Pengu i një kirurgu dhe rikthimi në atdhe në kohë lufte

Edmond Faber 3Kirurgu vaskular, Edmond Faber rrëfen se është specializuar në vendet arabe dhe perendimore, iu ka shërbyer të majtëve dhe të djathtëve, por kurrë nuk ka qenë i kënaqur me realitetin në shëndetësi

Nuk mund të mbajë mend numrin e pacientëve që ka operuar. Madje ka qenë kirurgu i politikanëve të majtë e të djathtë, por me asnjë qeveri nuk ka qenë i kënaqur me realitetin e sistemit shëndetësor. Bëhet fjalë për kirurgun vaskular në Spitalin Ushtarak Edmond Faber, i cili është specializuar dhe ka punaur në vendet arabe dhe perendimore. Megjithatë ai vendosi të kthehej në atdhe pikërisht në vitet e brishta për kombin, në ’97 vit të cilin ai e përshkruan si një luftë të vërtetë. Kirurgu rrëfen për eksperiencën e tij, pengun më të madh që nuk do ta harrojë kurrë dhe dëshirën e madhe që fëmijët të ndjekin rrugën e tij.

Përvoja

Në vitin 1985 mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, në mbarim të fakultetit u emërua  si mjek i përgjithshëm në Mirditë. Në vitin 1990 u transferua në QSUT dhe fill pas specializimit për kirurgji të përgjithshme, me specialistët me kirurgji vaskulare. “Në këtë periudhë ishin vitet e ndryshimeve dhe në ’91, si shumë shqiptarë, u largova në emigracion. Shkova në Egjipt dhe pas një periudhe 1-vjeçare specializim në kirurgjinë vaskulare u punësova në Libi në qytetin e Bengazit, ku për hir të së vërtetës, dashamirësia e libianëve më dërgoi në Qendrën e Nefrologjisë dhe Dializës”, pohon kirurgu Faber duke shtuar se atje ka vazhduar punën në specialitetin e kirurgjisë vaskulare, ku punoi rreth 3 vjet e gjysmë dhe në fund të viteve ‘96 u riktheva në vendin tim. Në atë kohë ishte periudha e piramidave dhe e një lufte civile dhe profesioni i mjekut ishte shumë i rëndësishëm në këto trazira.

Pengu më i madh dhe 97-ta

Duhet të kujtojë vitet e mëdha të ndryshimeve dhe një moment që i ka mbetur në kujtesë. Për fat të keq këto vite sipas tij u shoqëruan me mangësi të theksuara në sistem. “Kujtoj rastin e një djali të ri në vitin ’91, i cili ishte i operuar, pati hemorragji gjithë natën dhe e gjetëm të nesërmen të mbuluar në një pellg të madh gjaku. E kam ende në mend atë skemë të tmerrshme dhe më është ngulitur fort në mendje. Kjo erdhi nga një mungesë kujdesi mjekësor nga të gjitha anët; mungesë vëzhgimi, mungesë korrektësie”, thotë kirurgu tek mundohet të shpjegojë se ato ishin kushtet e personelit, nuk kishte mjete të tjera, mungonin.

Ndërsa për vitin ’97 ai e cilëson si një luftë të vërtetë, sepse pacientët e palgosur dhe njerzit e vdekur të paraqitur në spital kishin të bënin më një bilanc lufte. “Ishte luftë. Me kuptimin e plotë të fjalës ‘luftë civile’, sepse na vinin në çdo moment njerëz të plagosur e të dëmtuar rëndë. Disa shpëtuan dhe shumë jetë humbën jetën për shkak të asaj lufte.  I gjithë viti ishte me një angazhim vullnetar”, kujton kirurgu.

