Emanuel Smaka
Godina e spitalit të sëmundjeve të brendshme pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, e njohur ndryshe si “6 katëshi”, po amortizohet nga dita në ditë. Muret në pjesën e jashtme e të brendshme të tyre janë dëmtuar ndjeshëm, ndërsa pacientët marrin shërbime në mes të mykut të krijuar si pasojë e lagështirës. Ndërkohë investimet kanë munguar pavarësisht premtimeve.
Gjatë vitit 2014, teksa ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj po bënte bilancin e 300 ditëve të para në krye të këtij dikasteri, tha se 6-katëshi do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore.
“Banka e Këshillit të Evropës ka miratuar një kredi 16 milionë euro dhe 1.5 milionë euro grant, për të fuqizuar shërbimet spitalore në QSUT. Që do të thotë, me 17.5 milionë euro dhe me 6 milionë euro që janë në buxhetin afatmesëm të Qeverisë, ne do të ndërhyjmë në mënyrë radikale për të përmirësuar Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, apo 6-katëshin”- u shpreh ministri Beqaj 3 vite më parë, në korrik të 2014-s.
Që nga ajo kohë, situata është po e njëjtë. Duket se ndërhyrjet janë mjaftuar me një recepsion në hyrjen godinës, që gjithashtu shërben edhe si “barrierë” për shmangien e abuzimeve të familjarëve me oraret e hyrjes.
Paradoksal është fakti se që në hyrje të godinës së trajtimit të sëmundjeve të brendshme dhjetëra persona, ndër ta edhe të sëmurë, presin të shtrirë në oborr. Të pyetur në terren për shërbimin që ofrohet, qytetarët refuzojnë të komentojnë. Edhe ata janë dorëzuar përballë problemeve në infrastrukturë.
Përmes vëzhgimit të godinës arrijnë të duken qartë problemet. Muret janë amortizuar, ndërsa stina e dimrit pritet të vështirësojë qëndrimin e pacientëve për shkak të mykut të krijuar.
Komike, por njëkohësisht edhe e trishtë, është pamja (shiko foton) ku të afërmit e pacientëve lajnë dhe ndejnë rroba në dritaren e godinës.
Godina e “6 katëshit” ka disa shërbime nisur që nga toksikologjia, kardiologjia, hemotologjia, gastrohepatologjia, endokrinologjia dhe nefrologjia.
Kujtojmë se në shërbimin e hematologjisë janë të hospitalizuar një numër I konsiderueshëm pacientësh me kancer të gjakut.
Shpresojmë që gjatë këtij mandati ministrja aktuale e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu të vazhdojë premtimin për rikontrustionin e godinës së 6-katëshit. Kjo jo vetëm për t’u ardhur në shërbim pacientëve, por gjithashtu edhe vetë mjekëve të cilët kryejnë shërbim në një hapësirë jashtë çdo standardi.
Shërbimi i infektologjisë, muret e jashtme të amortizuara
Ndërkohë, godina e Infektivit, për të cilën nuk ka pasur projekte apo premtime, paraqet të njëjtat probleme sa i përket higjienës së ambienteve. Pikërisht ndërtesa e shërbimit të Infektologjisë, ku mesatarisht gjatë 1 viti marrin shërbime 20 000 pacientë (sipas të dhënave të QSUT-së), paraqitet në një situatë të ngjashme sa i përket ambienteve të jashtme.
Fasadat po amortizohen gradualisht, ndërsa stafi mjekësor ndihet i pafuqishëm që të plotësojë kushtet higjieno-sanitare që kërkohen sipas standardeve. Duhet thënë se përveç patologjive të shumta infektive, në shërbimin e infektologjisë marrin shërbim vjetor një numër prej 900 pacientësh të sëmurë me HIV-AIDS apo sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme.




