimet e para ligjore kishin të bënin me pronësinë dhe të drejtat mbi të. Shqiptarëve, për herë të parë pas 40 vitesh, iu njoh e drejta e pronësisë mbi banesën ku jetonin dhe e drejta e pronësisë mbi tokën. Në të gjitha rastet kur pronësia i kalonte familjes, edhe pse prona mund të regjistrohej në emër të kryefamiljarit, ligji garantohet bashkëpronësinë e bashkëshortëve dhe anëtarëve madhorë të familjes.

Ndër të parat sektorë që u shpërbë në fillim të viteve ’90 ishin kooperativat dhe fermat bujqësore të krijuara pas kolektivizimit që iu bë pasurisë personale në fshat në mes në viteve ‘60 në kuadër të reformës së kolektivizimit të bujqësisë.

Kështu, pas regjimit komunist pasuria e paluajtshme, tokë bujqësore, u nda në bazë të ligjit 7501 “Për Tokën”, për frymë, familjeve që banonin në zonat rurale dhe ishin anëtarë të familjes bujqësore, sipas certifikatës së gjendjes civile të 01 Gushtit 1991 (për pasuritë kooperativë bujqësore) dhe të certifikatës së gjendjes civile të datës 01 Tetor 1992 (për pasuritë 22 që ishin ferma bujqësore). Ligji lejon që në familjen bujqësore të hyjnë anëtarë të rinj (me anë të martesës, lindjes, birësimit), ashtu si edhe mund të dalin anëtarë. Toka u regjistrua në emër të kryefamiljarit, por pronësia mbi të u njihet të gjithë anëtarët që janë në përbërjen familjare, sipas certifikatës së gjendjes civile aktuale. Në rast se anëtarët e familjes bujqësore dëshirojnë ta tjetërsojnë pasurinë e paluajtshme – ta shesin, dhurojnë, pjesëtojnë apo shkëmbejnë, kontrata e shitjes duhet të nënshkruhet nga të gjithë personat të cilët në momentin e shitjes janë në përbërjen familjare aktuale (vërtetuar me certifikatë familjare) të kryetarit të familjes bujqësore që ka emrin në certifikatën e pronësisë. Si kryetari i familjes, ashtu edhe bashkëshortja e tij dhe çdo anëtarë i familjes përfitojnë në pjesë të barabartë nga prona e përbashkët bujqësore.

Në të njëjtën periudhë filloi edhe procesi i privatizimit të apartamenteve, ku kontrata e shitblerjes u lidh ndërmjet kryefamiljarit si përfitues i pasurisë dhe Entit kombëtar të banesave (ish ndërmarrje komunale banesa). Sipas ligjit, bashkëpronarë mbi pasurinë e paluajtshme, të përfituar me privatizim u njohën të gjithë anëtarët të cilët në certifikatën familjare të kryefamiljarit, më datë 1 Dhjetor 1992, ishin mbi 18 vjeç.

Si në rastin e privatizimit të apartamenteve, edhe atë të përdorimit të tokës bujqësore, ligji u njohu të drejta të barabarta bashkëshortëve mbi këto pasuri. Megjithatë, vajzat që në periudhën e daljes së ligjeve ndodheshin në shtëpinë e prindërve dhe kishin fituar të drejta mbi pronësinë, pas martesës iu mohuan këto të drejta, duke i detyruar ato ose të dhuronin pjesën takuese të tyre mbi pronësinë, ose të hiqnin dorë ‘me vullnet të plotë’ nga e drejta e pronësisë.

Njëkohësisht, kur ato shkuan në shtëpinë e bashkëshortit nuk u bënë pjesë e pasurisë së përbashkët, as në apartamentet e privatizuar dhe as në tokën bujqësore të familjes së bashkëshortit. Kështu gratë, edhe pse ligji i njohu dhe u garantoi të drejtën mbi pronësinë, një pjesë e mirë e tyre nuk e gëzuan atë, dudke dalë jashtë rrethit të bashkëpronarëve si në familjen e vajzërisë, ashtu edhe në familjen e krijuar me bashkëshortin. Kjo i kufizoi gratë dhe ato nuk mund të ishin ndikuese në vendimet e pronarëve të tjerë, qofshin prindërit, vëllai, bashkëshorti, apo ndonjëherë edhe fëmijët, për shitur apo dhënë me qira pronën e përbashkët.

Nëse gratë do të kishin informacionin e duhur rreth rëndësisë së ushtrimit të të drejtave mbi pronësinë, shumë prej tyre sot do të ishin të pavarura ekonomikisht dhe të lira për të bërë zgjedhjet më të mira për jetën e tyre. Shumë prej grave nuk kanë mundur as të ndërmarrin inisiativa biznesi, pasi mungesa e pronësisë mbi prona të paluajtshme u ka hequr edhe të drejtën e marrjes së kredisë e përdorimit të kolateralit, etj.

Sot gjendja ka ndryshuar dhe gratë kanë më shumë informacion, megjithatë, mentaliteti patriarkal i shoqërisë ende mbizotëron dhe mundohet ta kufizojë të drejtën e grave për të njohur, gëzuar dhe përdorur të drejtën mbi pasuritë e paluajtshme.

Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.

AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here