marin-orhanasi-1

Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta

Në Shqipëri njerëzit e shfrytëzojnë njëri – tjetrin në mënyrën më vrastare të mundshme. Kjo është e vërteta e hidhur e Marin Orhanasit për jetën në vendin tonë. Në një bisedë për gazetën “Shëndet+” ai nuk ngurron të thotë gjërat që i kanë lënë shije të keqe në rrugëtimin e ditëve të veta. Aktori i mirënjohur rrëfen kënaqësinë e pafund që i jep skena, rolet që luan, sakrificat për të ecur përpara dhe, siç mund ta bëjë vetëm ai, të gjitha të hidhurat shoqërohen me batutë humori, për t’i dhënë një shije që të mbahet mend.

Nëse do të të duhej të bëje një paralelizëm të fjalës “shëndet”, cili do të ishte?

Pa diskutim, ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik. Le të themi që gjithçka nis nga ushqimi. Ushqimet bimore me ngjyra janë ushqimet më të mira, madje edhe luftuese të sëmundjes së kancerit, thonë shkencëtarët. Pastaj, aktiviteti fizik. Nuk them bëni 10.000 hapa në ditë, por një ushtrim fizik është i domosdoshëm. Dhe së fundmi paratë. Paratë janë shëndet  (qesh)!

I beson shprehjes “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”?

Mendoj se duhet të jesh mirë me shëndet që të kesh rendiment të lartë. Nga përvoja e di se kur nuk je i shëndoshë fizikisht, edhe mendja nuk punon mirë. Sigurisht, ka pasur raste që kam dalë në skenë edhe me temperaturë 40 dhe kam bërë një performancë të shkëlqyer. Por unë e di ç’kam hequr që ju mos ta vini re se nuk jam ndier mirë, paçka se deri diku dallohet, pasi kam pasur sytë e kuq, zërin të ndryshuar. Gjithsesi, ne aktorët kemi një rregull të pashkruar: Shfaqjen e ndalon vetëm Zoti, sëmundja asnjëherë! (qesh).

marin-orhanasi-5

Marin, je përballur ndonjëherë me spitalet dhe a ke përfituar nga të qenit i famshëm?

Jam përballur dhe kam bërë gati tre ndërhyrje. Me këtë rast do të thoja diçka për spitalet private, që kanë një hoteleri të mirë, por jo detyrimisht edhe mjek të tillë. Kur shkova një herë për të bërë ndërhyrjen në një spital privat, pagova hotelerinë (qëndrimin) sikur po rrija në Sharm el Sheik. Madje, më premtuan suitë, e cila ishte prishja e murit midis dy dhomave dhe shtimi i një palë kolltuqeve. Kjo ishte suita. Nga ana tjetër, më diagnostikuan me lloj-lloj sëmundjesh. Pastaj, pasi konstatuan një problem tjetër, i harruan gjithë diagnostifikimet e mëparshme. Kam parë që spitalet private kanë tendencën të mos të të nxjerrin nga spitali pa të të diagnostikuar me një sëmundje.

Për të gjitha këto arsye, këmbëngul se mjekësia jonë jo vetëm lë për të dëshiruar, por në 85% të rasteve është katastrofikisht keq. Mua janë të prirur të më ndihmojnë, se më njohin, por personat e tjerë?! Për të mos folur pastaj për mjekësinë jashtë Tirane, që janë kasapë, thertore.

Së fundmi kam dëgjuar që pajisjet në spital i sterilizojnë dhe i riambalazhojnë duke i rivënë në përdorim. Bën mirë që qoftë qeveria aktuale, qoftë ajo e kaluara të mos hapin gojën e të thonë se kanë bërë ndonjë gjë për mjekësinë. Në Shqipëri njerëzit i ruan Zoti!

Po nëse një ditë do të bëheshe ministër Shëndetësie (asnjëherë nuk i dihet), çfarë do t’i ndryshoje shëndetësisë në Shqipëri?

Nuk kam qenë kurrë ministër dhe as nuk aspiroj për t’u bërë i tillë, por ajo që mendoj është shumë e thjeshtë. Nëse ke thënë që shëndetësia do të jetë falas, bëje falas. Dhe nuk ka nevojë të marrësh tendera 8,5 milionë euro për jastëk e çarçafë, me 4 milionë prej të cilave mund t’i ndërrosh çdo ditë  dhe të vazhdojnë të zgjasin 4 vite. Nuk jam paragjykues, por mendoj se duhet nisur nga QSUT-ja (qendra më e madhe e shëndetësisë ku zbarkon gjithë Shqipëria). Duhet ndryshuar nga A-ja te ZH-ja. Atje mikrobi të tërheq batanijen. Me mjekësinë shqiptare mund të them se është më e vështirë të jetosh sesa të vdesësh.

marin-orhanasi-6

Le të dalim nga kjo atmosferë pyetjesh… Ti je një nga veteranët e Portokallisë? Cili ka qenë roli që ke dashur më shumë në atë skenë?

