Arbi Fortuzi

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të mërkurën parimisht projektligjin “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”, të propozuar nga Ministria e Brendshme me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

polic 2

Projektligji, që ka synim kryesor të ofroj sigurim shëndetësor të veçantë për rreth 500 punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Forcave me rrezikshmëri të lartë, si Forcat “RENEA”, apo “FNSH”, u shoqërua me diskutime nga anëtarët e komisionit lidhur me kostot dhe modalitet e jetësimit të këtij projekti.

-Zv/ Ministrja e Brendshme tha se në Pr/ligjin e paraqitur janë marrë parasysh të gjitha ndryshimet e kërkuara nga deputetët e të gjitha palëve. “Projektligji ka në fokus atë pjesë të Policisë së Shtetit që ka rrezikshmërinë më të lartë. Kontraktimi i një kompanie e cila do të menaxhonte trajtimin shëndetësor të këtij grupi policësh është një e mirë që duhet të na bashkoj të gjithëve. Kosto e realizimit të këtij projekti është 90 mijë dollar, apo 9 240 000 lekë, mesatarisht 18 500 lekë për person, që është një kosto shumë herë më e vogël se ajo që paguan aktualisht shteti shqiptar për këto shërbime”, theksoi Gjebrea.

-Ministri i Shëndetësisë nga krahu tjetër prezantoi ndryshimet që janë parashikuar në pjesën e kontrollit falas për këtë kategori personash.

“Kjo kompani që do ofroj policën e sigurimit për çdo punonjës të strukturave speciale operacionale, do të mbuloj shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostifikimin dhe kurimin, të ofruara sipas rasteve nga institucione shëndetësore brenda dhe jashtë vendit. Sa i takon parandalimit, Beqja, tha se në këtë kategori do të përfshihet Check-up vjetor për çdo punonjës policie, pra analiza e gjakut, provat e zemrës dhe respiratorë, në këtë grup do të kenë shërbime falas të gjitha ata shtetas që janë mbi 40 vjeç”, theksoi Ministri i Shëndetësisë.

Sa i takon, diagnostifikimin, Beqja tha se në këtë kategori janë parashikuar si kontrolle ECO barku dhe zemre, Rezonancë manjetike apo PET skaneri, ndërsa sa i takon Kurimit, është parashikuar Transporti me avion sanitar dhe Trajtimi në institucionet shëndetësorë jashtë vendit deri në riaftësim”, përfundoi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Sqarimi i përfaqësuesve të qeverisë nuk ka mjaftuar për të qartësuar deputetët e opozitës. Deputeti i Partisë Demokratike, ish-Ministër i financave, Ridvan Bode e vlerësoi si të pavlefshëm pr/ligjin, pasi sipas tij në vendin tonë është Fondi i sigurimeve shëndetësore që ka në tagrat e tij nënshkrimin e marrëveshjeve shëndetësore, prandaj ish-Ministri i Financave propozoi kthimin mbrapsht të pr/ligjit dhe ngritjen e një diskutimi mbi zgjerimin e kompetencave të Fondit të sigurimeve shëndetësore.

Deputeti i Partisë Demokratike, Shehfredin Shehu nga krahu tjetër ngriti shqetësim mbi shtresën e policëve të përfshirë në këtë projektligj. Sipas Shehut, në vendin tonë ka edhe grupe të tjera të cilat kanë nevojë për këtë vëmendje, kështu ai risolli në vëmendje ushtrinë apo punonjësit e tjerë të policisë(qarkullimi rrugor, etj) të cilët përballen çdo ditë me fenomene kriminale.

Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Stërkaj nga krahu tjetër vuri në dukje se një pr/ligj i tillë është shumë i rëndësishëm për shëndetin e policëve, edhe pse sipas tij duhet parë në sy realiteti.

“Sot jetojmë në një vend ku njerëzit vriten për një gërvishtje në makinë vriten dhe kjo pasi siguracionet nuk garantojnë dëmshpërblime financiare dhe kjo për rrjedhoi të boshllëqeve të lëna nga qeveria e shkuar, prandaj kush na garanton që kjo kompani që do vi e do siguroj këto punonjës yë policisë nuk do jenë një “film i parë” për ne dhe e dyta, tha Stërkaj, vlera prej 90 mijë dollarësh është mjaft e vogël, vetëm për një polic transporti i kualifikuar jashtë vendit kushton mbi 50% të kësaj vlere”, përfundoi Stërkaj.

