Çfarë janë “ushqimet funksionale”? Përfitimet në shëndet

Nga Prof. Asc. Rilinda Klosi

Termi ”Ushqim funksional” përdoret për një kategori produktesh ushqimore të cilat përveç ushqyerjes ofrojnë përfitime shëndetësore shtesë. Zhvillimi dhe tregtimi i formulimeve të ushqimeve funksionale nga ana e industrisë ushqimore ka njohur rritje të vazhdueshme në tregun botëror, veçanërisht dy dekadat e fundit. Ndonëse lidhja midis ushqimit dhe shëndetit ka qenë historikisht e njohur, vetëm pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar filloi prodhimi i produkteve ushqimore me funksione specifike. Në ndryshim nga shtesat ushqimore, që merren në formë tabletash, kapsulash, pluhurash apo formash të tjera të dozuara, këto produkte përdoren si ushqim i zakonshëm dhe rekomandohen si pjesë e një diete të larmishme.

Shumica e studiuesve mendojnë se vetëm ushqimet e pasuruara me përbërës për të cilët njihen përfitimet shëndetësore mund të konsiderohen ushqime funksionale, megjithëse për këtë përcaktim nuk ka dakordësi gjithëpërfshirëse. Ushqimet funksionale mund të jenë ushqime natyrale ose të përpunuara, të cilat përmbajnë komponime biologjikisht aktive në sasi të përshtatshme dhe sigurojnë përfitime shëndetësore të vërtetuara nga provat klinike për parandalimin, menaxhimin ose trajtimin e sëmundjeve kronike.

Kërkesat e autoriteteve rregullatore

Koncepti i ushqimeve funksionale përmendet fillimisht nga autoritetet rregullatore të Japonisë që prej viteve 1980 dhe më pas nga shtetet e tjera.

Vitet e fundit, për etiketimin e prodhimeve të industrisë ushqimore si ushqime funksionale institucionet përgjegjëse në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përpiluar kërkesa të detajuara. Sipas Autoritetit Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA), përgjegjës për vlerësimin e dëshmive shkencore, çdo shënim mbi etiketë që reklamon përfitime shëndetësore kërkohet të mbështetet nga argumente shkencore të rëndësishme dhe të jetë i formuluar qartë, si për shembull ”Forcon mbrojtjen natyrale të organizmit”. Informacioni i paraqitur në etiketë është thelbësor në përzgjedhjen dhe përdorimin e duhur. Kur në formulimin e produktit bëjnë pjesë përbërës të futur rishtas në tregun europian (Novel Food), atëherë këta përbërës duhet të plotësojnë kërkesa shtesë, që paraqiten në një rregullore të posaçme. Autorizimet për deklarimet e ndryshme shëndetësore (nëse bazohen në prova shkencore dhe janë të kuptueshme nga konsumatorët) jepen nga Komisioni Europian. Sistemi rregullator për ushqimet funksionale në vendet e BE-së mbron konsumatorët nga etiketimi i rremë dhe informacioni mashtrues.

Tregu i ushqimeve funksionale

Sondazhet e kryera për të analizuar tregun e ushqimeve funksionale, bazuar në llojet e produkeve, tregojnë se produktet e bulmetit si qumështi, kosi, djathi mbizotërojnë. Kjo sepse ato janë jo vetëm të pasura me lëndë ushqyese esenciale, por edhe për shkak të lehtësisë me të cilën përbërësit funksionalë mund të inkorporohen. Po ashtu, ndikon shumëllojshmëria e produkteve me bazë bulmeti. Përbërësit funksionalë mund të jenë probiotikë, acide yndyrore omega-3, lëndë minerale, vitamina, proteina, fibra dietike e të tjera. Më pas, renditen produktet e ndryshme të furrave pjekëse, drithërat, ushqimet për fëmijë, të fortifikuara me lëndë ushqyese specifike.

Ushqimi funksional mund të jetë gjithashtu një ushqim natyral, i cili është modifikuar nëpërmjet zhvillimit të varieteteve të reja me karakteristika të dëshiruara, për shembull domate me përmbajtje të larta likopeni, apo drithëra me përmbajtje β-karoteni. Krahas ushqimeve të pasuruara me

përbërës biologjikisht aktivë, si vajrat bimorë ku është shtuar vitamina E apo yndyrnat me përmbajtje fitosterolesh, qarkullojnë gjithashtu produkte ushqimore ku një ose disa përbërës janë hequr ose përmbajtja e tyre është kufizuar, me qëllim përmirësimin e vetive.

