Bisedoi: Elena Beta
Vetëm pak javë më parë Tirana shijoi Festivalin e Ideve Rinore, i cili u dha mundësinë të gjithëve të prezantohen me rreth 1000 gjimnazistë të qyteteve të ndryshme, të cilët performuan në shumë fusha duke dhënë një spektakël madhështor, duke mbushur hareshëm ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
E gjithë kjo performancë në kuadër të projektit “Shkolla Qendër Komunitare” ishte vetëm një prezantim “i vogël” i asaj çka pritet në vijim. Jonida Këllezi, koordinatore e festivalit, si dhe menaxhere e këtij projekti rrëfen më shumë lidhur me objektivat.
Mund të na thoni diçka më shumë lidhur me projektin “Shkolla Qendër Komunitare”?
Projekti “Shkolla Qendër Komunitare” është një projekt i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe IADSA (Italian-Albanian Debt for Development Swap Program). Ky është fundi i vitit të parë të zbatimit të projektit i cili konsiston në implementimin e një sërë aktivitetesh që kanë fokus kryesor shkollat.
Shkollat pilot të përzgjedhura për projektin janë të shtrira në disa qytete të Shqipërisë:
- Shkolla “Andon Zako Çajupi” në Tiranë
- Shkolla “Sait Najdeni” në Peshkopi
- Shkolla “28 Nëntori” në Shkodër
- Shkolla “Raqi Qirinxhi” në Korçë
- Shkolla “Halim Xhelo” në Vlorë
Në kuadër të këtij projekti do të zhvillohen shumë aktivitete të cilat kanë fokus shkollën, nxënësit dhe komunitetin, pra, përfshirjen e shkollës në komunitet dhe komunitetit në shkolla.
Çfarë keni organizuar në kuadër të këtij projekti?
Një aktivitet gjigant, i pari në llojin e vet, i realizuar në kuadër të projektit “Shkolla Qendër Komunitare”, ishte edhe Festivali i Ideve Rinore, i cili u zhvillua në datat 23 – 24 maj në Tiranë. Ky festival i cili erdhi në vijim të një konkursi mbarëkombëtar Konkursi i Ideve Rinore, mblodhi një seri aktivitetesh duke shërbyer gjithashtu edhe si nismë e një tradite që do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme në po të njëjtën periudhë.
Si mendoni ta sillni shkollën tek komuniteti, pasi tashmë është verë dhe nxënësit janë me pushime?
Gjatë sezonit të verës, kur shkolla mbaron dhe nuk ka më aktivitete, kemi menduar ta shohim shkollën tek komuniteti. Një ndër aktivitetet që do të implementohen, është edhe klubi i sipërmarrësve të rinj i cili do të përfshijë workshope për nxënësit dhe nga nxënësit, që do të zhvillohen tek Godina e Inovacionit (Tiranë), e cila do të shërbejë si një ambient ku të rinjtë (madje edhe jashtë projektit) mund të vënë në zbatim aktivitetet e tyre pa asnjë kosto, duke pasur në dispozicion një trajner dhe një moderator.
Gjithashtu, gjatë muajve në vijim shkollat do të hapin dyert për komunitetin kur fëmijët duan të luajnë një lojë basketbolli ose volejbolli apo kur duan të realizojnë aktivitete të tjera, ambientet e shkollës do të vendosen në dispozicion të tyre, edhe pse shkolla ka mbaruar.
A do të ketë ndërhyrje në shkollat e përzgjedhura?
Përsa i përket vitit të ri akademik, njëkohësisht dhe vitit të dytë të projektit, do të ketë ndërhyrje fizike në shkollat target të përzgjedhura për të qenë pjesë e projektit. Do të riaktivizohen klubet studentore pjesë e të cilave janë nxënësit, si dhe mësuesit, gjithashtu do të organizohen edhe ditët e hapura (open day) ku do të ketë minifestivale brenda shkollës.
Cila është më e rëndësishme, Tirana apo rrethet?
Grupet nga Tirana do të spostohen edhe në shkollat e qyteteve të tjera, ashtu sikurse ka pasur aktivitete ku nxënësit e shkollave në qytete të tjera kanë ardhur në Tiranë. Në këtë mënyrë shmanget delokalizimi dhe mundësohet njohja e nxënësve me njëri – tjetrin dhe konfrontimi i ideve mund të bëhet më lehtësisht.
Cilat janë pritshmëritë e këtij projekti?
Përsa u përket pritshmërive, ato lidhen me të kuptuarit drejt të konceptit të shkollave si qendra komunitare, duke ndryshuar konceptin e shkollës si institucion. Një pikë e fortë e projektit është edhe bashkëpunimi me sipërmarrjet lokale, të cilët duhet t’i mbështesin dhe trajnojnë nxënësit për hapat që do të hedhin pas mbarimit të shkollës. Sigurisht, pa mbetur në teori.