Intelektualë të njohur nga të gjitha trevat e Dibrës nderojnë Prof. Dr. Petrit Bara
“Vlerat njerëzore çmohen nga njerëzit e mençur”. Kjo sentencë, bashkudhëtare e historisë së njerëzimit, gjen mishërim të plotë në propozimin e kryebashkiakut demokrat Ilir Krosi dhe në vendimin e këshillit bashkiak të qytetit verilindor për t’i dhënë Prof.Dr.Petrit Barës titullin “Qytetar Nderi i Peshkopisë”. Kurorëzimi i këtij titulli sinjifikativ, propozim edhe i Lidhjes së Intelektualëve të Dibrës, ndodhi gjatë një ceremonie mbresëlënëse që bashkia e Peshkopisë organizoi më 13 mars 2013 në pallatin e kulturës të këtij qyteti. Deputeti demokrat Sherefedin Shehu, kryebashkiakët e Peshkopisë, Ilir Krosi, Bulqizës, Roland Keta e i Dibrës së Madhe, Argëtim Fida, anëtarët e këshillit bashkiak, intelektualë dibranë të të gjitha trevave (mes të cilëve edhe mjeshtri i madh Bujar Kapexhiu) nderuan dekanin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Petrit Bara, i cili demonstron një model të ri sjelljeje dhe përkushtimi ndaj bashkëqytetarëve të vet. Personaliteti dhe karakteri i tij në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos dinjitoz për më shumë se dy dekada në funksion Të zhvillimit dhe modernizimit të shkencave mjekësore. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, si intelektual bashkëkohor demokracinë e konsideronte sfidë ndaj sistemit që u shemb; sfidë në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje. Thelbi i mendimit dhe veprimit të tij ishte vetëm konkurrenca në vlera. Ai besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme. I qetë, i pjekur, shumë i kulturuar nuk pajtohej me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore, por mbante qëndrim. Shpërthyes dhe autoritar në ndëshkimin e tij individual, sepse përherë qëndronte në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit. Kuptohet ai ishte individ dhe jo institucion, por idetë dhe praktika e tij mund t’i shërbenin shumë një institucioni, një misioni. Këto cilësi i manifestoi dukshëm si drejtues i disa bordeve në QSUT, Fakultetin e Mjekësisë dhe si dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Vlerësime
Meritat prej intelektuali, demokrati dhe mjeku shembullor të Petrit Bares u evidentuan më së miri në fjalët përshëndetëse gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Peshkopisë” deputeti i PD-së për rrethin e Dibrës, Sherefedin Shehu, kryebashkiaku i Peshkopisë Ilir Krosi, rektori i Universitetit të Tetoves Vullnet Ahmeti, zv/ministri i Shëndetësisë së Kosovës Kadir Hysenaj, prof.Dr. prof.dr. Xheladin Çeka, kryebashkiku i Bulqizës Roland Keta, i Dibrës së Madhe Argëtim Fida dhe veçanërisht moderatori i ceremonisë, gazetari i mirënjohur Defrim Methasani. Me mjaft interes u ndoq dhe dokumentari kushtuar veprimtarisë shkencore të kardiologut të mirënjohur Petrit Bara, në të cilin Prof.Dr.Nestor Tereska, për afro gjysmë, ore vlerëson maksimalisht aktivitetin e profesorit dibran në sektorin e shërbimit te kardiologjisë si shef i këtij profile kaq te rëndësishëm. Fakulteti i Shkencave Mjekësore që Z.Bara e drejton në dy mandate është më i riu në korpusin e Universitetit të Tiranës, i cili i hapi auditorët e tij në vitin 2002. Në 6 degët e këtij fakulteti janë rreth 2500 studentë. Në shërbim të tyre është një trupë pedagogjike me nivele të ndryshme kualifikimi prej 220 pedagogësh. Kërkesat bashkëkohore, Karta e Bolonjës etj kërkonin që diplomat e nivelit bazë, Bachelor, apo studimet e avancuara master e doktoraturë të paraqiteshin nga një trupë e zgjedhur profesorësh. Kjo bëri që stafi pedagogjik të orientohesh për të adaptuar përvoja nga kurrikulat e institucioneve universitare të vendeve të ndryshme evropiane, si nga Gjermania, Zvicra, Belgjika, Italia etj. Në këtë kuadër ne kemi një partneritet ndërkombëtar bashkëpunimin 6 vjeçar me partnerët nga Gjermania, duke siguruar edhe një marrëdhënie shumë të frytshme kooperimi me Universitetin Halle- Wittenberg-ut. Ky universitet me një histori më shumë se 5 shekullore, është zgjedhur si model për disa nga nëndegët e infermierisë dhe shërbimeve sociale shëndetësore që ofrohen për komunitetin. Duke përballuar sfidat e Reformës Arsimore, në Fakultetin e Infermierisë, janë të ndjeshme efektet e procesit të Bolonjës. Në këtë kuadër përmirësimi i kurrikulave dhe pasurimi i tyre me përvoja të reja, me arritjet më të fundit të shkencës e të teknologjisë mbetet që nga detyrat parësore të stafit pedagogjik, i cili po i realizon ato dita-ditës. Këtu janë evidente infrastruktura e re modern e bashkëkohore si dhe shtimi i numrit te pedagogeve dhe studenteve, studimet për masterat shkencore e doktoraturat. Tashmë nën drejtimin me kompetencë e profesionalizëm të lartë nga Prof.Dr.Bara, fakulteti i Shkencave Mjekësore e ka formuar fizionominë e tij të plotë, solide si një fakultet me struktura e synime të qarta për plotësimin e detyrave sistemit të shëndetësisë me gjashtë lloj diplomash.
