Para se të filloni aktivitetin fizik mbani parasysh 4 elemente thelbësore:
- sigurinë,
- elasticitetin,
- rezistencën,
- kënaqësinë
Fillimi i aktivitetit fizik duhet të jetë gradual dhe përzgjedhja e llojit të ushtrimit duhet të jetë e kujdesshme. Lidhur me elasticitetin, është e këshillueshme kryerja e zgjatjes së muskujve në qetësi mbas aktivitetit fizik, në mënyrë që të shmangen dëmtimet apo dhimbjet e muskujve e të ligamenteve, si dhe për të zhvilluar në maksimum lëvizshmërinë e kyçeve të gjymtyrëve, shpinës dhe qafës.
Ndërsa rezistenca ka të bëjë me aftësinë për të vazhduar një aktivitet fizik pa t’u mbajtur fryma, pa pushuar. Sa më e lartë të jetë rezistenca, aq më i mirë është qarkullimi i gjakut, aq më shumë oksigjen shkon në muskujt jetikë të organizmit dhe aq më efikase dhe më të ngadalshme janë rrahjet e zemrës, çka e bën këtë të fundit të durojë më shumë në situata ku stresi është i fortë dhe i gjatë. Prova e rezistencës mund të kryhet me ngjitjen e rreth 20 shkallëve dhe vazhdimin e një dialogu pa t’u mbajtur fryma.
Nëse personi është mbi 50 vjeç, ai duhet të jetë i aftë të vrapojë menjëherë pa iu mbajtur fryma për 2 minuta. Për personat nën 50 vjeç kjo do të duhej të zgjaste 3 minuta. Një indikator i rëndësishëm i rezistencës është pulsi. Maksimumi i pulsit që zemra arrin, është 220 rrahje në minutë, por ky maksimum ulet me një rrahje më pak për çdo vit jete. Pra, për gjetjen e pulsit maksimal duhet hequr nga 220 mosha e personit.
Gjatë aktivitetit fizik pulsi duhet të jetë 70 për qind i pulsit maksimal për moshën e personit. Kujdes, nuk duhet që gjatë ushtrimeve ritmi i zemrës të kalojë pulsin e rekomanduar, pasi jo vetëm që vlera e përftuar do të ishte shumë e ulët, por do të vihej zemra nën një stres të padëshirueshëm! Nëse personi është një pacient që ka angina pektoris, tension të lartë të gjakut, apo merr beta-bllokantë, pulsi i rekomanduar duhet të jetë akoma më i ulët se ai i paraqitur më lart.
Një formulë më e thjeshtë për llogaritjen e pulsit të rekomanduar gjatë aktivitetit fizik është si më poshtë:
200 – mosha e personit – 40 (40 zëvendësohet me 20 kur personi ka arritur formën fizike).
Për shembull, nëse personi është 55 vjeç dhe pa eksperiencë fizike, pulsi i rekomanduar për të do të ishte 200 – 55 – 40 = 105. Që përfitimet të jenë maksimale, aktiviteti fizik duhet konsiderohet si një kënaqësi dhe këshillohet të kryhet në shoqëri, për ta kthyer në një aktivitet social të shëndetshëm dhe të pëlqyeshëm.