Pranvera Kola

Merr trajtën finale karta, e cila do të zëvendësojë gradualisht të gjitha librezat e shëndetit. Autoritetet e Fondit Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore konfirmojnë se të parët që do të pajisen me kartën elektronike të shëndetit do të jenë kryeqytetasit, e më pas do të vijohet me rrethet. Plotësimi i një formulari pranë poliklinikës së lagjes do të jetë edhe hapi i parë për pajisjen me kartën e shëndetit. Procedura e pajisjes me kartë e të gjithë personave të siguruar nuk do të shoqërohet me asnjë kosto shtesë financiare. Karta do të jetë e personalizuar sipas kategorisë ku bën pjesë aplikuesi. Çka do të thotë se kartat do të kenë specifikimet përkatëse kur mbajtësi i saj është pensionist, jetim, invalid, i punësuar, e kështu me radhë për të gjitha kategoritë e tjera.

libreza e shendetitKy specifikim kushtëzon edhe llojin e dokumentacionit që duhet të dorëzohet për t’u pajisur me kartën elektronike të shëndetit. “Fondi ka gati kartën e shëndetit, e cila gradualisht do të zëvendësojë librezat shëndetësore, fillimisht në disa qendra shëndetësore në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.

Karta do të përmirësojë dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve, me përfitim të drejtpërdrejtë për pacientët. Ajo do të shpërndahet pa pagesë në qendrat shëndetësore në Tiranë dhe në degët e të gjitha rretheve “, bën të ditur drejtori i Fondit të Sigurimeve shëndetësore, Astrit Beci. Sipas tij, me nxjerrjen e kartës synohet që të gjitha procedurat të bëhen elektronike, duke rikthyer kështu rolin e mjekut të familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë fletë libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët do të marrin shërbim e duhur dhe mjeku do shfrytëzojë kohën për të vizituar pacientët. Karta do të shërbejë edhe për identifikimin e personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Në këto kushte, karta e shëndetit është dokumenti që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar dhe përfiton shërbimet shëndetësore pa pagesë.

“Karta do të jetë personale dhe e patjetërsueshme dhe shpërndahet pa asnjë pagesë apo tarifë shërbimi. Për t’u pajisur me kartë shëndeti, personat e siguruar duhet të paraqiten pranë pikave të shpërndarjes së kartës së shëndetit me dokumente përkatëse të kërkuara”, thekson Beci. Ndërkohë që më parë duhet të kenë plotësuar formularin përkatës pranë mjekut të familjes. Për t’u pajisur me kartën kërkohet dokumentacioni identifikues sipas kategorive të përcaktuara. Shtetasit shqiptarë duhet të kenë kartën e identitetit, për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, në mungesë të kartës së identitetit, paraqitet certifikata e gjendjes civile ose pasaporta, të cilat janë dokumente që përmbajnë numrin personal të identitetit. Për shtetasit e huaj kërkohet leja e qëndrimit ose leja provizore e qëndrimit e lëshuar nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.

Dokumente të tjera që duhet të dorëzojnë dy kategoritë e mësipërme janë edhe vërtetimi i regjistrimit pranë mjekut të familjes ku personi ndiqet, si dhe dokumentacionin që vërteton kategorinë përfituese dhe afatin e përfitimit, së bashku me kërkesën për t‘u pajisur me kartë shëndeti.

Përmbajtja e kartës

Karta e shëndetit përmban këto të dhëna: “Emrin, mbiemrin, gjininë, ditëlindjen, numrin personal të identifikimit ose numrin e lejes së qëndrimit (tekst dhe kod me shirita), kodin e pacientit, qendrën shëndetësore dhe mjekun ku është i regjistruar personi, emrin, mbiemrin dhe nënshkrimin e shpërndarësit të kartës së shëndetit, datën dhe orën e printimit të kartës, vulën e institucionit që ka lëshuar kartën, me emrin e institucionit dhe tekstin “Regjistri i të siguruarve”. Autoritet e Fondit sqarojnë se kanë të drejtë që të pajisen me kartë shëndeti të gjithë ata persona që kanë një librezë shëndetësore të vlefshme, të cilët mund ta zëvendësojnë me kartën e re. Por, ky nuk është i vetmi rast për të përfituar kartën shëndetësore. Më konkretisht, pajisja me kartë shëndeti bëhet edhe në rastet kur: “ Personi i siguruar nuk ka librezë shëndetësore, personi i siguruar ka librezë shëndetësore të vlefshme, personi i siguruar ka humbur ose ka dëmtuar librezën shëndetësore, kur ka një librezë shëndetësore që i ka përfunduar afati i përfitimit sipas kategorisë, si dhe në rastet kur libreza është tejmbushur nga plotësimet e vazhdueshme.

Dokumentacioni për t’u pajisur me kartë shëndeti për 26 kategoritë:

Për të punësuarit: Kërkohet libreza e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Për këtë kategori do të merren në konsideratë edhe shënimet e bëra nga punëdhënësi, për raportet mjekësore që paguhen nga ISSH. Afati i përdorimit të librezës do të jetë 6 muaj nga data e lëshimit.

Të vetëpunësuar: Kjo kategori duhet të dorëzojë librezën e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, me një afat përdorimi deri në 3 muaj nga data e lëshimit.