Opinioni i Prof, Bares
Prof. Dr. Petrit Bara ndjehet tejet i nderuar si “Qytetar Nderi” i tre qyteteve të njohura në hapësirën mbarëshqiptare: Peshkopisë që është dhe vendlindja e tij, Tetovës dhe Dibrës së Madhe. Nderimin që i kanë bërë këshillat bashkiakë e komunalë të këtyre tre qyteteve e quan të pakrahasueshëm me çfarëdo nderimi tjetër. “Fjalët më mungojnë për të shprehur gjithë mirënjohjen time për këtë. Prej më shumë se një dekade jeta ime u lidh fort me këto qytete, me universitetin Tiranës e Tetovës, me formimin e edukimin, me spitalet e klinikat, me jetën e qytetarëve”, tha Bara. Sipas tij, të jesh “Qytetar Nderi” i Peshkopisë, Bulqizës, Tetovës e Dibrës së Madhe do të thotë të dish të nderosh vlerat më të rëndësishme të këtyre qyteteve të bukur, të mbushur me shqiptari dhe me arsimdashje, të orientuar saktë drejt së resë dhe progresit.
NË VEND TË CV-së
Petrit Bara lindi më 11.01.1952 në Peshkopi. Përveç diplomimit si mjek në Universitetin e Tiranës më 1977, me rezultate të shkëlqyera, kreu specializimet jashtë shtetit për terapi intensive koronare dhe ekokardiografi në Turqi (Ankara), Trafik Hastanesi, 6 muaj (korrik – dhjetor 1992); emergjenca kardiovaskulare, terapi intensive, ekzaminime joinvazive (Holter, Ekokardiografi, Prove ushtrimore) në – Itali ( Bari), Policlinico di Bari (Pergjegjes – Prof. Ritzon) 3 muaj (korrik – tetor 2001) dhe sërish – Itali (Rome), Ospedale Sandro Pertini, shtator 2004. Si njohës në mënyrë perfekte i tre gjuhëve të huaja (anglisht, gjermanisht dhe rusisht), Prof Dr.Petrit Bara, do të udhëheqë ndër vite titujt e projekteve: Hipertensioni arterial dhe komplikacionet e tij – më 1998, si dhe Infarkti akut i miokardit dhe rehabilitimi i tij më 2001. Po ashtu ai njihet në rrethet akademike e shkencore si botues i disa teksteve me vlera të pallogaritshme shkencore, si: Trajtimi farmakologjik i urgjencave kardiovaskulare, Sëmundjet e brendshme, Trajtimi i urgjencave hipertensive (monografi),Statistika – Tekst për shkollat e larta te infermierisë, Shëndeti Publik – Manual për shkollat e larta te Infermierisë, Sëmundjet e brendshme, Fakulteti i Infermierisë dhe Fiziologjia patologjike. Po ashtu Prof.Dr.Petrit Bara, si një nga personalitetet më në zë të kardiologjisë njihet si kryeredaktor i revistës Infermieria dhe mjekësia bashkëkohore (prej 3 vitesh ne vazhdim) dhe si Pedagog pranë Fakultetit te Shkencave te Mjekësisë ne Universitetin Shtetëror te Tetovës, qe nga viti 2003 për lenden e fizio-patologjisë. Në këtë profil punoi me devotshmëri e përkushtim si mjek kardiolog, shef i pavionit të kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës, si pedagog dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Petrit Bara, “Qytetar Nderi” edhe i
Bulqizës, Tetovës e Dibrës së Madhe
Para dy vitesh, në një atmosferë festive ku ishin të pranishëm shumë profesorë nga Maqedonia dhe Shqipëria, drejtorë të Ndërmarrjeve Publike, këshilltarë të kuvendit komunal të Tetovës, drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme, nën patronatin e kryetarit të komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti, është shpallur Qytetar Nderi i Tetovës Prof. Dr. Petrit Bara për kontributin e çmuar dhe fisnik në progresin e diturive shkencore në lëmin e mjekësisë. Kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti pasi përshëndeti të pranishmit u shpreh se themelet e vërteta të shëndetësisë shqiptare i kanë vënë profesionistët e vërtetë të kësaj fushe të cilët me punë, vendosmëri e përkushtim të madh kanë kapur ritmet e shëndetësisë bashkëkohore. “E tillë është figura e Zotit Petrit Bara, i cili përkundër punës së tij të palodhshme në fushën e kardiologjisë, me përkushtim ka kryer misionin e shenjtë të arsimimit të gjeneratave të reja. Si Dekan i Fakultetit të Infermierisë në Universitetin e Tiranës, Zoti Bara ka dhënë kontributin e tij të çmuar për arsimimin e shumë gjeneratave, duke udhëhequr në numër të madh të diplomave universitare, master dhe diplomave të doktoraturës”, tha Bexheti. Një vlerësim të tillë do të bënte për Prof.Dr.Petrit Bara edhe këshilli komunal i Dibrës së Madhe duke I dhënë atij titullin “Qytetar Nderi” të kësaj komune si dhe më 7 mars të këtij viti edhe këshilli i Bashkisë Bulqizë. Kreu i komunës së Dibrës së Madhe, Argëtim Fida do të shprehej se “ për shumë mjek të rinj nga vende të ndryshme, Petrit Bara ka kultivuar format më të reja të mjekësisë. “Për shumë gjenerata ai ka kultivuar frymën e zhvillimit dhe për shumë individë ai ka përcaktuar destinacionin e duhur. Duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi të Dibrës së Madhe” kryekomunari Fida tha se Prof.Dr.Petrit Bara vlerësohet për kontributin e çmuar dhe fisnik në progresin e diturive shkencore në lëmin e mjekësisë”, kryekomunari Fida.