Të njëjtën qasje në komision pati edhe deputeti i Partisë Lëviza për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili tha se një iniciativë e tillë duhet përgëzuar për vlerën që sjell në shoqëri, por duhen pranuar edhe defektet. “Nëse duam të ndërtojmë një shtëpi të mirë, duhet themeli i mirë dhe themeli kërkon investim, prandaj them se 90 mijë euroshi i parashikuar nga qeveria për këtë pr/ligj është shumë i vogël. Duket sikur qeveria, tha Shehi, kërkon “të lajë duart” me këtë kategori punonjësish, pranda shtoi ai hajde ta ndreqim këtë pr/ligj dhe do jem unë i pari që do luftoj për një pr/ligj të tillë kur themeli i shtëpisë të jetë garant i jetëgjatësisë së shtëpisë dhe qytetarëve që janë pjesë e saj”.

Lidhur me shqetësimet e Deputetëve, Zv/ Ministrja e Brendshme theksoi se kosto e parashikuar nuk është diktuar nga dëshira e ministrisë në fjalë, por nga një monitorim i kujdesshëm në tregun e sigurimit. “Sa i takon implementimit të tij kompania e sigurimit do të zgjidhet me një tender transparent, që do të plotësoj të gjitha kushtet që Ministritë Përgjegjëse do të vendosin”, garantoj Zv/Ministrja Gjebrea.

Ministri i Shëndetësisë nga krahu tjetër garantoj mbështetje të plotë për këtë pr/ligj. “Ne mendojmë se ky pr/ligj duhet të kaloj në parlament pasi ofron një shërbim modern dhe cilësor, gjë që nuk e ka bërë në vitet e shkuara shteti shqiptar”, theksoi Beqja.

Relatori i çështjes, Pjerin Ndreu në përfundim të diskutimeve propozoi të votohej pozitivisht ky pr/ligj dhe ti kalohet për shqyrtimin final komisionit përgjegjës, Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, më tej hodhi në votimi pr/ligjin, i cili u votua pozitivisht edhe nga maxhoranca edhe nga opozita.

Çfarë parashikon Pr/ligji në fjalë:

Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit përfitojnë kujdes shëndetësor të veçantë, me qëllim diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre.

Projektligji “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”, ka si qëllim trajtimin e veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit, në mënyrë që këta punonjës të përfitojnë një kujdes shëndetësor të veçantë, me qëllim diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre.

Në draftin e dorëzuar në Parlament nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Brendshme dhe që pritet të merret në shqyrtim nga komisioni përkatës në kuvend, thuhet se strukturat speciale operacionale të Policisë së Shtetit kanë për mision kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të policisë, ekzekutimi i të cilave kërkon personel të përgatitur e të pajisur në mënyrë të posaçme, si dhe dhënien e ndihmës në rastet e emergjencave civile e të aksidenteve për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Në këto struktura përfshihen komisariati “RENEA”, Komisariati i Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe forca të tjera të Policisë së Shtetit që kanë një natyrë të ngjashme pune me to.

Duke u nisur nga kjo pikë në Draft kërkohet që, strukturat speciale operacionale të Policisë së Shtetit, duke qenë se janë strukturë me status të veçantë dhe si të tilla duhet të kenë një trajtim të veçantë të kujdesit shëndetësor, të ofruar nga shoqëria e sigurimit, e cila do të ofrojë policën e sigurimit për çdo punonjës të strukturave speciale operacionale.

Siguruesi do të marrë përsipër të rimbursojë në masën 100% shpenzimet e shërbimeve spitalore si pacient i brendshëm dhe që përkojnë, si më poshtë:

– Dhoma dhe ushqimi.

– Pagesa e transportit me ambulancë në rast aksidenti nga vendi i ndodhjes së aksidentit deri në spital.

– Shpenzimet për pagesën e mjekut specialist, kirurgut, anestezistit.

– Përdorimi i pajisjeve dhe i aparaturave të sallës së operacionit.

– Teste diagnostikuese, përfshirë patologjitë, ekzaminimet me RXT, CT skaner, MRI skaner, PET skaner, kujdesi intensiv.

– Ilaçet dhe medikamentet mjekësore për përdorim në spital.

– Check – up vjetor për çdo person të siguruar.

Polica e sigurimit për person në vit, mesatarisht, është 18 500 lekë. Kostoja vjetore e sigurimit për kujdes shëndetësor të veçantë në grup për 500 vetë, pjesëtarë të forcave speciale, Pra kosto totale është 9 240 000 lekë.

-Projektligji “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”, është dorëzuar për shqyrtim në kryesin e kuvendit më 30 Dhjetor të 2013-ës dhe pritet shumë shpejt nisja e diskutimeve në Komisionin përkatës. Kërkesa për këtë pr/ligj është paraqitur në Këshillin e Ministrave nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.