Prej 22 vitesh, Kurti u shërben të moshuarve në azilin shtetëror pranë lagjes “Ali Demi”. Ajo rrëfen për personat me të cilët punon, vështirësitë, por edhe kënaqësinë e të punuarit me të moshuarit dhe faktin që nuk është bërë asnjëherë pishman për zgjedhjen e saj
Amarildo Lumani
Puna e saj në azilin e pleqve në Tiranë nisi në vitin 1991, dhe megjithëse kanë kaluar 22 vjet që prej asaj kohe, ajo vazhdon të punojë me të njëjtën dëshirë dhe përkushtim si në ditën e parë. Mundësitë për të punuar në spitale apo vende të tjera nuk i kanë munguar, por ajo ka zgjedhur t’u shërbejë të moshuarve. E natyrisht që edhe të moshuarit e kanë “pikë të dobët”, pasi u gjendet pranë në çdo kohë.
“Në vitin 1991 fillova punë pranë këtij azili. Kisha dhe disa mundësi të tjera punësimi, por më tërhoqi ideja që do të punoja me të moshuarit. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë familjarë ose janë braktisur prej tyre dhe sa herë që i ndihmoj, më duket sikur ua lehtësoj dhimbjet”, thotë Xhevria. Dashuria ndaj profesionit dhe të moshuarve duket qartë dhe në sytë e saj, të cilët marrin një tjetër shkëlqim kur flet për ta. E ndërsa i mat tensionin një të moshuari, ajo tregon se fillimi ka qenë i vështirë për shkak të kushteve dhe mungesës së ilaçeve.
“Ilaçet mungonin gjithmonë dhe kushtet ishin minimale në fillim. Ka qenë shumë e vështirë dhe kur e kujtoj atë kohë, më duket shumë e largët. Falë Zotit, tani nuk mungon asgjë, duke nisur që nga ilaçet dhe deri te shërbimi 24-orësh i ambulancës”.
Vështirësitë me të moshuarit
Të punosh me të moshuarit, natyrisht që nuk është e lehtë. Duhet shumë durim dhe mirëkuptim, virtyte që Xhevries nuk mungojnë. “Edhe njerëzit më të urtë kanë ato momentet e tyre të këqija. Ka momente kur nuk durojnë as veten e tyre dhe në ato momente është e vështirë që komunikosh me ta. Duhet shumë durim, por unë i mirëkuptoj pasi jeta në azil, përpos kushteve të mira, është e vështirë. Vetmia bën që të mërziten dhe të thonë gjëra që nuk i mendojnë, por unë i njoh mirë dhe e di që nuk i thonë me dashakeqësi”, thotë Xhevria.
Ajo thotë se shpesh ndodh që ndonjë prej të moshuarve reagon keq dhe ua nxjerr “dufin” punonjësve, por pas disa minutash qetësohen dhe kërkojnë të falur. Sipas saj, “janë ato momentet kur u vijnë kujtime të këqija dhe mërziten, kështu që e kapin me personin e parë që u del përpara, por natyrisht që kur qetësohen e kuptojnë atë që kanë thënë dhe pendohen”.
Puna
Profesioni i infermieres e ka tërhequr që të re Xhevrien. Pas përfundimit të studimeve, ajo nisi punë në vendlindjen e saj, Mirditë. Pas dy vitesh pune u shpërngul në Tiranë ku dhe nisi punë si infermiere në azilin e të moshuarve, pranë lagjes “Ali Demi”. Tashtë ajo numëron plot 22 vite që punon në këtë azil dhe 24 vjet në profesion. 45-vjeçarja Kurti rrëfen se për asnjë moment në jetën e saj nuk është penduar që zgjodhi këtë profesion apo që shërben në azil.
“Asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjet që kam bërë, qoftë që u bëra infermiere apo qoftë që zgjodha të punoj në këtë azil. Kur e mendoj, nuk e shoh veten në ndonjë profesion tjetër. Ky është profesioni që më përshtatet më tepër”, rrëfen Xhevria.
Kushtet
“Realisht kushtet janë shumë të mira. Nga sa kam parë, edhe në azilet private kushtet nuk janë më të mira se këtu. Asgjë nuk u mungon këtyre të moshuarve nga aspekti i medikamenteve. Janë bërë përmirësime të vazhdueshme dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme qoftë me ilaçet, qoftë me emergjencat e ndryshme. Kjo gjë natyrisht që na e lehtëson punën”, thotë kryeinfermierja e këtij azili, Xhevrie Kurti.
Jeta në azil
Jeta në një azil është gjithmonë e vështirë, por Xhevria bashkë me kolegët e saj mundohen çdo ditë t’ua bëjnë më të lehtë jetën këtyre të moshuarve. “Çdo i moshuar është i lirë që të dalë shëtitje, të shkojë të takojë ndonjë mik për kafe apo të shkojë për vizitë te të afërmit, mjafton që të vërë në dijeni personelin. Askush nuk është i kufizuar në lëvizje. Nuk ka kufizime për lejet apo periudhën e largimit. Përpiqemi që t’ua lehtësojmë sadopak dhimbjen këtyre të moshuarve”, thotë Xhevria.
Tarifa
40 për qind e pensionit të të moshuarve i shkon azilit për ilaçet, ushqimin dhe kujdesin ndaj tyre, shumë kjo e përafërt me 5 000 lekë në muaj.
Anëtarët
45 është numri i të moshuarve që jetojnë në këtë azil. Në shërbim të tyre është një ambulancë 24 orë në 24 dhe tre infermiere që shërbejnë me tre turne.

