SKANDALI: Ilaçet pa pullë në onkologjik rrezikojnë jetën e pacientëve

Gazetarë: Denisa Canameti, Xhovana Kodra

Mungesë ilaçesh, blerje e ilaçeve që s’dihet nga vijnë, rrënim ekonomik. Kjo është ajo çka ofron Shërbimi Onkologjik në QSUT, i kthyer në makth për çdo pacient. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave paralajmëron për mospërdorim të barnave pa pullë, por mungesa e tyre në spitale nuk u jep rrugëzgjidhje tjetër personave që përballen me sëmundjen vdekjeprurëse.

Pacientët e kontaktuar thonë se i blejnë vetë ilaçet, ndërsa shpresojnë se do t’u bëjnë efekt. Ndërkohë, Diana Toma, kreu i Urdhrit të Farmacistit, thotë se ilaçet pa pullë nuk kanë siguri, pasi nuk dihet nëse janë transportuar në kushtet e duhura. Nga ana tjetër, QSUT hesht lidhur me përdorimin e ilaçeve pa pullë në ambientet e saj.

Qesja e ilaçeve të blera në farmaci nga pacientët e onkologjikut që realizojnë kimioterapinë me ilaçet e veta

Qesja e ilaçeve të blera në farmaci nga pacientët e onkologjikut që realizojnë kimioterapinë me ilaçet e veta

Pacientët: I blejmë ilaçet pa pullë, sepse spitali nuk ka. Nuk e kemi idenë sa të sigurta janë

Në Shërbimin Onkologjik pacientët dhe të afërmit e tyre lëvizin me qese farmacish nëpër duar. Kujtime Çupi, nga Dibra, e cila mban medikamentin “Endoxan” në dorë, tregon se sa herë vjen për kimio është e detyruar t’i sigurojë vetë ilaçet, pasi spitali nuk i siguron. Nuk e ka idenë për sigurinë, por shpreson që “meqë është blerë në farmaci”, të ketë efekt për sëmundjen e saj.

“Endoxan” është një medikament që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme kanceroze, si dhe çrregullimet e sistemit imunitar.

Ky bar që qarkullon në shërbimin e onkologjisë, nuk ka të aplikuar në paketim pullën e kontrollit të barnave, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Në të njëjtat kushte hyjnë edhe barnat e tjera. Në repartin e kimioterapisë ditore, në secilin mbajtës të serumeve ndodhen qese farmacish me barna të blera nga vetë pacientët.

Ilacet pa pulle

Ilaçe pa pullë të blera nga pacientët e onkologjikut

Ilacet pa pulle2

Ilaçe pa pullë të blera nga pacientët e onkologjikut

Citostatikët pa pullë, me kundërfekte fatale

Veç kostos shumë të lartë, citostatikët pa pullë kanë problem edhe cilësinë. Në fakt, “Medicrime”, Konventa e Bashkimit Evropian për barnat e falsifikuara, e cilëson krim çdo produkt “kontrabandë”, duke qenë se çdo medikament i tillë bart rrezikun për falsifikim. Por, edhe nëse produkti është origjinal, bart rrezikun për degradim të përmbajtjes si rezultat i kushteve joadekuate të ruajtjes ose distribuimit – efekte toksike më të theksuara.

Është e domosdoshme që citostatikët të transportohen në temperaturë 2 – 8 gradë celsius dhe të kenë kushte të përshtatshme gjatë transportimit. Qëndrimi dhe transportimi i këtyre medikamenteve në temperatura të larta gjatë verës, përveç që ndikon në humbjen e  cilësisë dhe të mos reagojë si terapi, mund të kenë edhe kundërefekte.

Lidhur me kushtet e ruajtjes dhe transportimit të medikamenteve, kreu i Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, thotë: “Për arsye të ruajtjes së efektshmërisë së këtij bari, është shumë i rëndësishme që ai të transportohet dhe të ruhet në kushte optimale, pasi ndryshimi i temperaturës mund ta shkatërrojë strukturën e atij bari, e pastaj lëre që s’ka efekt, por mund të ketë edhe efekte negative. Barnat barten me kamion-frigorifer.

“Ky kamion për çdo 15 minuta e mat temperaturën, e shtyp dhe e ruan shiritin dhe ai shirit kur vjen te ne, e shohim në çfarë temperature është transportuar bari gjatë gjithë rrugës. Gjithashtu edhe në depo, nëse ndryshon vetëm pak temperatura, aktivizohen alarmet njoftues”.

Diana Toma (2)

Diana Toma, kreu i Urdhrit të Farmacistit

Urdhri për pajisjen me vulë të barnave që përdoren në spitale

Në korrik të vitit 2011, ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Petrit Vasili, nxori urdhrin për “Pajisjen me vulë të barnave që përdoren në institucionet shëndetësore publike”. Ky urdhër që hyri në fuqi më 25 korrik 2011, parashikonte që gjithë barnat që qarkullojnë në sistemin shëndetësor publik, përveç pullës së sigurisë, duhet detyrimisht të ishin të vulosura edhe me mbishkrimin “Përdorim Spitalor – Ndalohet Shitja”.

Gjithashtu thuhej se në sistemin shëndetësor publik lejohet të qarkullojnë barna që mbajnë pullë sigurie me çmim për rrjetin e hapur farmaceutik “vetëm nëse ato mbajnë vulën me mbishkrimin “Përdorim Spitalor – Ndalohet Shitja”, ndërkohë që “boja që përdoret për stampimin e vulës të jetë me të kuqe që nuk fshihet”.

