Tai çia, energjia e duhur për trupin

Një art marcial kinez që të bën të gëzosh shëndet më të mirë përmes lëvizjeve të qeta dhe të buta

“Në formë dhe plot energji”. Kështu ndihet Luan Musta 17 vjet pas nisjes së praktikimit të tai çisë dhe shaolinit, dy arte marciale kineze. Për të dy këto arte Luani jep mësim në Tiranë, ndërsa është certifikuar në Itali. Në këtë intervistë për “Shëndet+” ai vë një sfidë përballë çdo lexuesi: një kërkim të thjeshtë në internet për të vërtetuar se studimet e fundit e konsiderojnë tai çinë një praktikë të shëndetshme për çdo moshë dhe një zgjidhje për probleme të ndryshme. Lexoni më poshtë bisedën me të:

Profesor, kur e keni filluar tai çinë?

Luan Musta foto A.Gjypi

Luan Musta

Tai çinë  (tai chi ose tai ji) e kam filluar në vitin 1997, disa muaj pasi kisha filluar shaolin chuan.

Cilat ishin arsyet që nisët të merreshit me të?

Artet marciale më kanë pëlqyer gjithmonë, kështu që pasi shkova në Itali kërkova disa palestra dhe vendosa të shkoja në një palestër karateje që ndodhej jo shumë larg vendit ku banoja. Fati e deshi që para se të regjistrohesha në këtë palestër, një kushëriri im më njohu me Mjeshtrin Chang Yu Shin, kështu që fillova të stërvitesha në Shaolin Chuan dhe disa muaj më vonë në një seminar të shkollës sonë provova edhe tai çinë. Aty nisa të stërvitesha në të dy stilet.

Ishte e vështirë ta përshtasnit mënyrën tënde të jetesës me kërkesat e këtij sporti?

Aspak, isha dhe jam shumë i apasionuar pas këtij arti marcial, ndaj s’m’u desh shumë të përshtatesha. Arrija të stërvitesha çdo ditë për rreth 2 orë.

A ka ndikuar në shëndetin tuaj?

Tashmë kam shumë kohë që merrem me tai chi dhe kur kam filluar isha vetëm 18 vjeç. Ndaj nuk di të them se sa mund të ketë ndikuar, por mund të them se e ndiej veten shumë mirë, në formë dhe plot energji.

Sëmureni shpesh?

Jo, nuk sëmurem shpesh, por edhe nëse ndodh, e marr veten shumë shpejt.

LuaniE ndjeni të nevojshme ta vazhdoni stërvitjen?

Po, e ndiej shumë të nevojshme. Jeta në ditët e sotme është bërë shumë statike. Lëvizim me makina, punojmë ulur, përdorim ashensorët për t’u ngjitur e zbritur nga pallatet, deri te ashensori kemi makinat ose autobusin dhe kështu që janë të pakta metrat që ecim. Gjithë këto komoditete në dukje të mira, nuk janë dhe aq të mira për shëndetin.

Ju thonë që tai çia është humbje kohe?

Dikur po, tashmë jo më. Madje, disa prej atyre që më thonin se tai çia ishte humbje kohe, tashmë kanë filluar të merren vetë me të.

Ua sugjeroni të tjerëve? Cilat janë të mirat shëndetësore që njerëzit mund të kenë përmes tai çisë?

Unë ua këshilloj të gjithëve pa përjashtim, sepse kjo lloj stërvitjeje përmirëson shëndetin dhe rrit energjinë e trupit, ul stresin, eliminon dhimbjet e shpinës, dhimbjet e artikulacioneve, normalizon presionin e gjakut e shumë gjëra të tjera. Mjafton të bëni një kërkim të shpejtë në internet e mund të lexoni për të gjithë të mirat që sjell kjo lloj praktike.

Në ç’moshë mendoni se është mirë të fillohet?

Mosha e këshilluar është mbi 13 vjeç, ndërsa moshë maksimale nuk ka. Tai çia këshillohet shumë dhe për moshën e tretë, sepse është e përbërë nga lëvizje të ngadalta e të sinkronizuara me frymëmarrje diafragmale.

