Është përherë e gjallë, e suksesshme, e buzëqeshur, elegante dhe, padyshim, një femër shumë e bukur. Të gjitha këto do ti kishte dëshirë çdo femër. Por, Gentës ia kanë dhuruar shumë prej tyre, dhe për shumë të tjera “lufton” që t’i mbajë, t’i kultivojë e përmirësojë në përditshmëri. Bukuria nuk mjafton dhe jeta i kërkon yllit të muzikës shqiptare që të jetë sa më aktive dhe plot energji. Për këtë ajo ka ndërtuar një praktikë jete, të cilën na e ka rrëfyer me shumë sinqeritet në këtë bisedë ekskluzive me ne. Palestra, ushqimi dhe rregulli në përditshmëri janë tri sekretet e Gentës. Ajo e di se kur e shkel me ushqimin, apo gjumin, apo kur i duhet që të kufizojë veten nga gjërat me të cilat na josh jeta.
Pop-star-i shqiptar flet për shumë gjëra, por këshillat e saj janë tejet të veçanta. “Të ushqeheni shëndetshëm dhe me orar; të bëni palestër, të keni gjumë të rregullt, të lexoni, të jeni sa më aktivë.”, – thotë Genta për “Shëndet Plus”. Sipas saj, këtu është edhe lidhja reciproke për një jetë plot energji”.
Genta! Teksa ju shohim ju me mamanë tuaj, na kujtohet shprehja e modifikuar disi: “Bëmë mama të të ngjaj”. Çfarë keni trashëguar nga prindërit tuaj (mamaja dhe babai) në aspektin fizik, dhe vlera shpirtërore?
Ajo thënië është e vërtetë; kam trashëguar shumë gjëra nga prindërit si në aspektin fizik, ashtu dhe në atë shpirtëror, edukata familjare ka një ndikim të madh në personalitetin e pasardhësve dhe unë jam e lumtur që kam trashëguar këtë.
Ju shohim me çantë në krah shpeshherë. A shkoni në palestër rregullisht? Si ndiheni pas palestrës? Çfarë ndjeni?
Në palestër shkoj rregullisht dhe për mua dhe çdo njeri besoj që është shumë e domosdoshme; normal që pas saj ndihem gati për të filluar një ditë të mbarë e të shëndetshme në punë me plot energji dhe kreativitet.
Çfarë vendi zë ushqimi në përditshmërinë tuaj? Mbani dietë? Keni ndonjë preferencë; përshembull, jeni vegjeteriane, preferoni produktet e detit, frutat, apo?
Mundohem të rri larg gjërave që më shkaktojnë dëme në shëndet; flas për ushqime jo të preferuara për shëndetin në përgjithesi: Nuk kam ndonjë dietë të caktuar. Por mëngjesin dhe drekën i kam me orar të caktuar, ndërsa në mbrëmje mundohen të ushqehem me diçka të lehtë. Preferoj çajin e jeshil, i cili është shumë i mirë për trupin e njeriut.
A mendoni ndonjëherë për kaloritë e tepërta që merrni gjatë ushqimit? Si e mbani veten nën kontroll, nëse?
Gjithnjë mendoj që kaloritë e tepërta të mos jenë pjesë e ushqimit tim; por, ka raste që nuk mund ta kontrolloj oreksin në momente të caktuara për diçka që më pëlqen jashtë mase dhe pastaj e “dënoj” pak veten që të punoj më shumë në palestër. Pastaj kthehem menjëherë në normalitet për të qenë në nivelin e duhur.
A ju kanë shqetësuar ndonjëherë kilet e tepërta? Si keni vepruar në ato momente? A keni ndonje gjë që mund të ndani me lexuesit?
Po. Është e natyrshme që në momente të caktuara të përballem edhe me problemin e kileve të tepërta. Por, siç e thashë më lart, palestra, ushqimi i shëndetshëm dhe rregulli ditore janë ato që ma largojnë këtë “shqetësim”.
Stresi është konsideruar sot si shkaktar i të gjitha sëmundjeve. Është sëmundja moderne. Çfarë bëni tjetër që të mbani veten çdo moment larg stresit?
Të them të drejtën kjo është një pjesë shqetësuese për njerëzit gjatë këtyre kohëve të fundit. Unë mendoj se kjo mund të largohet me mendje të pastër dhe vullnet të mirë për kohën në vazhdim.
Sa ndikojnë muzika dhe kërcimi në aspektin tuaj fiziologjik; në gjendjen tuaj fizike dhe shëndetësore?
Ndikimi është pozitiv natyrisht. Dhe është thuajse pjesë aktive për një gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore. Gjithashtu, do të thosha edhe për gjendjen emeocionale.
Të kalojmë te estetika. Në përditshmëri jeni po aq ekspresive sa edhe në skenë. Por në skenë bëni ndryshim nga një moment në tjetrin. Çfarë vendi zë në përditshmërinë tuaj përkujdesja estetike ndaj vetes? A keni ndonjë këshillë apo mesazh për femrat shqiptare sot?
Estetika është shumë e rëndësishme të mbahet në mënyrën e duhur, me produktet e duhura, sa më natyrale dhe të thjeshta. Ky është mesazhi im për të gjithë.
Edhe diçka tjetër. Botoksi ka hyrë gjithnjë në përdorim në estetikë. A mendoni se duhet përdorur botoksi dhe në cilat raste?
Për të gjithë ata që kanë nevojë për të nuk e shoh të arsyeshëm të mos e përdorin, por, padyshim, jo duke e tepruar.
Të kalojmë në një detaj tjetër. Si i keni marrëdhëniet me doktorin? A keni doktor personal?
Marrëdhëniet i kam shumë të mira në aspektin e mosneglizhencës. Nëse kam nevojë për të, e vizitoj.
Po raportet tuaja me sëmundjen? A ju ka ndodhur të kaloni momente të vështira ndonjëherë? Nëse mund të ndani ndonjë gjë me lexuesit tanë, sesi sillet Genta kur nuk është mirë me shëndet?
Ka pasur momente, si tek të gjithë. Por unë jam prap aktive dhe nëse nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam prej asaj kategorisë që shtrihen apo e luftojnë me mënyra të ndryshme.
Cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Shëndet Plus” dhe për të gjithë shqiptarët në aspektin e përkujdesjes dhe edukatës shëndetësore?
Të ushqeheni shëndetshëm dhe me orar; të bëni palestër, të keni gjumë të rregullt, të lexoni, të jeni sa më aktivë. Të gjitha këto bashkë do të kenë një lidhje reciproke për një jetë plot energji.
THA…..
GJIMNASTIKA
Në palestër shkoj rregullisht dhe për mua dhe çdo njeri besoj që është shumë e domosdoshme
USHQIMI
Nuk kam ndonjë dietë të caktuar. Por mëngjesin dhe drekën i kam me orar të caktuar
KALORITË
Ka raste që nuk mund ta kontrolloj oreksin në momente të caktuara për diçka që më pëlqen jashtë mase dhe pastaj e “dënoj” pak veten
ESTETIKA
Estetika është shumë e rëndësishme të mbahet në mënyrën e duhur, me produktet e duhura, sa më natyrale dhe të thjeshta
MESAZHI
Të ushqeheni shëndetshëm dhe me orar; të bëni palestër, të keni gjumë të rregullt, të lexoni, të jeni sa më aktivë