Vula ilacet pa pulle

QSUT hesht!

Lidhur me përdorimin e ilaçeve pa pullë në shërbimin onkologjik, i jemi drejtuar Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të ditur lidhur me rrezikun që u kanoset pacientëve. Me gjithë kërkesën e bërë që më datë 17 shkurt 2016, ende nuk kemi një përgjigje nga ky institucion.

QKKB: Ilaçet pa pullë përbëjnë rrezik

E kontaktuar lidhur me këtë çështje, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave shprehet se “Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të ushtrojë kontrollet përkatëse për të bërë verifikimet e duhura”, ndërkohë që vazhdon se përsa i përket barnave të cilat janë blerë nga pacientët pa pullën e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, “qytetarët duhet të marrin parasysh edhe rrezikun e përdorimit të tyre, pasi ato janë barna të pakontrolluara nga ana e autoritetit përkatës”.

Onkologjiku, 22 janar 2015

Po nuk pati furnizim të rregullt, do të ketë kontrabandë

Lidhur me përgjegjësinë për futjen “kontrabandë” të ilaçeve, Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit, ia faturon atë shtetit, ndërsa thotë:

“Sigurisht, kur medikamentet nuk sigurohen në një formë të rregullt, atëherë favorizohet futja në mënyrë të parregullt”. Sipas saj, asgjë nuk zgjidhin sanksionet, të cilat thjesht rrisin shkallën e korrupsionit”. Për Tomën, zgjidhja më e mirë është futja e barnave të cilat nuk janë të regjistruara, por janë kërkesë e tregut farmaceutik.

Pulla e kontrollit të barnave

Udhëzim

Nr.2, datë 15.1.2013

Mbi procedurat e prodhimit, kodimit, stampimit, shpërndarjes dhe monitorimit të pullave të kontrollit të barnave

1.3

Aplikimi i pullës së kontrollit të barnave të mundur identifikimin e sasisë së barnave, përmirëson siguron dhe autenticitetin e barnave në interes të përdoruesve të tyre, synon të bëjë të mundur gjurmimin e barnave në të gjithë vendin, në mënyrë që të identifikojë origjinën dhe ligjshëmrinë e tyre, si dhe të eleminojë prodhimet e kundërligjshme, sikurse prodhimin dhe tregtimin të falifikuara.

2.6

“Pulla e kontrollit të barnave” është pulla e Republikës së Shqipërisë”, e miratuar nga Autoriteti, e cila aplikohet detyrimisht mbi të gjitha barnat që prodhohen në vend me destinacion tregun shqiptar, si dhe barnat, që imptortohen nga jashtë, me destinacion tregun vendas, në përputhej me ligjin për barnat, ligjin për miratimin e kontratës së koncensionit dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre. pulla e kontrollit të barnave në formatin e pillës së vetme përmban, detyrimisht, elementet, si: Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, emrin dhe formë dozën e barit, çmimin e shitjes me pakicë të barit(përfshirë TVSH-në) një kod dyshifror për identifikimin e majtësit të autorizimit tyë tregtimit, të prodhuesit apo të imtpotuesit të autorizuar, numrin serial të dukshëm të referencës, si dhe një barkod(Sicpadata Code) të lexueshëm nëpërmjet lexuesve Sicpamobile Reader.

2.7

“Pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave është pulla e Republikës së Shqipërisë”, e miratuar nga Autoriteti, e cila aplikohet detyrimisht mbi të gjitha barnat që prodhohen në vend me destinacion tregun shqipatr, si dhe barnat që importohen jashtë, me destinacion tregun vendas, në përputhje me ligjin për barnat, ligjin për miratimin e kontratës së konçensionit dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre. pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave përmban, detyrimisht, në një nga pjesët e pullës që mbetet në paketimin e barit elementet, si: Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnjave, emrin dhe formë-dozën e barit, çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në), një kod dyshifror për identifikimin e mabjtësit të autorizimit të tregtimit, të prodhuesit apo të iptortuesit të autorizuar, numrin e serial të dukshëm të referencës, si dhe një barkod(Sicpadata Code) të lexueshëm nëpërmjet lexuesve Sicpamobile Reader. Pjesa e pullës që shkëputet dhe vendoset në recetën e mjekut, përmban detyrimisht, elementet, si: emrin dhe formëdozën e barit, çmimin e shitjes me pakicë të barit(përfshirë TVSH-në) një kod dyshifror për identifikimin e mbajtësit të autorizmit të tregtimit, të prodhuesit apo të importuesit të autorizuar dhe numrin serial të dukshëm të referencës.

(Investigim në kuadër të projektit “Investigim mbi abuzimin e pacientëve me kancer”, zbatuar nga shoqata “Together for Life”, e mbështetur Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (Fondacioni “Soros”)

Postime të ngjashme

Efekti i vjeshtës! Pse mungesa e dritës ndryshon humorin tuaj dhe si të rifitoni energjinë
Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në klinikën dentare, arrestohet mjeku Roland Xhaxho
Raporti i KLSH për Onkologjikun, si falsifikohej data e skadencës së ilaçit për të sëmurët me tumor
Aftësia për t’u mërzitur: Ilaçi i fshehur kundër ankthit modern
Vjeshta me viroza! 5 këshilla të arta për ta kaluar me shëndet të plotë
Nutricionistja: Kujdes nga dietat detox! Ulin masën muskulore, nuk largojnë dhjamin
Kjo është koha më e mirë për të pirë kafe, sipas ekspertëve
Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!