Në pranverën e 2017-s ishte premtuar instalimi i akseleratorit të dytë linear. Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, z. Ilir Beqaj është shprehur se “Praktikisht, ne kemi vënë një, po kudo mjekët kërkojnë që këto të jenë gjithmonë çift. Bashkë me pajisjen e dytë, që unë shpresoj që në pranverë ta vëmë në punë, ne na shkon i gjithë investimi 8 milionë dollarë”.
Ndërkohë, akseleratori i dytë linear, një investim prej 1.2 milionë euro i qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Atomike të Vjenës, u inagurua në qershor të këtij viti. “Tashmë do të ulen ndjeshëm radhët e pritjes, pasi me një akselerator, në momentin kur kishte mirëmbajtje, duhet të ndërpritej trajtimi”, është shprehur Ministrja Ogerta Manastiliu gjatë inaugurimit të pajisjes.
Megjithatë, radhët e gjata dhe nevojat e mjekëve për të patur në funksion dy aparatura duket se nuk kanë përfunduar. Kjo, pasi njëri prej akseleratorëve ka dalë jashtë funksionit.
Nën presion e pritjes, në kushte të rënda shëndetësore, pacientët shprehen tejet të indinjuar. Ata duhet të presin për orë të tëra, ndërkohë që kanë ardhur nga rrethet që herët për të marrë shërbim.
Nga 45 pacientë në ditë që trajtoheshin në këtë shërbim deri më sot, me instalimin e akseleratorit të dytë, trajtohen 90 pacientë në ditë apo rreth 1200 pacientë në vit.
Njësia e Radioterapisë tashmë ka potencialin për të bërë trajtime bashkëkohore me futjen e teknikave të reja, pasi arrihen standarde europiane dhe bëhet i mundur trajtimi me preçizion të lartë, gjë që më përpara nuk realizohej dot me aparaturat e vjetra./ PRO PACIENTIT
