Mjekë nuk ka, sepse mjekët po ikin

Denisa Canameti

Është shqetësuese kur mjekët me përvojë e lënë sistemin shëndetësor herët. Largimi i tyre, nënkupton një humbje të madhe për shtetin (humbje e investimit), për sistemin shëndetësor (mungesë e burimeve njerëzore), për pacientët (mungesë shërbimi). Edukimi i mjekëve është një proces i gjatë dhe i shtrenjtë, por jo çdo vend mund t’i shpërblejë në mënyrë të barabartë të licensuarit e saj. Kjo sjell joshjen e specialistëve të rinj, por edhe atyre me shumë vite përvojë, nga ofertat e vendeve perëndimore.

Kur është fjala për rekrutimin e infermierëve dhe mjekëve nga vendet në zhvillim, është e pranuar që vendet pritëse kanë një përgjegjësi për të mos i dëmtuar ose për të mos i futur në krizë vendet ku ata rekrutojnë. Në vitin 1999, përshembull, Departamenti i Shëndetit në U.K zbatoi standardet për “Rekrutimin Etik Ndërkombëtar”, duke përfshirë një listë të vendeve në zhvillim nga të cilat duhet të kufizohet rekrutimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë, Shqipëria është sot në një situatë krize sa i takon mbulimit të sistemit shëndetësor me mjek. Kjo situatë ka sjellë nevojën për ndërmarrjen e disa politikave si: patronazhimi  apo sistemi i bonusit. Politika që ndihmojnë spitalet rajonale. Megjithatë, politikat e shtetit, e në këtë rast të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duket se nuk po merren me thelbin e problemit. Mjekë nuk ka, sepse mjekët po ikin!Arsyetimi i bllokimit të specializimeve është një çështje, por nuk justifikon apo mbulon arsyet e mungesës së mjekëve sot. Çfarë na siguron ne, apo çfarë e siguron Ministrinë e Shëndetësisë, se këta mjekë që do t’i ofrohen tregut shpejt, nuk do ta lënë Shqipërinë?

Por, krahas emigrimit, ajo çfarë po ndodh është se mjekët, po braktisin sistemin shëndetësor shtetëror, për të punuar në sistemin shëndetësor privat. Pra, aktualisht shteti është në një “luftë” të hapur jo vetëm me shtetet e tjera të zhvilluara por edhe me sektorin privat në vend, që për fat të keq, ky i fundit, dukshëm është më i favorizuar nga politikbërësit.

Kjo problematikë kaq komplekse, është vlerësuar nga shumë zëra por rrallë nga vetë mjekët. Aktualisht, në më pak se dy vite, vetëm nga materniteti Koço Gliozheni kanë ikur më shumë se 10 mjekë. E të tjerë që kanë të njëjtin synim.

Edhe pse një një situatë alarmi, është e vështirë të gjesh një mjek i cili të mund të shprehet hapur për arsyet e kësaj zgjedhje. Pra, pse mjekët e spitalit shtetëror kanë zgjedhur sektorin privat duke e braktisur përfundimisht sistemin shëndetësor publik?! Shumë mjekë të kontaktuar, kanë refuzuar të përgjigjen, shumë të tjerë ishin në sebepe familjare që nuk dihej sa do të zgjasnin etj etj.

Pas shumë këmbënguljesh, një prej mjekëve që ka braktisur sistemin shëndetësor publik, për privatin pranoi të flasë por duke kërkuar konfidencialitetin. Shkurt, mosnxjerrjen e emrit. Në respekt të vullnetit të tij, intervista e mëposhtme nuk do të ketë emrin e mjekut. Por, portali “Pro Pacientit” dhe gazetari përgjegjës, mban përgjegjësinë e plotë për vërtetësinë e materialit të publikuar.

*Shteti ka hequr dorë, lufta bëhet midis mjekut dhe pacientit

Doktor, pas shumë vitesh punë në sistemin shëndetësor publik vendosët të hiqnit dorë dhe të punoni në sistemin shëndetësor privat, pse?