Ndër ushqimet funksionale të zakonshme në treg përmenden: kosi i pasuruar me probiotikë për mbështetjen e shëndetit digjestiv, vezët e pasuruara me omega-3 për shëndetin e zemrës, qumështi me shtesë vitamine D për shëndetin e kockave, produkte të ndryshme me përmbajtje shtesë antioksidantësh për të mbështetur sistemin imunitar. Dietat e pasura me polifenole zvogëlojnë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të tjera kronike. Osteoartriti është një nga gjendjet kronike më të shpeshta që prek të moshuarit; shtimi i komponimeve si glukozamina apo hidrolizati i kolagjenit në ushqimet funksionale rekomandohet si terapi alternative. Fibrat e tretshme ndikojnë metabolizmin e kolesterolit duke kufizuar përqendrimet e yndyrnave me densitet të ulët, të njohura si kolesteroli i keq. Si burime natyrore fibrash të tretshme me përdorim në prodhimin e ushqimeve funksionale përmenden psyllium dhe inulina.

Produkte kufi

Produktet me përdorim të dyzuar, të njohura si ”produkte kufi”, shpesh gjenden në zonën ”gri” midis prodhimeve ushqimore dhe barnave. Kështu për shembull, në tregun botëror qarkullojnë gjerësisht ushqime të procesuara që përmbajnë statina natyrale, ato përdoren për të ulur përmbajtjen e yndyrnave në gjak.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve dhe hiperkolesterolemia pranohet si një ndër faktorët e rrezikut. Studimet epidemiologjike kanë treguar se ulja e niveleve të kolesterolit me densitet të ulët çon në kufizimin proporcional të rrezikut. Përveç barnave, ndërhyrjeve në dieta, ushqimet funksionale paraqesin alternativa të vlefshme.

Sjellim si shembull Orizin e kuq, pjesë e kuzhinës kineze që ka një histori të gjatë përdorimi. Monakolina K (lovastatin), e praniashme te ky produkt ushqimor, frenon sintezën e kolesterolit. Orizi i kuq përgatitet me anë të fermentimit, në prani të kërpudhës Monascus purpureus. Ndonëse konsiderohet përgjithësisht i ”sigurt”, gjatë përdorimit kërkohet kujdes, për shkak se ka të njëjtin potencial për efekte anësore si statinat e tjera. Për më tepër, sipas opinionit shkencor të EFSA, bazuar në sondazhet e tregut të kryera për prodhime të ndryshme të këtij produkti ushqimor, përmbajtja e monakolinës K ndryshon në mostrat e analizuara. Për këtë arsye rekomandohet rishikimi sistematik i përmbajtjes së monakolinave, po ashtu sugjerohet të mos kalohet doza ditore prej 10 mg.

Farat e Sojës përmbajnë komponime bioaktive si izoflavonet dhe fitosterolet, të cilat janë të pranishme në ushqimet funksionale të rekomanduara për kufizimin e simptomave të menopauzës. Këto komponime kanë veprim të ngjashëm me estrogjenët, prandaj nëse më parë dozimit ditor nuk i vihej rëndësia e duhur, tashmë në bazë të të dhënave shkencore këshillohet përdorim i kujdesshëm. Si dozë ditore maksimale rekomandohet 40 – 75 mg izoflavone.

Përfitimet shëndetësore

Ndër veprimet pozitive ndaj funksioneve trupore dhe mirëqenies së përgjithshme renditen:

  • ndikimi pozitiv në zhvillimin afatgjatë të fëmijëve dhe adoleshentëve
  • ruajtja e shëndetit të popullatës në përgjithësi, duke mbështetur funksionimin e sistemeve të ndryshme, si për shembull të sistemit imunitar apo sistëmit gastrointestinal.
  • kufizimi i rrezikut për të pasur sëmundje kronike, sikurse janë sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet metabolike, sëmundjet muskuloskeletale, sëmundjet inflamatore.
  • ndikimi pozitiv në kufizimin e problemeve që kanë të bëjnë me të moshuarit.
  • kufizimi i rrezikut për të qenë mbipeshë.

Mundësitë në të ardhmen dhe sfidat

Zgjerimi i shpejtë i tregut të ushqimeve funksionale lidhet kryesisht me ndergjegjësimin e popullsisë për rëndësinë e një diete të shëndetshme.

Sipas sondazheve të kryera në vendet e BE-së, tregu i ushqimeve funksionale varet nga perceptimi i konsumatorëve për produktet, që lidhet me aspekte të tilla si paraqitja, shija, lehtësia në përdorim, njohuritë e tyre për përfitimet nga përbërësit funksionalë, si dhe nga faktorët sociodemografikë.

  • Studime të viteve të fundit, janë orientuar drejt identifikimit dhe ekstraktimit të komponimeve bioaktive prej produkteve që nuk ndeshen në dietat e zakonshme. Eksplorohen burime alternative, si për shembull bimët foragjere, të cilat mendohet se do të sigurojnë opsione më të përshtatshme për prodhimin në shkallë të gjerë të ushqimeve funksionale.
  • Antocianidinat ndeshen shpesh te frutat dhe perimet. Ato janë komponime me veprim të fortë antioksidues, megjithatë aplikimi industrial mbetet i kufizuar për shkak të paqëndrueshmërisë kimike. Supozohet se teknika të reja të përparuara ekstraktimi dhe përpunimi do të jenë më efikase për përbërës funksionalë më pak të qëndrueshëm.
  • Zhvillimi i formulimeve të reja, të efektshme dhe të sigurta për grupime specifike të popullatës, mbetet një sfidë për studiuesit dhe industrinë ushqimore në të ardhmen. Në këtë drejtim luan rol të rëndësishëm shkenca e Nutrigjenomikës, që studion ndërveprimin midis dietës dhe zhvillimit të sëmundjeve, bazuar në profilin gjenetik të individit. Projekte të viteve të fundit, të financuara nga BE-ja, kanë si objektiv kryesor zhvillimin e një kornize gjithëpërfshirëse për qasje të integruar të shëndetit, ushqyerjes, aspekteve ligjore dhe teknologjive të përparuara të industrisë ushqimore. Një ndër këto projëkte ”Novafoodies” synon të ofrojë produkte funksionale inovative për konsumatorët europianë mbështetur në teknologjitë e reja. Ky projekt, ka gjithashtu për qëllim gjurmimin e zinxhirit të prodhimit të përbërësve funksionalë nga algat e detit.
  • Ndër sfidat kryesore për zgjerimin e mëtejshëm të tregut renditen paqëndrueshmëria e komponimeve biologjikisht aktive, ndryshimet e kërkesave nga ana e konsumatorëve, si dhe mangësitë e sistemeve rregullatore.

Referenca

  • Fekete M. et al. Functional Foods in modern nutrition science: mechanisms, evidence and public health implications. Nutrients 2025; 17 (13): 2153.
  • Hajzer E. et al. Functional Foods in clinical trials and future research. Foods 2025; 14 (15): 2675.
  • Perez-Martinez P. et al. Functional Foods and nutraceuticals in the treatment of hypercholesterolemia. Clinical Investigation on Atherosclerosis 2023; 35:248-261.
  • Fukami H. et al. A review of red yeast rice, a traditional fermented food in Japan and East Asia; Ingredients and application in the improvement and maintenance of health in lipid metabolism and circulatory system. Molecules 2021; 26 (6):1619.
  • Baini R. et al. Red yeast rice or lovastatin? A comparative evaluation of safety and efficacy through a multifaceted approach. Phytotherapy Research 2025; 39 (1): 264-281.
  • Saioa-Gomez Z. et al. Scientific evidence supporting the beneficial effects of isoflavones on human health. Nutrients 2020; 17 (12); 3853.
  • Votsi I. Functional Food’s consumption in children and parents: a literature review. Applied Sciences 2024; 14 (4): 1492.

Postime të ngjashme

Bebet para kohe/ Rritet numri i fëmijëve që lindin premature, mjekët: Ndikojnë alkooli dhe mosha e madhe e nënës
10 ushqime të pasura me vitaminë E që mbrojnë zemrën dhe i japin lëkurës një pamje të shëndetshme
4 shenja të çuditshme që tregojnë se po plakeni
7 gabime në mëngjes që dëmtojnë zorrët
6 ushqime që luftojnë kapsllëkun
Të sëmurët me tumor ikin jashtë, numri i diagnozave në QSUT ra me 45% me 2024
Ushqimet ultra të përpunuara dëmtojnë çdo organ në trupin e njeriut
Studimi: Vetëm 2 cigare në ditë rrisin me 50% rrezikun e sëmundjeve të zemrës