Data e hyrjes ne fuqi : 12/12/2014
Propozuar nga : Këshilli i Ministrave
Data e miratimit : 11/26/2014
Statusi : I ndryshuar
Data : 11/26/2014
Numri i fletores zyrtare : 188
Data e fletores zyrtare : 12/12/2014
Faqja e fletores zyrtare : 10441
Numri : 820

 

Fletorja zyrtare : 180 – 189
VENDIM
Nr. 820, datë 26.11.2014
PËR MIRATIMIN E KRITEREVE PËR PËRZGJEDHJEN E PËRGJEGJËSIT TË SHËRBIMIT NË QENDRAT SPITALORE UNIVERSITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 12, të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare drejtohet nga përgjegjësi i shërbimit, i cili përzgjidhet në bazë konkurrimi.
2. Përgjegjësi i shërbimit duhet:
a) të ketë kontribut të veçantë në fushën e shërbimit për të cilën kandidon;
b) të ketë, të paktën, gradën shkencore “Doktor” në fushën përkatëse;
c) të ketë eksperiencë në fushën e mësimdhënies, jo më pak se 5 vjet, dhe eksperiencë në punë klinike, pa ndërprerje, jo më
pak se 10 vjet;
ç) të ketë kryer kërkime dhe botime shkencore, brenda dhe jashtë vendit;
d) të jetë mbi moshën 40 vjeç dhe brenda moshës që lejon mosndërprerjen e mandatit për arsye të daljes në pension pleqërie;
dh) të ketë nënshkruar letrën e angazhimit në detyrë;
e) të mos ketë masa disiplinore në fuqi dhe të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
3. Qendra Spitalore Universitare, përpara fillimit të procesit të përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit, bën publikimin për vendin vakant në faqen zyrtare të internetit. Përzgjedhja e tij/saj bëhet me bazë konkurrimi me dosje. Në dosje duhet të jenë të përfshira: kërkesa për aplikim, letra e angazhimit, CV-ja e kandidatit, dokumenti që provon gradën shkencore të fituar, dokumenti që provon
eksperiencën në punë, ku të vendoset shkalla e njohjes së një gjuhe të huaj të një vendi evropian, materialet që provojnë publikimin e pesë botimeve shkencore jashtë vendit, brenda fushës së shërbimit që do të mbulojë kandidati, mundësisht në revista me faktor impakti, dokumente që tregojnë angazhimin e tij në projekte ndërkombëtare, që kanë sjellë përfitime në specialitetin e shërbimit përkatës dhe një strategji zhvillimi të shërbimit për një periudhë 5- vjeçare.
4. Për vlerësimin e kandidatëve që konkurrojnë për përgjegjës shërbimi ngrihet një komision ad hoc me pesë anëtarë, personalitete
të vendit e të huaja, të njohur për kontributin akademik dhe shkencor në fushën e mjekësisë, dhe veçanërisht të shërbimit përkatës, ose në fushat e klasifikuara nga këshilli i profesorëve të fakultetit si të afërta me të (shërbimin). Kriteret e vlerësimit, afatet e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve, dokumentacioni dhe përbërja e komisionit propozohen nga këshilli i profesorëve të fakultetit dhe miratohen nga bordi i Qendrës Spitalore Universitare. Rektori duhet të shpallë, brenda 10 ditëve nga data e miratimit nga bordi, përbërjen e komisionit ad hoc.
5. Komisioni, pas vlerësimit të dosjes së kandidatëve, kryen një intervistë me gojë, bën renditjen e tyre, përzgjedh dy nga kandidaturat më të mira dhe ia përcjell bordit të Qendrës Spitalore Universitare për të përzgjedhur njërën prej tyre. Kandidaturën e përzgjedhur bordi ia paraqet për emërim drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare.
6. Në rastet kur paraqitet një kandidaturë e vetme, e vlefshme, komisioni ad hoc rihap procesin e konkurrimit, sipas të njëjtave rregullave. Në rast se edhe në përpjekjen e dytë paraqitet një kandidaturë e vetme, e vlefshme, komisioni ad hoc ia paraqet atë për miratim bordit të Qendrës Spitalore Universitare. Bordi, pas miratimit, ia dërgon për emërim drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare.
7. Përgjegjësi i shërbimit drejton shërbimin për 3 vjet. Ai ka të drejtë të rikandidojë për një mandat tjetër.
8. Mandati i përgjegjësit të shërbimit përfundon përpara afatit, në rastet kur ai:
a) jep dorëheqjen nga detyra;
b) dënohet me vendim të formës së prerë, në rastet e kryerjes së një vepre penale; c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni
kompetent mjekësor, sipas ligjit;
ç) nuk realizon treguesit e performancës së kërkuar për shërbimin që përfaqëson;
d) gjendet në një situatë të konfliktit të interesit;
dh) përfshihet në organet drejtuese të një partie politike;
e) në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universiteti i Mjekësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama