Gëzim Hasa: Në rrezik për jetën, pa mundësi transplanti

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Gëzim HASA, datëlindja 1971 (44 vjeç), lindur dhe banues në Tiranë është diagnostikuar në Shërbimin e Hematologjisë të QSUT me nr. kartelë 665949 në qershor të vitit 2012 me: Mielomë Multiple St III[1] . insuficienca renale kronike. Hepatit B viral.

I lodhur jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht, ai bashkë me të shoqen Valentinën, tregojnë se sëmundja e rëndë i ka shkatërruar jo thjesht shpirtërisht, por edhe ekonomikisht, pasi shpenzimet janë shumë të mëdha dhe të papërballueshme prej tyre, ndërkohë që jo rrallë ilaçet i blejnë, pasi nuk sigurohen nga shërbimi spitalor, teksa tani mes borxhesh vetëm presin. Në QSUT trajtimi ka mbetur deri tek kimioterapia, ndërsa hapi tjetër: kryerja e transplantit jetëshpëtues për Gëzim Hasën konsiderohet i parealizueshëm dhe askush nuk i ndihmon. Çdo ditë Valentina lutet: Të bëhet diçka për babanë e fëmijëve të mi.

EpikrizaRrëfimi i Valentina Hasës

Gjithçka nisi në gusht të 2012-s. Tre muajt e verës Gëzimi kishte mungesë të oreksit. Nuk i pëlqenin gjellët dhe erërat e gjellëve. Rrallëherë kishte dhe temperaturë dhe dhimbje mesi. Por mendonim se e kishte nga lodhja këtë dhimbje. E kishte pasur nga veshkat.

Nga data 20 gusht ai kishte vështirësi në urinim. Bëmë analizat se nuk kishte bërë asnjëherë analiza për vete, pasi nuk kishte pasur ndonjëherë shqetësim. Analizat tregonin infeksion të rëndë, albuminë të lartë: Kreatinina 9. Urea 190.

Bëmë 3 ditë gjilpëra në shtëpi, por nuk pati rezultat. Ndërkohë kishte temperaturë të vazhdueshme. Me këto rezultate u shtruam direkt tek nefrologjia. Bëri 2 seanca dialize. Na thanë që nuk ka nevojë më dhe se veshkat mendohen të jenë pasojë e një sëmundje. Për 4 ditë na çuan tek hematologjia. Aty na bënë mielogramën. (një test në të cilin mjeku injekton një ngjyrë të lëngët në shtyllën kurrizore)

Me përgjigjen e kësaj analize na thanë se sëmundja është mieloma multiple 48% dhe se do fillojmë urgjent kimioterapinë (VAD.VINCRISTINE.ADRIOMICINE dhe DEXAMETHAZONE). Tani vonë e mora vesh që s’kishte qenë mjekimi 100%  i plotë dhe se duheshin të tjera për ta plotësuar.

E bëmë muajin e parë. Kur bëmë të dytin, kishim nevojë për gjak dhe me mundim e luftë me zor i mundësuam 4 qese gjak për 4 ditë.

Erdhi radha për muajin e tretë. Bëmë analizat dhe transaminazat kishin shkuar 900 e ca. Në mënyrë urgjente na thanë të shtrohemi te infektivi dhe rezultoi që burri ishte me hepatit B. Që sipas doktorëve ishte një hepatit i fshehur dhe që doli në pah prej sëmundjes. Gjë për të cilën jam e bindur që e ka marrë nga gjaku, por më thanë që dilte pas 6 muajsh jo direkt.

U mjekua aty për rreth një javë me antibiotikë dhe me një mjekim mbajtës TENEFOVIR. Për një vit rresht dhe tani mjekohet me lamivudinë. Nuk ka pasur probleme me mëlçinë.

I mbaruam kimiot edhe pse shumë herë spitali nuk kishte mjekime dhe i blenim jashtë.

E bënë mielogramën prapë dhe rezultoi me 2% sëmundje.

Mbaruan kimiot në prill dhe kishte një mjekim që e merrte çdo ditë. Një kokërr në ditë, bandronat.

Vazhdon ta përdorë pa e ndërprerë këtë mjekim.

Çdo muaj shkonim në spital për analiza: edhe tek hematologjia, edhe tek infektivi.

serumAnalizat ishin pothuajse normale fare deri nga dhjetori. Në janar na thanë që duhet një mjekim tjetër që ishte VELCADE, por spitali nuk e kishte. U interesuam për ta blerë, por ishte shumë i shtrenjtë. Pas 2 muajsh marrim vesh që do hynte në spitalet tona ky mjekim. Puna jonë si e morëm vesh, sepse spitali jo vetem që nuk na njoftoi, por nuk deshi të na e jepte, por e filluam.

Bëmë 6 cikle (velkade.endoxan.dexamethazone) që e përfunduam në gusht se, përveç që mungoi si mjekim, por edhe Gëzimi filloi të humbte ndjeshmërinë e këmbëve e të duarve dhe nuk lejohej që të vazhdonte.

Ishim pothuajse mirë deri në gusht të vitit tjetër. Domethënë zgjatëm gati një vit me këtë mjekim. Bëmë analizat në fillim të shtatorit, sepse në muajin gusht nuk ndihej mirë, ndjehej i dobët. Doktori na tha që ka mungesë të vitaminës B12. Do na mjekonte me këtë për një muaj, por gjithashtu na tha që mund të rizgjojmë sëmundjen me këtë vitaminë. I bëmë analizat në fillim të tetorit dhe na bënë mielogramën ku me përgjigjen e kësaj na thotë që sëmundja është rizgjuar dhe është më agresive se herën e parë.

Nuk kemi mjekim këtë herë, na thanë dhe na mjekon me “endoxan” dhe nganjëherë edhe transfuzion gjaku, sipas nevojës. Mjekimi që duhej, si gjithmonë është i shtrenjtë. Ne nuk e blejmë dot, sepse nuk mundemi, nuk kemi. As për mjekim e as për transplant.

***

Arben Ivanaj, hematolog: Të sëmurët

Për të sëmurët me mielomë multiple ka një protokoll trajtimi që fillon me mjekim dhe përfundon me transplantin e palcës së kockës. Të sëmurët ndahen në dy kategori të mëdha: të sëmurët që përfitojnë nga trajtimi me transplant të palcës dhe të sëmurë që nuk përfitojnë nga transplanti i palcës. Ata që nuk përfitojnë nga transplanti janë moshat mbi 70 vjeç.

Përpara se të bëhet transplanti, të sëmurët duhet të trajtohen me kimioterapi. Një nga skemat më të mira me të cilat trajtohet me anë të kimioterapisë, të sëmurët që do të transplantohen, është përdorimi i medikamenteve të reja, të ashtuquajtura të reja, pasi ato kanë 10 vjet që kanë dalë dhe mund të quhen të vjetra.

Një nga këto medikamente është “velcade”, të cilën ne e përdorim edhe në Tiranë. Kombinimi i saj me kimioterapi të tjera me medikamente të tjera rrit shanset për remision të sëmundjes komplet deri në 40% të rasteve.

Pas trajtimit me kimioterapi duhet të realizohet transplanti i palcës së kockës, të cilën QSUT nuk e ofron. Kryerja e transplantit siguron jetesën deri në 10 vjet pa sëmundje të pacientit.

***

Reagimi nga QSUT

Lidhur me këtë çështje iu drejtuam Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë. Pyetjet që iu drejtuan drejtorisë ishin:

  1. Medikamenti Velcade me të cilin trajtohen të sëmurët me Mileomë Multiple St III a është i pranishëm në QSUT dhe a është në sasi të mjaftueshme për të përballuar kërkesat e të sëmurëve?
  2. Sa është mundësia e marrjes së hepatitit B nga transfuzionet e gjakut dhe cilat janë kontrollet në të cilat kalon gjaku që përdoret nga të sëmurët në QSUT?
  3. A ofrohet transplanti i palcës në QSUT? Nëse jo, si veprohet që të sëmurët që kanë nevojë për këtë transplant ta marrin atë?

