Profesor Sadik Mema

Profesor Sadik Mema

Te Stela” është thuajse i pari ambjent institucional që e ka organizuar notin në formën e shkollës. Këtu punojnë 6 instruktorë dhe trajnerë profesionistë

Bisedoi: Elona Tereziu

Shpërblimi më i mirë për një kampion mund të jenë medaljet, por nderimet më të veçanta merren atëherë kur të thërrasin profesor. Ai është Sadik Mema, një kampion dhe trajner i suksesshëm. Me një sërë titujsh dhe kualifikimesh, sot drejton një prej klubeve më të suksesshme të notit në vend, siç është Akademia e Notit “Te Stela”.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, profesor Sadiku rrëfen një pjesë nga jeta e tij si sportist, por edhe si trajner. E ndërkohë që flet për sukseset, ai liston dhe një sërë benefitesh që ka ky sport në shëndet.

Profesor Sadiku, një notar i sukseshëm, një trajner i sukseshëm. Si nisi rruga juaj për të arritur gjer këtu?

Unë kam filluar të merem me not që në vitet 68, isha 14 vjeç në atë kohë dhe e nisa me klubin e Dinamos. Do të thoja që ishte një rastësi, por edhe fat. Sebep u bë një shoku im i cili më ftoi ta provoja dhe duke qenë se më pëlqeu, vendosa ta ushtroja vazhdimisht. Shumë shpejt rashë në sy si një notar i mirë, sidomos në stilin delfin dhe u bëra pjesë e ekpit kombëtar. Në vitet ’75, isha i pari lojtar që u dekorova nga Kuvendi Popullor me medaljen “Naim Frashëri” për cilësi në not.

Megjithëse një notar podiumesh, ju e latë karrierën si sportist në një moshë fare të re, për ta vazhduar atë si trajner. Pse kjo zgjedhje?

Po, është e vërtetë. Isha vetëm 26 vjeç në atë kohë, por sporti është sakrificë dhe që të konkurrosh në nivele të larta, duhet të sakrifikosh shumë. Megjithatë, unë nuk u shkëputa asnjëherë nga noti, thjesht zgjodha një mënyrë tjetër për ta ushtruar. Duke qenë se kisha kryer studimet e larta në Institutin e Lartë të Fiskulturës “Vojo Kushi” (Universiteti i Sporteve sot), fillova punë si trajner i të rinjve në klubin e Dinamos ku qëndrova për 4 vjet. Pas kësaj periudhe, në 84-n kalova tek klubi i Tiranës ku qëndrova gjer në 92-shin, para se të merrja edhe postin si sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Notit, ku qëndrova gjer në vitin 2000. Po në këtë vit botova librin tim të parë “Gjimnastika aerobike për të gjithë”.  Tashmë, prej më shumë se 6 vitesh, jam trajner këtu tek Akademia e Notit “Te Stela”.

“Stela” është një ndër ato ekipe që rrëmben pothuajse çdo medalje në gara. Cili është çelësi i këtij suksesi?

“Te Stela” është thuajse i pari ambjent institucional që e ka organizuar notin në formën e shkollës. Këtu punojnë 6 instruktorë dhe trajnerë profesionistë. Ka dy pishina dimërore dhe një të hapur të cilat përmbushin të gjitha parametrat ndërkombëtare përsa i përket përmasave, sigurisë, por dhe higjienës. Kemi rreth 600 notarë që ushtrohen, normal jo të gjithë në nivel kompetetiv, por që vijnë qoftë edhe për të mësuar dhe kjo na jep mundësinë për të seleksionuar. Ne po stërvisim një grup që nesër do të jenë një e ardhme e sigurt.

Si i motivon “Te Stela” kampionët e saj?

Motivimi kryesor janë aktivitetet si brenda, edhe jashtë vendit që, për fat të mirë, janë të shumta. Në Kampionatin Kombëtar të Fëmijeve në mars 2016, ekipi ynë mori pjesë me 36 notarë dhe arritëm të fitojmë vendin e parë për meshkuj dhe për femra. Notarët tanë fituan 80 vende të para, 40 të të dyta dhe 30 të treta. 4 notarë u vlerësuan si notarët më të mirë të grupmoshave të tyre dhe përmirësuan 30 rekorde kombëtare. Janë rezultatet që na bëjnë krenarë neve, fëmijët, por edhe prindërit të cilët sakrifikojnë shumë nga koha e tyre, por dhe shpenzojnë financiarisht që fëmijët të jenë pjesë e këtij sporti.

