“Ministria e Shëndetësisë nuk i ka paguar mjekët për ditët e patronazhimit. Përveç pagave, që është një shqetësim, problem më i madh është se javët e para i nisnin mjekët në ekip, tani i kanë nisur të vetëm duke krijuar edhe rreziqe të mëdha në mbulimin optimal të shërbimit sepse urgjencat apo rastet e vështira kërkojne ekip.”
Ky është denoncimi që ka bërë Pro Pacientit, që në muajin mars, ndërkohë që nuk pati asnjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në një intervistë, në Ora News, Ogerta Manastirliu është pyetur pikërisht për këtë çështje.
Pati një ngërç në fillim për dhënien e bonusin nga Ministria e Shëndetësisë për mjekët që shkojnë jashtë Tiranës… Çfarë ndodhi? U zgjidh si situata? Po e marrim bonusin?
Ndërkohë që Manastirliu e ka shmangur pyetjen duke u përqendruar te dyfishimi i sistemit të bonusit dhe mjekët që kanë pranuar të përfitojnë prej tij.
“Qeveria Shqiptare me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë ka vendosur të dyfishojë masën e bonusit për mjekët që pranojnë të shkojnë aty ku ka nevojën sistemi shëndetësor, për të ofruar shërbime .
“Duhet t’ja vlejë financiarisht, por është edhe çështje besimi, dhe unë besoj se mjekët kanë filluar të besojnë te sistemi i tyre. Shëndetësia është e mjekëve, e infermierëve dhe e qytetarëve. Ne jemi të përkohshëm, ndërtojmë politika, ndërsa janë ata që mbajnë sistemin dhe kemi respekt maksimal. Vlerësimi financiar është një instrument që i rikthen dinjitetin.
“Mjekët provuan dhe kemi kaluar 2 muajshin e parë të aplikimit të bonusit. Kemi 13 mjek në spitalet e vendit, si dhe kemi mjek të kthyer nga Italia (kardiologu në spitalin e Korçës), doktor Nevruz Bara , i cili la spitalin Universitar Shefqet Ndroqi për të dhënë shërbim 2 muaj në Kukës , kardiologia që vajti në Berat. “Të gjitha këto rrisin besimin e qytetarëve. Krijojmë një proces që i përgjigjen nevojave. Presim që 300 mjek të rinj të dalin nga sistemi i specializimeve, për të mbushur boshllëqet.”
Kjo ka qenë përgjigja e ministres për pyetjen e gazetareve. Përgjigje e cila lë ende të hapur pyetjen: A janë paguar mjekët që kanë ofruar shërbim në rrethe?