Midis mjekut dhe pacientit është gjithmonë një rregullator, shteti. Ky i fundit, pra shteti ka për detyrë të bëjë që pacientët të marrin një shërbim ashtu siç duhet , dhe mjekëve t’u krijojë kushte që të punojnë ashtu siç duhet të punojnë. E dyta, është se gjithkund sistemi shëndetësor është gangrenë. Sepse është një sektor i cili do shumë investim që puna të bëhet siç duhet. Çfarë ndodh në Shqipëri?

Në  Shqipëri si pacienti si shteti si mjeku nuk janë të rregullt me njëri tjetrin, në kuptimin që në pjesën më të madhe të rasteve pacienti shqiptar është i papërgjegjshëm për shëndetin e vet dhe nuk e kupton që përgjegjës për shëndetin është ai në rradhë të parë dhe nuk është as sistemi, as mjeku. Pacienti vjen në spital apo përplaset me sistemin shëndetësor, kur i ka ardhur ngushtë. Ai nuk vjen ndonjëherë për të bërë kontrolle, kur nuk i dhemb.

Nga ana tjetër, mesa di unë, pjesa më e madhe e popullatës kanë refuzuar të paguajnë siguracionet shëndetësore , në fund të fundit të ardhurat ekonomike nga ky siguracion do të sigurohen. Pavarësisht se thonë  shëndetësi falas, nuk ka shëndetësi falas. Lekët për shëndetësinë do dalin diku. Dhe burimi i parë nga ku do të dalin lekët është siguracioni shëndetësor . Shteti nuk ka mundësi dhe si duket nuk do që t’i kërkojë siguracionet shëndetësore popullit. Këtu fillon problemi i parë me popullin. Problemi i dytë është se këtij populli , kur ti marrë siguracionet duhet t’i krijojë kushtet.

Sot, shteti heq dorë nuk e mban përgjegjësinë e vet në sistem dhe e ka lënë për një kohë të gjatë që të përballen më njëri tjetrin: populli me doktorin. U tërhoq shteti. Këtu filloi burimi kryesor i mitmarrjes në sistemin mjekësor shqiptar. Duke qënë se shteti nuk merrte siguracionet popullit, por as doktorin nuk e paguante dhe nuk i krijonte dot kushtet e veta, i la të përballen njëri me tjetrin dhe pastaj filluan: Njëri nuk paguan siguracionet dhe jep nën dorë, tjetri nuk merr rrogën dhe merr nën dorë, duke u krijuar një sistem amullie. Pjesa më e madhe e mjekëve shqiptar janë të ndërgjegjshëm dhe punojnë me ndërgjegje. Por, nga kjo situatë amullie përfituan mjekë të tjerë që e kishin mendjen vetëm te leku. Duke qënë se u mbivendosën problemet, shteti nuk kishte kujt  t’i binte dhe çfarë bëri? Me popullin nuk merrej dot, filloi dhe i ra doktorit. Në kuptimin, që doktorit i kërkon kushtet maksimale të punës, që të punojë si në Amerikë, në Francë, në Gjermani, me standardet e tyre por kur vjen puna për t’i krijuar kushtet këtij doktori, kushtet i ka zero.

Mjekët e kanë kualitetin profesional, në çdo spital ku punojnë por në asnjë shërbim nuk ofrohet kualiteti maksimal sepse nuk ka kushte. Fillojmë me laboratorin.

Analiza që është “buka e përditshme” e thjeshtë e spitalit, nuk bëhen të gjitha. Në një moment të tillë, kur shteti nuk mban përgjegjësinë e vet dhe që këto probleme të mjekësisë përplasen te doktori… Çfarë do bëjë doktori? Do durojë sa do durojë, dhe pastaj do të ikë. Ky është problemi kryesor.

