Prof. Asc. Rilinda Klosi
Lëkura, barnat bimore
Lëkura vepron si një mbështjellje mbrojtëse e trupit, e cila lidhet ngushtë me pjesën tjetër nën të nëpërmjet enëve të gjakut dhe nervave. Një nga funksionet kryesore të lëkurës është mbrojtja e trupit nga faktorët e jashtëm, si për shembull temperatura, bakteret apo kimikatet. Ajo gjithashtu luan rol aktiv në proceset e termorregullimit. Problemet e shkaktuara në lëkurë janë mjaft të përhapura, ato kanë origjinë të ndryshme dhe mund të prekin të gjitha moshat, që nga të porsalindurit deri te moshat e thyera. Në rastet e rënda kërkohet trajtimi i tyre nga ana e mjekut specialist. Përdorimi i fitoterapisë dhe përgatesave bimore që jepen pa recetë rekomandohet për çrregullime dermatologjike më të lehta. Bimët mjekësore janë përdorur prej shekujsh në trajtimin e plagëve dhe problemeve të ndryshme të lëkurës. Për shumë prej tyre tashmë është provuar prania e përbërësve biologjikisht aktivë. Shpesh, këto bimë dhe ekstraktet e përftuara prej tyre marrin pjesë në formulime të ndryshme, që gjejnë përdorim në formë çajrash, pomadash, tinkturash, vajrash, kompresash e të tjera. Trajtimi i gjendjeve problematike të lëkurës, si dhe potenciali terapeutik i një numri të konsiderueshëm bimësh mjekësore të përdorura tradicionalisht në dermatologji, kanë qenë objekt studimi në vazhdimësi. Ndër bimët mjekësore të përdorura prej shekujsh nga popullata në vendet e ndryshme të Ballkanit renditen edhe Plantago lanceolata L. (gjethedelli), Calendula oficinalis L. (kumaku), Arnica montana L. (arnika e malit), Agrimonia eupatoria L. (podiqja e egër). Ndonëse disa nga këto bimë mund të përdoren dhe në gjendje të freskët, në vazhdim do të trajtohen drogat përkatëse (pjesë të bimës, të thara), të cilat përshkruhen në Farmakopenë Europiane, dhe po ashtu janë miratuar për përdorim nga Agjencia Europiane e Barnave.
Arnica montana L. është një bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Asteraceae, e cila rritet në gjendje të egër vetëm në zona të larta, në klimë të ftohtë dhe të lagët. Dekadat e fundit ndryshimet klimatike, largimi i banorëve nga zonat malore, si dhe ndryshimet e habitatit në përgjithësi, kanë patur ndikim negativ. Tashmë kjo specie renditet në listën e specieve të rrezikuara në Europë. Arnika e Alpeve të Shqipërisë është gjithashtu një bimë e rrallë, shumë e kërkuar veçanërisht nga importuesit e shteteve të ndryshme europiane. Bima lulëzon prej muajit maj deri në gusht, grumbullohen kokat e luleve me ngjyrë të verdhë karakteristike. Rekomandohet që ky proces të kryhet në fazën e lulëzimit të plotë të bimës, në kohë të thatë. Bima mund të ngatërrohet lehtësisht nga grumbulluesit pa përvojë me bimë të tjera që kanë lule të verdha dhe rriten në kullotat alpine. Procedura e tharjes së materialit bimor në mjedise të përshtatshme kërkon monitorim në vazhdimësi të temperaturës dhe lagështisë. Ndër përbërësit fitokimikë kryesorë renditen: laktonet seskuiterpenike, flavonoidet, hidroksikumarinat, acidet fenolike, vaji esencial.
Përgatesat, përdorimi. Përgatesat e lëngëta dhe gjysmë të ngurta që përmbajnë ekstrakte të ”Flores Arnicae” përdoren gjerësisht në mjekësinë bimore, po ashtu në kozmetikë. Ato përdoren nga jashtë për trajtimin e dëmtimeve në të cilat lëkura nuk është e çarë, si mavijosje, hematoma, kontuzione, dhimbje muskulare të lokalizuara, inflamacione për shkak të pickimeve nga insektet. Ekstraktet nuk rekomandohen më për përdorim nga goja për shkak të toksicitetit. Në vendet e BE-së kërkohet që këto produkte të kenë të shënuar mbi etiketë “Vetëm për përdorim në lëkurë”. Sipas Agjencisë Europiane të Barnave, nuk duhet të përdoren nga fëmijët nën moshën 12 vjeç , nga gratë shtatzëna apo me fëmijë në gji. Ato nuk duhet të aplikohen pranë syve ose pranë membranave mukoze. Përgatesat e miratuara renditen në vazhdim.