Jam më i vjetri atje (qesh). Të them të drejtën, i dua të gjitha rolet që kam luajtur. Për momentin, jam shumë i dashuruar me motoristin, sepse edhe tematika është shumë interesante. Gjej rastin të përmend dhe regjisorin tonë, i cili nuk vë në skenë asnjë numër pa tematikë. Ky është edhe një nga sekretet e Portokallisë, diçka që e mban shumë fort këtë spektakël.

Ne gjatë gjithë javës merremi me problemet apo ngjarjet që ndodhin në vend dhe mbi to krijojmë humorin. Motoristi, rolin e të cilit kam momentalisht, flet për mënyrën se si qarkullohet në Shqipëri. Është një nga ata qeflinjtë e motorëve dhe ka qejf shpejtësinë si shumica e njerëzve këtu. Fatkeqësisht tek ne nuk ka qarkullim, ka xhungël. Madje, edhe këmbësorët janë problem më vete.

(Ndërsa zhvillohej intervista, u dëgjua një frenim shumë i fortë makine. Në kryqëzim, një makinë për pak sa nuk shtypi një këmbësor) Ja, çfarë po thonim për qarkullimin…

Për t’u kthyer tek rolet e mia, do të veçoja dy: “Surviver”, që pasi dëgjoi Kryeministrin se “truri i kombit” duhet të kthehet pas studimeve jashtë shtetit dhe të punojë për vendin e vet, u rikthyer. Kontakti i parë në Shqipëri ishte me Kryeministrin, i cili pasi e takon i thotë: “Duket sa tru paske që je kthyer”. Dhe filmi mbaron këtu.

Një personazh tjetër ishte endërrimtari, ironia e të cilit shkon përtej asaj që kuptojnë njerëzit. Ndërkohë, unë thoja: “Do të doja që gjithë Shqipëria të ishte si Surreli, do të doja që Kryeministri ynë të ketë shtëpi në çdo lagje, sepse ku ka shtëpinë Kryeministri, gjithçka është mirë (qesh).

Përgjithësisht jam i prirur tek humori intelektual, mbase i ndikuar edhe pak nga teatri, pasi komedia e ka efektin kur spektatori bëhet pjesë e asaj që ndodh.

marin-orhanasi-2

Një artist i angazhuar si në teatër edhe në role të ndryshme në spektaklin e përjavshëm Portokalli, e ka ndjerë ndonjëherë nevojën për të hequr dorë nga puna, sepse të merr dhe kohën që ia dedikon familjes?

Është e vërtetë që unë ha kohë nga familja, por ne kemi rënë dakord që unë këtë punë bëj. Dhe sidomos kur bëhet fjalë për teatrin, pa të cilin nuk jetoj dot. Unë çdo vit bëj 2-3 premiera në teatër. I dua të dyja njëlloj si teatrin, edhe Portokallinë. Madje, së fundmi kam luajtur një film dhe mesazhet falënderuese të regjisorëve dhe producentëve kanë qenë shpërblimi më i madh që kam marrë.

Kam qenë edhe një nga dubluesit e parë të filmave për fëmijë, të dokumentarëve të cilat kanë shkuar në Kosovë dhe diasporë.

Dua të them se vërtet i ha pak kohë familjes, por familja ime është e pranishme në teatër, Portokalli, kudo ku jam, për faktin se jam gjatë gjithë kohës në punë. Madje edhe të dielën jam i zënë duke menduar çfarë do të them të hënën.

Të dielave në darkë të ndodh ndonjëherë të bëhesh kritik ndaj vetes? Apo thjesht shijon produktin e punës tënde?

Përgjithësisht e shoh veten me sy kritik gjithmonë. “Mossss, kam harruar pa thënë këtë! Po sikur të kisha thënë më mirë atë fjalinë tjetër, të kisha reaguar ndryshe?” Madje, edhe kur numri ekzekutohet perfekt, unë këtë punë kam… Dhe jo vetëm unë, por shumica e aktorëve.

