Eriola Çuko

mjek studim 1

Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim do të bëjë shumë shpejt çërtifikimin e parë të mjekëve, pas një cikli katërvjeçar të edukimit në vazhdim. Gjatë kësaj periudhe mjekët janë trajnuar, kanë marrë pjesë nëpër seminare të ndryshme nëpërmjet, të cilëve kanë grumbulluar kreditet në bazë të të cilave do të bëhet edhe ricertifikimi i tyre. Por, specialistët mendojnë që dijet e mjekëve dhe infermierëve duhet të testohen në mënyrë periodike.
Aurel Voda, drejtor i Drejtorisë së Parësorit, në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, thotë se gjatë këtyre katër viteve “pjesa më e mirë e mjekëve dhe infermierëve kanë marrë edukimin e nevojshëm nga ky proces, por po aq e sigurtë është se ka plot syresh që as kanë lexuar dhe janë po në atë nivel apo edhe më keq se para katër vjetësh. Gjithashtu i sigurte është fakti se edhe në këtë fushë ,si kudo në Shqipëri, ka lindur tregu i zi i krediteve, duke sjellë një situatë , nga e cila do certifikohen njësoj edhe i afti edhe i paafti, edhe ai që është lodhur dhe ka rritur veten profesionalisht, por edhe ai që ka ndenjur kot dhe ndoshta është tallur me ata që kanë lexuar”.
Nisur nga kjo, përmes një shkrimi në një të përditshme shqiptare, Voda thekson se “ka ardhur momenti i duhur për të bërë një rivlerësim të gjendjes dhe për t’i dhënë peshën e duhur këtij procesi shumë të mirë të kryer nga QKEV-ja, që megjithatë ka funksionuar në mënyrë passive, ndoshta edhe për faktin se ka punuar pothuajse e vetme , në një kohë që çështja e edukimit në vazhdim është e të gjithë institucioneve që në qendër të punës së tyre kanë mjekun dhe shërbimin shëndetsor në përgjithësi”. Për Vodën, është koha e duhur që veç numrit të krediteve, të testohen dijet e grumbulluara nga profesionistët e shëndetësisë dhe të bëhet vlerësimi i tyre sa më real.  “QKEV, Urdhëri i Mjekut, Fakulteti i Mjekësisë, Fondi i Sigurimeve Shëndetsore me mbështetjen dhe kordinimin nga Ministria e Shëndetsisë duhet të bëjnë të mundur krijimin e një mënyre periodike testimi të dijeve të mjekëve dhe infermierëve, gjë që bëhet në shumë vende të botës e në mënyrë të vecantë në SHBA, ku testohen deri edhe kirurgët, të cilëve nëse nuk e kolojnë testin nuk iu jepet licensa për ushtrimin e profesionit deri sa ta kalojë atë”. “Mjekët nuk janë njëlloj e për pasojë nuk mund të paguhen njëlloj, por për këtë kërkohet një mënyrë e re dhe sa më reale vlerësimi e tyre”, thekson ai. Sipas tij, diferencimi në pagë do të sjellë dhe dëshirën e mjekëve për të lexuar, për pasojë shërbim shëndetësor më cilësor dhe personel mjekësor më dinjitoz..