Sigurim vullnetar: Kërkohet kontrata e lidhur me Fondin e Sigurimeve, si dhe dokumenti që vërteton derdhjen e kontributit vullnetar pranë drejtorisë rajonale të degës së sigurimeve shoqërore.

Fëmijë 0-12 muaj: Për këtë kategori kërkohet certifikatë lindje. Afati i përdorimit do të jetë nga data e lëshimit deri në moshën 12 muaj.

Fëmijë 1-18 vjeç: Duhet të dorëzohet certifikatë lindje, ndërsa afati i përdorimit do të jetë nga data e lëshimit deri në moshën 18 vjeç.

Studentët 18-25 vjeç: Kërkohet karta e identitetit, vërtetim nga universiteti përkatës, brenda ose jashtë vendit (i përkthyer dhe noterizuar për universitetet jashtë vendit). Afati i përdorimit do të jetë 1 vjeçar nga data e lëshimit deri në moshën 25 vjeç.

Kujdestar për invalidët para dhe tetraplegjikë: Në dokumentet që kërkohen duhet të jetë libreza e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Për këto karta përdorimi do të jetë pa afat.

Invalid i plotë: Duhet të dorëzojnë vërtetimin e invaliditeti të marrë nga dega e sigurimeve shoqërore, si dhe librezën e invaliditetit. Përdorimi do të jetë pa afat të përcaktuar.

Invalid i pjesshëm: Vërtetim invaliditeti nga sigurimet shoqërore, si dhe libreza e invaliditetit. Përdorimi do të jetë sipas afateve të përcaktuara në vërtetimin e lëshuar nga këto organe.

Invalid lufte: Kjo kategori duhet të dorëzojë vërtetim invaliditeti nga sigurimet shoqërore, të shoqëruar edhe nga libreza e invaliditetit. Përdorimi do të jetë pa afat të përcaktuar.

Veteran: Dokumentet e kërkuara për këtë kategori janë statusi i veteranit dhe libreza veteranit. Përdorimi i kartës do të jetë pa ndonjë afat të përcaktuar.

Pensionist: Për pensionistët kërkohet libreza pensionit sipas kategorive të Sigurimeve. Edhe për këtë kategori vlefshmëria e dokumentit të dorëzuar do të jetë pa ndonjë afat të përcaktuar.

Pension i parakohshëm, i pjesshëm dhe i reduktuar: Në të gjitha këto raste aplikuesit duhet të dorëzojnë librezën e pensionit sipas kategorive të sigurimeve shoqërore ku bëjnë pjesë.

Person pa pension pleqërie: Për këtë kategori nevojitet dorëzimi i kartës së identitetit, ose certifikata e gjendjes civile që vërteton moshën mbi 65 vjet për burrat dhe mbi 60 vjet për femrat.

I verbër: Duhet të dorëzohet libreza përkatëse e lëshuar nga drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, ose Vendim i Komisionit të Verbërisë. Lidhur me përdorimin sqarohet se për këtë kategori dokumenti i pajisjes me kartë do të përdoret sipas fateve të përcaktuara në librezën e lëshuar nga komisioni.

Jetim: Kërkohet libreza përkatëse e lëshuar nga drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror që vërteton statusin e jetimit. Afati i përdorimit do të jetë sipas përcaktimeve kohore të bëra në librezë, por jo përtej moshës 25 vjeçare.

Përfituese e lejes së lindjes: Dokumenti që kërkohet në këtë rast konfirmohet sipas shënimit të punëdhënësit në librezën e kontributeve dhe përdorimi do të jetë po sipas afateve të librezës.

Gratë shtatzana: Kërkohet vërtetim i konsultorit shëndetësor për periudhën e shtatzënisë. Përdorimi do të jetë me afat sipas përcaktimeve të bëra në përmbajtjen e vërtetimit të lëshuar nga konsultori.

Person me aftësi të kufizuar: Kërkohet vendimi i komisionit që ka faktuar aftësinë e kufizuar të aplikuesit, sipas afateve të përcaktuara.

Person që trajtohet me ndihmë ekonomike: Kërkohet vërtetim nga njësia e pushtetit vendor për personat e familjes që përfiton ndihmën ekonomike. Do të jetë me afat 3 mujor nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.

I papunë punëkërkues: Kërkohet kartela personale e punëkërkuesit të papunë, lëshuar nga zyra rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Afati i përdorimit 3-mujor nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.

I sëmurë me Ca: Përgjigja e konsultës së specializuar që vërteton diagnozën. Përdorimi do të jetë njëvjeçar nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.

I sëmurë me TBC: Kërkohet përgjigja e konsultës së specializuar që vërteton diagnozën. Afati i përdorimit do të jetë një vjeçar nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.

Azilkërkues: Kërkohet leje qëndrimi për të huajt, nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin. Afati i përdorimit nga data e lëshimit deri në afatin e qëndrimit sipas përcaktimit në lejen e qëndrimit.

Viktima të trafikimit: Kërkohet vërtetim nga strukturat e Ministria e Brendshme. Afati i përdorimit do të jetë një vjeçar nga data e lëshimit të vërtetimit.

Raste të veçanta: Në kategorinë e rasteve të veçanta përfshihen: “Skleroza multiple, talasemia major, deficiti i hormonit të rritjes, gjendjet post-transplantit renal, aplazia modulare”. Për këto kategori kërkohet përgjigja e konsultës së specializuar që vërteton diagnozën. Afati i përdorimit do të jetë një vjeçar nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.