Shqipërisë i mungon infrastruktura dhe mjeku gjeriatër për të moshuarit, rekomandimet  

Në Shqipëri, kushtet e jetesës për të moshuarit po bëhen gjithnjë e më sfiduese për shkak të mungesës së një infrastrukture të përshtatshme dhe shërbimeve të specializuara. Ndërkohë që popullsia po plaket gradualisht, institucionet publike dhe politikat sociale nuk po arrijnë të përmbushin nevojat reale të kësaj kategorie.

Një nga problemet më të dukshme mbetet infrastruktura e papërshtatshme në hapësirat publike. Rrugët dhe trotuaret në shumë qytete nuk ofrojnë kushte të sigurta për lëvizjen e të moshuarve. Mungesa e rampave, stolave për pushim, ndriçimit të mjaftueshëm dhe sinjalistikës e vështirëson ndjeshëm jetën e përditshme, sidomos për ata me probleme fizike apo shëndetësore.

Po aq shqetësuese është mungesa e qendrave të argëtimit dhe socializimit. Në pjesën më të madhe të vendit mungojnë hapësirat komunitare ku të moshuarit mund të kalojnë kohën, të ndërveprojnë dhe të shmangin izolimin social.

Kjo ka çuar në rritjen e vetmisë dhe margjinalizimit, fenomene që po bëhen gjithnjë e më të pranishme.

Një problem thelbësor mbetet edhe sistemi shëndetësor, i cili nuk është i specializuar për nevojat e kësaj grupmoshe. Mungesa e mjekut geriatër është një nga boshllëqet më të mëdha. Kujdesi geriatrik është i domosdoshëm për trajtimin e sëmundjeve kronike, menaxhimin e shumë diagnozave njëkohësisht dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve.

Pa këtë specialitet, shumë pacientë të moshuar trajtohen në mënyrë të përgjithshme, pa një qasje të personalizuar dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas sociologut Gëzim Tushi, ndryshimet në strukturën e familjes shqiptare dhe rritja e individualizmit kanë dobësuar ndjeshëm rolin tradicional të familjes në kujdesin për të moshuarit. Ai thekson se mungesa e shërbimeve, përfshirë edhe mungesën e mjekëve geriatër, e përkeqëson situatën dhe rrit ndjenjën e pasigurisë tek kjo kategori.

“Në kuptimin biologjik, psikologjik, shëndetësor e financiar për arsye objektive “mosha e tretë” dhe sidomos “mosha e katërt”, ajo kur njeriu kalon kufirin e 85 vjetëve është e vështirë dhe e pafavorshme në të gjitha drejtimet, sidomos dhe komponentët e plotësimit të nevojave jetike bazë.

Në këto kushte është e nevojshme që kufizimet që vijnë për shkak të moshës duhet të plotësohen dhe kompensohen me forma komplementare të ndihmës në familje dhe formave alternative shtetërore e komunitare të shërbimit social.

Padyshim arkitektura e kujdesit social për të moshuarit në shoqërinë shqiptare ka historinë e vet të lidhur me tipologjinë e kujdesit të vazhduar të familjes tradicionale të para viteve ‘90 ku përgjegjësia ishte ekskluzive dhe e integruar brenda familjes biologjike, në të cilën roli, prezenca, kujdesi dhe autoriteti i të moshuarve ka qenë në përputhje me natyrën e familjes tradicionale e shpesh edhe gerontokratike, me kujdes të përhershëm e të pakushtëzuar për të moshuarit e familjes.

Ndryshimi që ka pësuar tipologjia e familjes, tranzicioni i kalimit nga familja tradicionale në atë modern, bërthamore ka sjellë jo vetëm ridimensionimin e formave dhe përmasave, por edhe të sasisë dhe cilësisë së kujdesit të familjes për të moshuarit.

Kjo bashkë me fenomenin e emigracionit, prirjet individualiste ka krijuar një varg problemesh për jetën e të moshuarve, duke sjellë edhe dukuri të reja, pothuaj të panjohura më parë sikurse janë braktisja biologjike apo vetmia sociale. Këto janë plagë të thella sociale që po i përjetojnë të moshuarit në kohën e sotme”, pohon sociologu Tushi.

Në analizën e tij, Gëzim Tushi nënvizon nevojën për një qasje të integruar: investime në infrastrukturë, krijimin e qendrave komunitare, zgjerimin e shërbimeve në shtëpi dhe mbi të gjitha zhvillimin e shërbimit geriatrik si pjesë thelbësore e sistemit shëndetësor.

“Lehtësimi i problemeve dhe pasojave sociale të jetës dhe strukturës së familjes modern kërkon kapërcimin apo lehtësimin e disa pengesave:

  1. Mbështetje financiare për pensionistët me të ardhura nën minimumin jetik që i penalizon ata për të pasur kushte normale jetese, për të plotësuar nevojat bazë e jetike material e shëndetësore.
  2. Situata e vetmisë (mendohet se me këtë status social janë rreth 31 mijë të moshuar) kërkon krijimin e Qendrave Ditore Komunitare të shoqërizimit të tyre.
  3. Zgjerimi i shërbimeve mobile, më ekipe multidisiplinare për t’u ofruar ndihmë dhe mbështetje material e emocionale të moshuarve që jetojnë të vetmuar (shërbime higjenike, gatim, kujdes shëndetësor, etj)
  4. Krijimi Qendrave të asoocimit moshor, si kusht për të kaluar kohën nëpërmjet shoqërizimit moshor dhe aktiviteteve moshore të përbashkëta.
  5. Dinamizimi dhe shmangia e burokracive të kujdesit shëndetësor, e cila për të moshuarit duhet të “prodhojë” më shumë kujdes shëndetësor dhe më pak letra e zvarritje burokratike.
  6. Të bëhet detyruese për çdo bashki e lagje krijimi i ambienteve çlodhëse për t’u socializuar, shmangur izolimin social, kaluar kohën e lirë dhe sidomos për të ruajtur e mbrojtur shëndetin e tyre fizik e mendor të moshuarve.
  7. Më shumë kujdes mediatik për dinjitetin e të moshuarve, duke shmangur trajtimin e pakujdesshëm. Kujdesi për të moshuarit nuk është i tepërt, përkundrazi është pjesë integrale e përgjegjësisë së familjes, shtetit dhe shoqërisë”, tha ndër të tjera zoti Tushi.

Po ashtu më herët edhe drejtues të Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri kanë paralajmëruar se rritja e numrit të të moshuarve do të përkthehet në një peshë gjithnjë e më të madhe për sistemin shëndetësor. Sipas tyre, vendi nuk është ende i përgatitur për këtë realitet demografik, sidomos për shkak të mungesës së specialiteteve të dedikuara.

Një nga boshllëqet më të theksuara mbetet mungesa e mjekut specialist për moshat e treta, i njohur si geriatër. Ky profesion konsiderohet thelbësor për përballimin e problematikave komplekse shëndetësore që shoqërojnë plakjen e popullsisë./monitor

Postime të ngjashme

Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën
Mos i pini ilaçet e tensionit me këto 6 pije, ju rrezikojnë shëndetin
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Lëngu i panxharit ndihmon në uljen e tensionit? Ja çfarë thonë mjekët