Eriola Çuko

  •  diabet 1111Diabeti ka njohur rritje të rasteve vitet e fundit, ndërkohë që mjekët apelojnë për parandalimin e kësaj sëmundje. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se kjo sëmundje po kthehet në ‘pandemi’ globale, në një kohë kur përllogarit se prek rreth 5% qind të popullsisë së botës  dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në  rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë numërohen 200 milion diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës. Sipas OBSH, diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%.

Edhe në vendin tonë, kjo sëmundje ka njohur rritje të rasteve, ndërkohë që mjekët shprehen të shqetësuar. Aktualisht, sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, përllogariten të jenë mbi 65 mijë të sëmurë me diabet, shifër kjo që ka një njohur rritje pothuajse dyfish gjatë 7 viteve, shprehen mjekët endokrinologë. Kështu, nëse në vitin 2004 përllogariteshin rreth 30 mijë të sëmurë me diabet të regjistruar, shifër kjo që është mbidyfishuar.  Sa i takon rimbursimimit të barnave, diabeti është sëmundja e dytë me rimbursimin më të lartë nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Nga të dhënat e Fondit, shihet dhe një rritje e rimbursimit për këtë sëmundje. Kështu, rimbursimi total i mjekimit të diabetit në 2010 ishte 686,412,474 lekë, në vitin 2011 ishte 793,735,770 dhe në 2012 ishte 1,003, 295, 526 lekë. Ndërkohë, në 2013, për periudhën janar-tetor, rimbursimi i medikamenteve për diabetin kap shifrën 1,017,333,210 lekë
Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Rreziku i diabetit qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien, sepse forma  e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët.

Diabeti tip 2 është rrjedhojë  e mënyrës jo të shëndetshme të jetës, ndërsa mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti, por edhe trashëgimia, janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes.   Diabeti, duke qenë sëmundje kronike, nuk shërohet por kurohet. Nëse kontrollohet mirë të lejon të bësh jetë normale. Diabeti mellitus, apo  sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit  në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulin, ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo pamundësisë  së veprimit te insulines në qelizat e organizmit.
Kush mund të preket nga diabeti ?
Diabeti mund të prekë çdo njeri. Faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet, moshat  mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale, etj.
Cilat janë shenjat e diabetit?
Shenjat e diabetit janë etje e shtuar, urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqëndrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme.
A mund të parandalohet diabeti?
Që të shfaqet diabeti duhen të kombinohen dy faktorë si trashëgimia dhe faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë. Mosha apo trashëgimia nuk mund të ndryshohet, por për faktorët që rrisin rrezikun për t’u bërë diabetikë, si mbipesha, obeziteti, duhanpirja, jeta sedentare , ushqyerja me shumë kalori etj, mund të bëhet shumë.
Diabeti është i parandalueshëm, nëse merren parasysh disa këshilla; kontrolle të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet; kontroll te tensionit te gjakut; mbajtje e peshes nën kontroll; aktivitet fizik 30 minuta të paktën në 5 ditë të javës; pakesim te yndyrnave në ushqim, sidomos ato shtazore; perdorimi i ushqimeve të pasura me fibra, si fruta, zarzavate, etj; mosperdorimi i duhanit dhe alkoolit.