Së dyti, çështjet e organizimit të punës. Është një amulli totale, prej vitesh të tëra në spitale. Flas dhe për spitalin ku unë kam punuar. Drejtuesit e spitalit nuk kanë arritur ta zgjidhin çështjen e organizmit të punës dhe e keqja është se institucionet përgjegjëse, si Ministria minimalisht që duhet të futej ndërmjetëse për ta rregulluar këtë punë, nuk e ka rregulluar fare. Mesa mbaj mend unë, më shumë se 10 vite në atë spital, mund të ketë ardhur vetëm një Ministër një herë, për të qarë hallet e doktorëve.

Doktor, marrëdhënia juaj me spitalin rregullohet me një kontratë , a keni patur ndonjëherë probleme me kushtet e përshkruara në këtë kontratë?

Unë kontratën e punës nuk e kam parë ndonjëherë dhe se di fare se çfarë përmban kontrata.

Por, ju keni firmosur…

Do firmos se jam i detyruar. A kam mundësi dialogu për ktë kontratë? Nuk kam mundësi dialogu! Kur them unë, do të thotë të gjithë mjekët në Shqipëri, se kontrata është standarde. Nëse nuk firmos kontratën çfarë ndodh? Më heqin nga puna! Pra, unë nuk jam pjesë e negocimit. Unë kam detyrimin vetëm me firmos kontratën dhe kaq.

Detyrimi për mbledhje kreditesh…  A jeni konsultuar ndonjëherë se ku është nevoja për të ndërhyrë me edukim?

Që të rritesh profesionalisht, duhet t’u krijosh kushte profesionale doktorëve. Nëse nuk krijon kushtet profesionale, ka marr fund ajo punë. Bëj sa të duash edukim në vazhdim dhe trajnime. Po nuk i krijove kushtet dhe vendin ku t’i zbatojë këto njohuri është kot. Në rradhë të parë, mungon kushti.

Presioni!

Në një vend ku shteti nuk funksionon, ke presionin e popullatës. Mjekët po e pësojnë nga ky sistem. Dhe mjekët po mbajnë përgjegjësi për gjëra që nuk i kanë ato në dorë. Ka konflikte fizike pa fund dhe doktorët nuk shprehen. Disa raste bëhen problematike në media, herë të tjera nuk janë shprehur. Presione jo për faj të doktorit, por për faj të mosfunksionimit siç duhet të sistemit.

Paga.

Është problem në mënyrë kategorike. Si do ngrihet profesionalisht një mjek? Cilat janë mundësitë që një mjek shqiptar të ngrihet profesionalisht? Duke bërë edukim në Shqipëri? Zero! Po të shkosh në një konferencë jashtë Shqipërie, minimalisht Fee e rregjistrimit është 100 euro. A do shkojmë në një Kongres në vit diku? A e dini ju konston e kësaj? Rroga e mjekut shqiptar nuk e justifikon këtë përpjekje për rritje profesionale. A do bëjmë një artikull në një revistë shkencore? A do blejmë një libër shkencor?

Për mjekët është bërë prioritar mungesa e dinjitetit, por edhe problemi ekonomik sigurisht që është problem. Do mbaj familjen? Do ngrihet profesionalisht?

Këto janë problemet që për mua mjekët kanë sot dhë këto janë aryset se pse mjekët po e braktisin sistemin shëndetësor publik./ProPacientit.com  

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se keni nevojë për vitaminë D
5 pije që mbrojnë sistemin imunitar
4 zakone të përditshme për të shmangur ftohjet dhe gripin
Çfarë e shkakton migrenën
Studimi: Ecja 4,000 hapave një herë në javë, zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme te të moshuarit
Bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme, 1 vit pas zgjerimit të listës
Studimi: Këto janë 6 llojet e kancerit që po përhapen te të rinjtë
Nga shtimi në peshë te ndryshimi i rrahjeve të zemrës, studimi zbulon për herë të parë efektet anësore të antidepresantëve