2 g lule të thara e të grimcuara dhe 100 ml ujë i valuar lihen të qëndrojnë për 15 minuta në një enë me papak, pastaj kullohen. Infuzi i përftuar, ende i ngrohtë, përdorët për përgatitjen e kompresave të njomura, të cilat aplikohen në zonën e prekur. Procedura mund të përsëritet 3 deri 4 herë ditën.
Tinktura përgatitet me etanol 60%, në raportin material bimor: ekstraktues (1:10). Para përdorimit hollohet me ujë (3 ml tinkturë : 10 ml ujë). Më pas kompresat njomen me tinkturën e holluar.
Në treg qarkullojnë pomada të gatshme, të cilat përmbajnë 10 deri në 20% tinkturë Arnika. Pomada aplikohet në formën e një shtrese të hollë në zonën e prekur.
Kujdes: forunkulat në fytyrë duhet të trajtohen vetëm nga mjeku specialist.

Plantago lanceolata L. është bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Plantaginaceae, e zakonshme në Europë, e përdorur për qëllime mjekimi që në lashtësi. Ajo mund të rritet kudo, në zona të thata, në lëndina, apo në anë të rrugëve. Gjethet e bimës, si dhe përgatesat prej tyre, përshkruhen në manuale të ndryshëm për trajtimin e acarimeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, të mukozës së gojës dhe të grykës, po ashtu për shërimin e plagëve ose dëmtimeve të tjera të lëkurës. Gjethet e thara të bimës përshkruhen në monografinë “Ribwort plantain” të Farmakopesë Europiane.
Pas grumbullimit gjethet thahen menjëherë për të mënjanuar proceset e fermentimit. Tharja në temperaturën e dhomës është më e përshtatshme. Ndër përbërësit bioaktivë që luajnë rol të rëndësishëm në veprimin e bimës, krahas mucilagjeve, rrjedhësve të acidit kafeik, flavonoideve, renditen glikozidet iridoide si aukubina dhe katalpoli, përmbajtja e të cilëve është shumë më e lartë në gjethet e reja sesa në gjethet e vjetra. Materiali bimor i grumbulluar mund të përdoret edhe i freskët. Për qëllime mjekimi gjen përdorim gjithashtu bima Plantago major L, e cila ka gjethe më të gjera, por karakteristika mikroskopike të ngjashme.
Përgatesat, përdorimi. Lëngu i përftuar nga shtrydhja e gjetheve të freskëta të bimës është përdorur tradicionalisht në formë gargare për lehtësimin e simptomave që lidhen me acarimin e mukozave të gojës dhe të grykës. Në këtë rast mucilagjet i mbrojnë membranat mukoze me një shtresë mbrojtëse, ndikojnë gjithashtu lëndët tanine, flavonoidet dhe glikozidet iridoide. Me gjethet e thara të bimës përgatiten ekstrakte ujore dhe alkoolike me veprim anti-inflamator dhe antimikrobik. Ndonëse përdorimi i përgatesave në lëkurë konsiderohet i sigurt, nuk rekomandohet përdorimi i tyre nga fëmijët nën 12 vjeç apo nga gratë shtatzëna. Trajtimi nuk duhet të zgjatë më shumë se një javë. Disa nga përgatesat e miratuara renditen në vazhdim.
2 g gjethe të thara dhe të grimcuara trajtohen me 150 ml ujë të valuar, lihen të qëndrojnë për 10 minuta, pastaj kullohen. Infuzi i përftuar mund të përdoret për gargarë ose shpëlarje të gojës, si dhe për të përgatitur fasho të njomura e të shtrydhura, të cilat vendosen në zonën e prekur.
Lëngu i përftuar nga shtrydhja e gjetheve të freskëta përdoret në trajtimin e acarimeve të lehta të kavitetit oral. Rekomandohet të merret 3 herë ditën nga 10 ml, në formë gargare.
Ekstrakti i lëngët i përgatitur me etanol 30% (në raportin 1:1) merr pjesë në përbërjen e pomadave të ndryshme, të cilat përdoren në rastet e inflamacioneve të lehta të lëkurës.

Calendula officinalis L., bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Asteraceae, është përdorur historikisht jo vetëm për qëllime mjekimi, ajo gjithashtu është kultivuar prej shekujsh si bimë dekorative. Ekzistojnë shumë varietete lulet e të cilave kanë ngjyra të ndryshme, por për qëllime mjekimi grumbullohet vetëm varieteti me ngjyrë të fortë portokalli. Kompresat me përmbajtje ekstraktesh të luleve të bimës, si dhe pomadat e përgatitura prej tyre, përdoren gjerësisht në trajtimin e inflamacioneve të lehta të lëkurës. Në saje të vetive hidratuese dhe rigjeneruese, në treg qarkullojnë formulime të shumta kozmetike me përmbajtje ekstraktesh. Bima lulëzon për një kohë të gjatë, zakonisht nga muaji qershor deri në vjeshtën e vonë. Sipas Farmakopesë Europiane, “Calendula flower”përbëhet nga lulet plotësisht të çelura dhe të thara, të shkëputura nga kupa e tyre, të përftuara nga varietetet e kultivuara. Droga përmban përbërës të ndryshëm bioaktivë, midis tyre: saponina, alkoole triterpenike, acide fenolike, karotenoide, kumarina, polisakaride.