Sa problematike e shikoni çështjen e mungesës së pishinave dimërore në Shqipëri?

Për të ardhur keq. Ne sot në Shqipëri kemi vetëm katër pishina dimërore, nga të cilat 3 janë në Tiranë dhe një në Durrës. Sigurisht, kjo është një përparësi e madhe për këto qytete, por në pjesën më të madhe të vendit, noti mbetet një sport sezonal. Kjo është një humbje e madhe për vendin tonë, humbje në kapacitete, sepse ne kemi qytete me histori, qytete që kanë kryesuar gjithmonë në not si Shkodra, Vlora apo Saranda. Nuk e di si do të zgjidhet kjo gjë, por gjer tani i është lënë në dorë vetëm biznesit privat.

Mos vallë është pikërisht ky problem që na ka lënë në këtë nivele përsa i përket notit?

Atë që bota e ka bërë 100 vjet më përpara, ne kemi filluar ta bëjmë vetëm nga 7-8 vite. Megjthatë çështja e pishinave është vetëm një element. Sporti i notit është lënë gjithmonë nën nivel në krahasim me sportet e tjera. E them këtë sepse në Universitetin e Sportit ka katedra pothuajse për të gjithë sportet e tjera, duke filluar që nga futbolli, vojejbolli, basketbolli etj, që kanë me dhjetëra specialistë e trajnerë të aftë, ndërsa notit i është lënë një hapësirë dyjavore në formë kursi. Ne kemi notarë shumë të talentuar, të cilët nëse trajtohen siç duhet, mund ta zhvillojnë në këtë sport në nivele kompetitive. Ne kemi Sidni Hoxhën që garon në nivel shumë të lartë dhe krenohemi me të, por do të kishim disa të tillë që për shkak të këtyre problemeve mbeten talente të fshehura.

Çfarë mendoni se duhet bërë për ta përmirësuar këtë gjendje?

Tek ne ka shumë problem, por e para është baza materiale. Krijimi i pishinave në të gjitha qytetet e vendit është i domosdoshëm. Duke marrë parasysh dhe numrin e popullsisë tre pishina në Tiranë (ku Te Stela njihet shumë për ofrimin edhe në dimër të pishinave) janë të pamjaftueshme dhe të papërballueshme dhe këtu duhet marrë parasysh edhe largësia, edhe shpenzimet, fakti që fëmijët duhet të jenë gjithmonë të shoqëruar nga prindërit, sepse nuk mund të lëvizin vetëm 7-8 km sa është distanca nga këtu. Nëse do të kishim pishina dimërore edhe në qytete të tjera, do të kishim shumë më tepër talente, bazuar gjithmonë tek numri i pjesëmarrësve.

Cilat janë benefitet  e të marrit me not?

Noti konsiderohet si sporti i shëndetit dhe bukurisë fizike. Është sport ku marrin pjesë të gjithë muskujt e trupit dhe krijon premisa për një zhvillim harmonik. Është i përjashtuar nga traumat dhe kryhet ndryshe nga të gjithë sportet e tjera, sepse qëndrimi është horizontal dhe në një mjedis me intensitet shumë të madh, 700 herë më shumë se ajri. Personat që merren me not, kanë një sistem kardiovaskular dhe respirator shumë më të shëndetshëm në raport me sportet e tjera. Përveç kësaj, fëmijët i mban larg nga veset e këqija dhe pasiviteti, duke i bërë dhe më të disiplinuar.

Një mesazh?

Mesazhin këtë herë e kam për çunat e mi, ndonëse unë ua them vazhdimisht: “Bëjeni mirë atë që po bëni dhe shijojeni. Jo gjithkush e ka mundësinë të përfaqësojë një vend në aktivitete madhore siç po bëni ju. Dhe mos harroni, ngjitjet në podium apo rekordet do t’ju bëjnë të ndjeheni krenarë për të gjithë jetën.”

Për çdo interesim në lidhje me këtë artikull apo personat e përfshirë, ju lutemi të kontaktoni “Te Stela Sport Center” në 067 20 333 10 , sport-estetike@testela.al ose në Facebook: “Te Stela”.