Përgjigjet e z.Alvi Bajramaj, përgjegjës i zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, QSUT, lidhur me këto çështje ishin: “Gjatë vitit 2015 QSUT ka konsumuar një sasi prej 320 flakonë Velkade, kundrejt vetëm 19 flakonë në vitin 2013. Administrimi i barit realizohet në Shërbimin e Hematologjisë sipas terapisë së pacientëve”.

Në këtë arsyetim nuk jepet përgjigje që ky medikament është i mjaftueshëm për të përballuar kërkesat e të sëmurëve.

Lidhur me marrjen e hepatitit B, Bajramaj thekson: “E gjitha sasia e gjakut që përdoret në QSUT për të kryer hematotransfuzionet vjen nga Banka Kombëtare e Gjakut dhe është ky institucioni përgjegjës për kontrollet dhe cilësinë. Për z. Gëzim Hasa pas këqyrjes së kartelës nga mjekët e shërbimit të Hematologjisë, nuk ka të dhëna që pacienti të jetë infektuar me hepatit viral B gjatë hematotransfuzioneve”.

Lidhur me transplantin e palcës së kockave, QSUT ia kalon përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë duke u përgjigjur: “Transplanti i palcës së kockave nuk realizohet në Shqipëri. Për këtë procedurë dhe vendet ku trajtohet, duhet të drejtoheni pranë Ministrisë së Shëndetësisë”.

***

Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjet

Për rastin e Gëzim Hasës iu kërkuam informacion Ministrisë së Shëndetësisë më 10 dhjetor 2015, si institucion përgjegjës . Prej ministrisë akoma sot e kësaj dite nuk kemi asnjë përgjigje.

***

 

[1] Myeloma = sëmundje tumorale me origjinë nga Qelizat Plazmatike (Limfocitet B transformohen në Qeliza Plazmatike = prodhueset e Imunoglobulinave) me lokalizim kryesisht në Palcën e Kuqe të Kockave (forma medulare), por që mund të lokalizohet dhe jashtë saj (ekstramedulare).

Dëmton kockat, veshkat, prodhimin e qelizave normale të gjakut dhe prodhimin e Imunoglobulinave normale me pasojat përkatëse (dobësim/fraktura kockore), insuficiença renale, anemia, infeksione të përsëritura.

Multiple = shumë vatra (mund të jetë me një vatër të vetme), por në përgjithësi ka shume lokalizime në organizëm. Ka dy lloje klasifikimesh. Njëri që përdor beta2-mikroglobulinën dhe quhet International Staging System, por ne nuk e përdorim për faktin se kjo analizë në spitalet shtetërore nuk është bërë deri më sot.

Klasikimi tjetër: Durie-Salmon Staging System është ai që ne përdorim në praktikën tonë.

Shkronja B tregon se ka dëmtim të funksionit të veshkave. Mjekimet aktuale janë shumë të shtrenjta. Aktualisht në Shërbimin e Hematologjisë kanë futur një medikament bazë që është Velcade (Bortezomib), i shtrenjtë, por jo në sasi të mjaftueshme.

Trajtimi i kësaj sëmundjeje është shumë i kushtueshëm.

Gjithsesi duhet thënë se nuk është arritur akoma shërimi, por ka një rritje të jetëgjatësisë së përgjithshme.  Sa më i lartë stadi, aq më e keqe është prognoza.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)

Postime të ngjashme

Korçë/Prindërit e fëmijëve me autizëm kërkojnë kabinet dentar
Ashensorët jashtë funksionit, pacientët zvarriten shkallëve
Mungon ilaçi/ Pacienti: Më mbajnë me Morfinë
Tenderët e dyshimtë të spitaleve për 2019-n
Protezat ortopedike/ Në listë pritje? Ja për sa vjet ju vjen radha
Portali “Infermierët për Shqipërinë” manipulon listën e fituesve
“Pozicioni juaj i punës është shkurtuar…” Operatorët e Kujdesit Shëndetësor hedhin firmat e para
Si u vodhën në 5 vjet lekët e ilaçeve dhe urdhrat e drejtorëve që bllokonin kontrollet