Emigrimi

Vajtja në emigracion do ta ndihmonte shumë për të hapur sytë dhe për të parë se si veprohet  në vende të tjera. Sipas tij Libia apo Egjipti, të cilat sot janë në luftë civile, duhet të kuptojmë se kanë një sistem shëndetësor aq të zhvilluar, saqë nuk mungon asgjë. “Në mes të luftës dhe plagëve, autoambulancat janë të mirëpajisura dhe kanë stafe mjekësh të përgatitur, të cilët japin shërbim shumë cilësor në mënyrë protokollare. Për fat të keq, në vendin tonë ende nuk ekziston një kulturë kaq strikte në dhënien e shërbimit”, pohon kirurgu.

Pika kulmore e karrierës

Mendon se ende nuk e ka arritur pikën kulmore të karrierës dhe se ka edne shumë për të dhënë. Krenohet me faktin se metodat që ka parë në spitale të zhvilluara, jo vetëm në vendet arabe, por edhe në vendet evropiane si: Greqi , Holandë, Angli, por edhe në Amerikë është munduar t’i implementoj në shumë teknika operatore.” Ajo që i kam vënë vetes detyrë është që të sjell profesionin tim, të krahasuar me vendet ku kisha mësuar. Kur kam ardhur nga Amerika, pas një specializimi që bërë në Boston, solla teknikën e bajpaseve të gjata, të cilat nuk ishin kryer në vendin tonë deri në ato momente. Për herë të parë kemi bërë ndërhyrje endo-vaskulare, pra kemi vendosur vitalacione me ballon, rasti i fundit ka qenë zgjerimi i arteries”, pohon kirurgu duke shtuar se përpiqet që të jemi gjithnjë në krah të teknikave të reja që dalin dhe t’i implementojmë.

Do të doja që fëmijët të bëheshin kirurg

Nuk ka qënë bir mjekësh dhe me sa duket as fëmijët nuk kanë vendosur të ndjekin rrugën e tij.

“Kam 3 fëmijë. Vajza e madhe nuk e mori këtë profesion, megjithëse doja. Ajo ndoqi financat dhe ekonomikun. Vajza e dytë duket se ka elementë që i duhen mjekësisë, sepse ajo pikturon dhe luan muzikë në piano, dmth ka një prirje për të luajtur mirë.” Kështu shprehet kirurgu vaskular, Edmond Faber, duke theksuar se, kirurgjia është një interpretim në piano. “Një kirurg nuk mund të jetë kirurg i mirë, nëse nuk është i familjarizuar me muzikën. Kirurgjia është një tango, është melodi dhe duhet të lëvizësh më korrektësi dhe bukur, në të kundërt humbet fillin, pra është një balet i orkestruar nga një muzikë”, pohon kirurgu. Ndërsa, për sa i takon të birit ai thekson se, nuk shikon ndonjë dëshirë që të ndjekë rrugën e të atit. Ndoshta kjo për faktin se urren shërbimet. “Unë rri dy javë në muaj në gatishmëri 24 orë. Ndoshta kjo me të drejtë nuk i pëlqen tim biri dhe besoj se do të zgjedhë një rrugë tjetër”, pohon Faber.

Kirurgët vaskularë, “hidraulikët e trupit”

“Kirurgjia vaskulare është një specialitet që merret me sistemin e enëve të gjakut.” Kështu e nis shpjegimin në lidhje me profesionin e tij kirurgu Edmond Faber, duke shpjeguar më tej se enët e gjaku janë tubacione, të cilat janë shpërndarë në gjithë trupin. Enët e gjakut janë tubacione të shpërndara në gjithë trupin. “Patologjitë që prekin sistemin arterial apo sistemin limfatik, sistemin venozë kryesisht shoqërohet me shenja klinke siç janë mungesa e qarkullimit të gjakut arterial dhe populli e quan gangrenë, bllokimet e enëve të gjakut venoze, siç njihet trompoza. Kirurgët vaskularë me pak fjalë janë “hidraulikët e trupit” dhe mundohemi të dërgojmë gjakun në çdo pjesë të trupit”, pohon kirurgu Edmond Faber./ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin