Diabeti në shtatzëni vazhdon edhe pas lindjes apo ndërpritet

Diabeti gestacional, i cili shfaqet gjatë shtatzënisë, në shumicën e rasteve largohet pas lindjes. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nëna nuk rrezikon të zhvillojë probleme me metabolizmin e sheqerit në të ardhmen.

Mjekja endokrinologe, Dr. Esmeralda Çela, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, shpjegon se gratë që kanë kaluar diabet gestacional kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar diabet të tipit 2 në vitet pas lindjes. Për këtë arsye, ndjekja mjekësore dhe kontrollet periodike janë thelbësore edhe pas përfundimit të shtatzënisë.

Kur duhet të kontrollohet sheqeri në gjak pas lindjes?

Sipas Dr. Çelës, rekomandohet që rreth 4–12 javë pas lindjes, nëna të kryejë testin e tolerancës ndaj glukozës, për të vlerësuar nëse çrregullimi i metabolizmit të sheqerit vazhdon edhe pas shtatzënisë.

Edhe në rastet kur rezultatet janë normale, kontrollet duhet të vijojnë rregullisht. Gratë që kanë pasur diabet gestacional këshillohen të kontrollojnë periodikisht nivelin e sheqerit në gjak, zakonisht çdo 1–3 vjet, sipas vlerësimit të mjekut, për të evidentuar në kohë shfaqjen e diabetit të tipit 2.

Si ndikon diabeti gestacional te shëndeti i fëmijës?

Diabeti gjatë shtatzënisë mund të shoqërohet me komplikacione rreth lindjes dhe me një rrezik më të lartë që fëmija të zhvillojë mbipeshë, obezitet ose çrregullime të metabolizmit të glukozës në të ardhmen.

Megjithatë, mjekja thekson se ekspozimi ndaj diabetit të nënës gjatë jetës intrauterine nuk do të thotë se fëmija do të zhvillojë patjetër diabet ose obezitet. Në ecurinë e shëndetit të tij ndikojnë edhe faktorë të tjerë, përfshirë ushqyerjen, aktivitetin fizik dhe mjedisin ku rritet.

Për këtë arsye, kontrolli i diabetit gjatë shtatzënisë dhe ndjekja shëndetësore pas lindjes janë të rëndësishme si për nënën, ashtu edhe për fëmijën.

Postime të ngjashme

13 të lënduar pas protestës në Tiranë! Si paraqitet gjendja e të riut të goditur në sy
Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll
Mjekja tregon keqkuptimin më të madh në lidhje me obezitetin
Si fotoja e një personi mund të ndihmojë në parashikimin nëse një pacient me kancer mund ta përballojë trajtimin apo jo
Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?