Luani 1Në kursin tuaj shumica e praktikuesve janë mbi 18 vjeç. A keni parë ju vetë dhe a kanë parë ata ndryshim në jetën e tyre pas fillimit të tai çisë?

Në kursin që unë jap mësim është një ndarje e barabartë mes femrave dhe meshkujve. Ka prej tyre që e kanë nisur këtë art marcial për t’u bërë “të fortë” dhe të tillë zakonisht janë djemtë. Vajzat më tepër kanë kërkuar dhe kanë lexuar për të mirat shëndetësore që jep kjo praktikë dhe në fakt janë edhe më të qëndrueshme. Ato që e kanë praktikuar për të paktën 3 muaj tai çinë, ia kanë ndjerë frytet dhe kanë vendosur që ta vazhdojnë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me djemtë. Fillimisht e kanë parë vetëm si element force, por pas muajve të parë kanë parë ndryshimet në shëndet, por edhe bukurinë e një arti marcial.

Nëse do t’i sugjeronit dikujt një jetë të mirë shëndetësore, cili do të ishte “programi”?

Një fjalë e urtë thotë “uji që lëviz, nuk bie erë”. Gjëja e parë që mund të sugjeroj, në çdo moshë, është aktiviteti fizik dhe tai çia është mënyra më e mirë.

Nëse mund të më shuani një kuriozitet. Me aq sa di, bashkëshortja juaj ka bërë tai çi gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë. Është e vërtetë një gjë e tillë?

Po, bashkëshortja ime u tregua edhe më këmbëngulëse për të qenë e rregullt në praktikimin e tai çisë në momentin që ishte shtatzënë. Nuk ka munguar pothuajse në asnjë orë dhe e vazhdoi deri tri ditë para se të lindte. Siç thotë ajo, ndihej më e lehtë nëse bënte tai çi dhe më e plogësht dhe e rëndë në rast se mungonte. Ishte një zgjedhje e saj që unë e mbështeta dhe fakti që kaloi një shtatzëni të lehtë e vërtetoi edhe një herë se ishte zgjedhja e duhur.

Profesor, edhe një pyetje të fundit: cilat janë arsyet që do t’ju bënit ta linit tai çinë?

Nuk mendoj se do të kishte ndonjë arsye që të më bënin ta lija tai çinë.

Biografia

Luan Musta është 36 vjeç. Ka nisur të studiojë tai çinë në vitin 1997 në Itali me mjeshtra kinezë të shkollës “Kung Fu Chang”. Ka marrë pjesë në kampionatet italiane, ku ka marrë pesë medalje, prej të cilave dy janë medalje ari. Në Itali ka punuar edhe si instruktor tai çie dhe shaolini. Prej vitit 2008 është kthyer në Shqipëri, ku ndodhet me bashkëshorten e tij dhe djalin. Gjatë tre viteve të para ka dhënë mësime private të tai çisë, ndërsa që prej vitit 2011 jep mësime për të gjithë në një prej palestrave të kryeqytetit.

Postime të ngjashme

Bebet para kohe/ Rritet numri i fëmijëve që lindin premature, mjekët: Ndikojnë alkooli dhe mosha e madhe e nënës
Studimi: Vetëm 2 cigare në ditë rrisin me 50% rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Me këto këshilla do të shpëtoni nga buzët e çara
Shtrëngata dhe stuhi, ja zonat më të rrezikuara nga moti i keq (HARTA)
Dita Botërore e Diabetit, Rama: Me buxhetin 2026 për shëndetësinë mbështetet depistimi falas
Reparti i Kirurgjisë transferohet te Materniteti, gjinekologët bojkotojnë punën: Rrezikohet shëndeti i grave
Ky vend ndalon pirjen e duhanit për këdo që ka lindur pas janarit 2007
Tkurrja e lindjeve përhapet në gjithë vendin, qarku me rënien më të lartë