Përgatesat, përdorimi. Përgatesat me përmbajtje ekstraktesh të përftuara nga lulet e bimës frenojnë proceset inflamatore. Ato gjejnë përdorim në trajtimin e inflamacioneve të lëkurës, të mukozave të gojës, po ashtu të plagëve sipërfaqësore. Ndonëse nuk janë vërejtur efekte anësore gjatë përdorimit në formë gargare, për shkak të mungesës së të dhënave nuk rekomandohet përdorimi nga fëmijët nën 12 vjeç, nga gratë shtatzëna apo me fëmijë në gji. Përdorimi në lëkurë nuk rekomandohet për fëmijët nën 6 vjeç. Në vazhdim përshkruhen dy nga përgatesat e miratuara.
2 g lule të thara e të grimcuara trajtohen me 150 ml ujë të valuar, lihen të qëndrojnë për 10 minuta, pastaj kullohen. Infuzi i përgatitur përdoret ende i ngrohtë për shpëlarjen e gojës ose për gargarë. Procedura kryhet 3 herë ditën dhe nuk duhet të zgjatë më shumë se 1 javë. Infuzi përdoret gjithashtu për përgatitjen e kompresave, të cilat vendosen mbi plagë për 30 minuta. Nëse plagët infektohen ose anët e tyre marrin ngjyrë të kuqe të errët kërkohet konsultimi me mjekun.
Tinktura: si ekstraktues përdoret etanol 70%, raporti material bimor i grimcuar: ekstraktues (1:5). Kompresat përgatiten pas hollimit të tinkturës me ujë të valuar freskët, në raportin 1:3.


Agrimonia eupatoria L., bimë barishtore e familjes Rosaceae, prej shekujsh është vlerësuar për kurimin e plagëve. Shkrime të kohëve të lashta përmendin përdorimin mjekësor të bimës në fushëbeteja. Bima është e zakonshme në Europë dhe në Afrikën e Veriut. Për qëllime mjekimi përdoret pjesa mbitokësore, e grumbulluar gjatë kohës së lulëzimit, e cila përkon me muajt qershor deri në gusht. Materiali bimor i grumbulluar thahet me kujdes në vende me hije, larg dritës së diellit. Ndër përbërësit kryesorë fitokimikë të pranishëm në drogen e përftuar renditen: taninet, flavonoidet, acidet fenolike, triterpenoidet, lëndët minerale (me përbërës kryesor silicin), vitaminat, polisakaridet. Studiuesit kanë provuar veprimin rrudhës, antioksidant, anti-inflamator dhe antimikrobik të ekstrakteve të bimës. Nuk rekomandohet përdorimi i produkteve me përmbajtje ekstraktesh nga personat me mbindjeshmëri ndaj bimëve të familjes Rosaceae, fëmijët nën 12 vjeç, apo nga gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji. Monografia”Agrimony”përshkruhet në farmakopetë zyrtare, duke përfshirë Farmakopenë Europiane.
Përgatesat, përdorimi. Përgatesat me përmbajtje ekstraktesh të lëngëta, ujore ose alkoolike, gjejnë përdorim në trajtimin e inflamacioneve të lëkurës dhe të plagëve sipërfaqësore. Përveç përdorimit në përgatitjen e kompresave, këto ekstrakte marrin pjesë në shtesat për banjë të pjesëshme ose të plotë të trupit. Përdoren gjithashtu në acarimet e mukozës së gojës dhe grykës për shpëlarje ose në formë gargare. Kohëzgjatja e përdorimit nuk duhet të kalojë një javë. Nuk rekomandohet përdorimi nga fëmijët nën 12 vjeç dhe nga gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji. Përgatesat e miratuara:
1.5 g material bimor i tharë dhe i grimcuar trajtohet me 150 ml ujë të valuar, lihet të qëndrojnë për 10 deri në 15 minuta, pastaj kullohet. Infuzi përdoret 4 herë ditën, në formë gargare.
5 g material bimor i grimcuar dhe 250 ml ujë lihen për 15 minuta në valim. Dekokti i përftuar pas kullimit përdoret për imprenjimin e kompresave, të cilat vendosen në zonën e prekur. Po ashtu, përdoret si shtesë në ujin e vaskës, ku qëndrohet për 30 minuta, përseritet deri 2 herë ditën.
Në përgatitjen e tinkturës përdoret etanol 45%, raporti material bimor i grimcuar: ekstraktues (1:5). 1 deri në 4 ml tinkturë përdoren në formë gargare, përsëritet deri 3 herë ditën.