Sigurisht që ka numra që kanë shkuar aq mirë, sa ti e shijon në maksimum.

marin-orhanasi-3

Ke një djalë i cili festoi 7-vjetorin para disa javësh. Do të doje që yt bir të ndiqte hapat e tua?

Djali im ka të dhëna shumë të mira për këtë punë, është aktor i lindur. Unë nuk ia uroj të ketë profesionin tim, sepse unë kam vuajtur shumë. Është profesion shumë i vështirë. Me pak fjalë procesi që ne ndjekim në portokalli: Mblidhemi të hënën, diskutojmë të gjithë për të gjithë, për idetë që kemi, shumica prej nesh i shkruajnë vetë dhe kjo është më e vështirë se sa thjesht interpretimi.  Ose kur na kap e qeshura në skenë, ndodh sepse dikush ka harruar dhe ka improvizuar diçka tjetër për momentin (qesh) sigurisht kjo dëshmon se është dhe spektakël komod, sportiv.

Bashkëshortja ime i thotë shpesh djalit duhet të bëhesh doktor. “Parimisht po, – i thotë djali, – sepse shpëtoj jetë njerëzish, fitoj dhe para” (qesh). Madje, shoh që gjen profesione që kanë të bëjnë me paranë, jurist, diplomat (qesh).

Të them të drejtën, kur të mbushë një moshë të caktuar do të përpiqem ta çoj me studime jashtë, pasi shkollat këtu më duken katastrofë.

Kolegët e tu të portokallisë i bënë një video-mesazh shumë të bukur për ditëlindje. Si e priti?

Ishte një ditëlindje e veçantë. Iu bë qejfi pamasë. Donte të takonte dhe Noizyn, por kishte fikur telefonin edhe u mërzit (qesh).

marin-orhanasi-7

Je njeri pesimist apo optimist?

Përgjithësisht jam optimist. Këtë përpiqem t’ua reflektoj edhe të tjerëve, por Shqipëria është vend që të bën menjëherë pesimist. Padrejtësia tek ne është njësoj si duhet të ishte drejtësia në një vend normal. Është çudi e madhe të jesh i drejtë. Ne e shfrytëzojmë njëri – tjetrin në mënyrën më vrastare të mundshme dhe kjo është gjëja më e shëmtuar.

Shoh që konsumon duhan. Si e ke marrëdhënien me të?

Unë kam 22 vite që pi duhan dhe duhani në Shqipëri është më i keqi që ekziston dhe këtë e kam parë me sytë e mi kur kam qenë në Zvicër (ku përgatitet duhani që shitet në vendin tonë). Mënyra se si ambalazhohet duhani për shqiptarët, ndryshon nga Italia me Greqinë, dhe këto të dyja ndryshojnë nga mënyra si prodhohet për Gjermaninë. Maqedonia, Serbia, Kosova ishin më ndryshe, ne as që llogariteshim. Brenda në cigare ka gjëra që të bëjnë të varur, jam i bindur për këtë. Kur shkoj jashtë shtetit, më ndodh të pi cigare më pak sesa këtu dhe të një cilësie më të mirë.

Fakti që konsumon duhan për vite të tëra, të ka sjellë probleme me shëndetin?

Deri tani jo. Sigurisht që ndiej një lodhje, se dhe pesha bën të vetën. Por nëse do të bija disa kile nga pesha (ashtu si rashë para disa kohësh për shkak të rolit tim në shfaqen Amadeus, 16 kile madje brenda muajit), mbase do të ishte më mirë për shëndetin. Duhet të them edhe se jam i ndërgjegjshëm që nuk duhet të pi duhan.

marin-orhanasi-11

Bën aktivitet fizik? Palestër?

Shumë pak. Vjet deri në Kashar (në punë) ikja me biçikletë. Kam 12 vite që bëj palestër dhe këtë shëndet të mirë vetëm prej palestrës dhe lëvizjes në këmbë e kam. Tani u bënë vite që lëviz vetëm me makinë. Vjet  fillova të ecja me biçikletë deri në Kashar, ashtu si thashë më sipër, por e ndërpreva.

Pse e ndërpreve?

Më vodhën biçikletën (qesh). Edhe erdhën e vodhën në kat të pestë… Të paparë! Nuk kishin as dorën e mbarë, se mu’ prish makina më vonë (qesh).

Cila është këshilla që e jep te gjithkush?

Unë jam tip besimtar, besoj tek Zoti dhe e shpreh këtë fakt. Duke qenë kështu, urimi im është besim dhe shëndet të mirë. Dhe e fundit, bëni punën që doni. Gjeni punën që dini të bëni më mirë dhe s’keni për të punuar kurrë…