Studentët njihen me programet politike për çështjet shëndetësore

 

Dorina Reçi

Në kuadër të projektit  “Përmirësimi i sistemit shëndetësor përmes një vote të informuar”, zbatuar nga Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Programit të Granteve të vogla të Komisionit për Demokraci nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, është zhvilluar takimi mes studentëve e gazetarëve që mbulojnë çështjet shëndetësore me nënkryetaren e partisë Fryma e Re Demokratike (FRD), znj. Valbona Duri.

Ky takim, ashtu si edhe takimet e mëparshme me përfaqësues të partive të tjera politike, synon zbatimin e së drejtës për informim rreth programeve politike që konkurrojnë për zgjedhjet e pushtetit vendor, qershor 2017.

Znj. Duri iu drejtua studentëve: “E vlerësoj shumë kur organizatat e shoqërisë civile, grupet e interesit apo të rinjtë, kanë vëmendje për programet e partive politike apo profilet, sepse kjo gjë ka munguar në kulturën shqiptare, për të ditur kur kemi subjekte politike dhe se çfarë ofrojnë ata, sa seriozisht ata kanë një program apo vizioni i tyre për perspektivën e Shqipërisë”.

Programi i partisë Fryma e Re Demokratike fokusohet në fuqizimin e reformave shëndetësore, në veçanti të reformës së sistemit financiar, fuqizimin e institucioneve të kontrollit të barnave për zbatimin sa më mirë të kuadrit ligjor për sigurimin e cilësisë së garantuar të tyre, sipas normave të Bashkimit Evropian dhe aktivizimit të mbikëqyrjes së përdorimit të tyre. Një pikë tjetër po aq e rëndësishme është zhvillimi dhe fuqizimi i programeve për informim-edukim të publikut të gjerë, si dhe bashkëpunim me institucionet e tjera për mbrojtjen e shëndetit.

“Në momentin e hartimit të programit ndieja përgjegjësinë që kur të angazhohemi diku, të jemi seriozë, pavarësisht pamundësisë së një partie të re, sepse janë shumë faktorë këtu që nuk mundet një lëvizje e re të fitojë dhe të përfaqësojë qytetarët e saj e vetme. Prandaj jam shumë e kënaqur që ndodhem sot këtu me ju, për t’ju njohur me programin tonë që është shumë serioz. Prioritet kemi reformën institucionale, ku kemi mbështetur fort reformën në drejtësi pasi kemi një marrëveshje stabilizim-asocimi për të cilën kemi detyrime ndaj saj. Prioritet tjetër gjithashtu është shëndeti, i cili lidhet edhe me çështjet mjedisore. Nuk mund të pretendohet shëndet i mirë pa  u fokusuar në mirëqenien e individit”-vijoi nënkryetarja e FRD-së.

Znj. Duri iu përgjigj gjithashtu pyetjeve lidhur me buxhetin prej 5% për sektorin e shëndetësisë dhe mungesën e barnave. Sipas nënkryetares së FRD-së, në gjithë vizionin e zhvillimit të shëndetit publik, fuqia implemtuese për çështjet shëndetësore pengohet nga keqmenaxhimi./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë