Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”
Një kryefamiljar i vdekur dhe bashkëshortja e tij e plagosur. Ky ishte rezultati i një aksidenti të ndodhur me 24 shkurt 2016 në Levan të Fierit.
Vetëm dy javë më pas, fëmijët e viktimave të aksidentit akuzojnë mjekët se po mundohen që ta nxjerrin nënën e tyre nga spitali sa më shpejt, megjithëse ajo është shumë rëndë, me qëllim që të ndihmojnë autorin e aksidentit që të marrë dënim sa më të lehtë.
Në denoncimin e bërë në gazetën “Shëndet+”, djali i madh i familjes, Mandi Hoxhaj, shprehet:
“Po kërkojnë ta nxjerrin nënën me zor nga spitali, në një kohë që nuk është ende në gjendje, nuk po njeh as fëmijët e saj. Fillimisht e patëm të shtruar në Fier. Mjeku atje na tha se në gjendjen që ishte donte 3-9 muaj që të shërohej. Pastaj çuditërisht na erdhën dhe na thanë që ta nxirrnim. Ditët e para i jepnin ilaçe dhe valium për ta vënë në gjumë, ndërsa ditët e fundit nuk vinin ta shikonin fare.
“Nga moskujdesja e duhur e sollëm në Tiranë, në Spitalin e Traumës, por edhe këtu po përballemi me të njëjtën situatë. Në fillim doktori që po e pa nënën, tha se duhet të qëndronte të paktën katër ditë në vëzhgim e të mos lëvizë fare, ndërkohë të nesërmen në mëngjes vjen shefi i pavionit e na thotë që kam firmosur fletëdaljen se është mirë. Nëna ime ka pësuar dëmtime në kokë dhe nuk mban mend asgjë”.
“Ndërhyrjet i shikoj edhe nga ana e Prokurorisë. Prokurorja që ndjek çështjen nuk më priste gjersa vajta me mik dhe filloi të më justifikohej se ai që shkaktoi aksidentin është vetëm 18 vjeç e njëri pa njëri. Por çfarë më duhet mua kjo. Unë nuk po them ai e bëri qëllimisht, por nuk është një aksident që ka ndodhur në rrugë, ka ndodhur 5 metra jashtë saj, në bahçe. Nga aksidenti nuk po marr dot as akt-ekspertizën e nënës, vetëm të babait më kanë dhënë, me arsyetimin se nuk e ka sjellë mjeku ligjor. Vajta tek mjeku ligjor e më tha gati është, por nuk ka ardhur oficeri i policisë që ta çojë tek prokurori. Kur e marr oficerin e policisë në telefon më thotë “mos më shqetëso se jam me pushime”. Nuk e kuptoj se çfarë po bëhet këtu”.
Me këtë këmbëngulje, familjarët nuk kanë pranuar ta nxjerrin pacienten nga spitali, teksa me kartelë rezulton se ka dalë.
“Mamaja është këtu, por nuk njihet me kartelë. Kërkova t’i bëhej një konsultë nga psikiatrja, por doktori që është neurokirurg më thotë se ne përfaqësojmë edhe psikiatrin. Dje më thanë duhet të dalë se s’bën me forcë, ndërsa pasi folëm me shefin, na tha mund ta mbajmë sa të duash ti për hatrin tënd, ndërkohë që na rekomandoi ta ndjekë mjekja e lagjes. Por a mund ta ndjekë mjekja e lagjes në këtë gjendje!? Ne duam që rastin ta marrë një ekspert. E larguam nga Spitali i Fierit sepse një herë na thonin do rrijë 3 muaj, pastaj thonin mund të dalë. Këtu është e njëjta situatë. Thotë, ti mund të rrish por pa kartelë. Kjo gjë nuk bëhet për hatrin tim. Ose e mban dhe e mban me përgjegjësi, ose e heq dhe e heq me përgjegjësi.”
Mjeku: Gruaja ka humbur kujtesën, por fizikisht është mirë
Shefi i pavionit të neurokirurgjisë, Fatos Olldashi, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, thotë se nga ana mjekësore rezulton se pacientja është mirë.
“Pacientja është sjellë në gjendje të mirë dhe nuk ka pasur probleme për Spitalin e Traumës. Megjithatë pacientes i janë bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme, ndër to edhe skaneri, ku nga rezultatet ka dalë mirë (i njëjti rezultat me atë që i është bërë në Fier) dhe nuk ka nevojë të qëndrojë më në spital.
“Nga ana mjekësore ne i kemi bërë që dje dalje pacientes (më 4 mars), por po mbahet për rrethana sociale. Familjarët pasi na treguan situatën dhe na u lutën që ta mbanim akoma, për shkak të situatës në familje, pasi pacientja ka humbur bashkëshortin në aksident. I thamë mund të vazhdoj të qëndrojë gjersa ju të jeni vetë gati ta merrni në shtëpi.
“Por nga ana mjekësore theksoj se nuk ka asnjë problem për të vazhduar të marë trajtim nga Spitali i Traumës. Në çdo fletë-dalje,shkruhet që nga momenti që pacienti del nga spitali, trajtimin e vazhdon tek mjeku i familjes.”
I pyetur se pse familjarët këmbëngulin që pacientja të mos dalë nga spitali, ai përgjigjet: “Problemi qëndron këtu. Pacientët, dhe nuk është vetëm rasti i tyre, kanë idenë se po të qëndrojnë më gjatë në spital, dënohet më shumë ai që shkaktoi aksidentin. Prandaj mundohen me të gjitha mënyrat se si ta zgjasin këtë punë. Por kjo është puna e gjykatës, jo e jona. Edhe nga Fieri nuk kanë ardhur me rekomandimin e spitalit atje, por me këmbënguljen e tyre. Ky është Spital Traume dhe nuk përballon dot që të mbajë këtu çdo lloj aksidenti që ndodh në Shqipëri. Këtu mbahen vetëm rastet që kanë nevojë për operacione dhe që janë në gjendje të rëndë”.
Lidhur me faktin se familjarëve u është thënë në fillim se pacientja ishte në gjendje mjaft të rëndë dhe duhej të mbahej në vëzhgim të paktën për katër ditë me radhë, ai shprehet: “Doktori ka bërë një konstatim të përgjithshëm të situatës, pa kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme që përcaktojnë gjendjen e pacientit. Nuk ka në mjekësi të përcaktuar me orë apo ditë. Konstatimin e japin vetëm analizat e kryera, që në këtë rast dolën mirë. Pacientja ka vetëm një humbje të përkohshme kujtese të ngjarjes, pasi vetëm ngjarjen nuk mban mend, por që me kalimin e kohës rregullohet”.
Sipas policisë, aksidenti i ndodhur më 24 shkurt 2016 në aksin Levan – Fier, shënoi dy viktima: 66-vjeçarin Hajredin Hoxhaj, i cili vdiq menjëherë, ndërsa bashkëshortja e tij 63-vjeçare, Floresha Hoxhaj, u plagos.
Sipas nenit 290 të Kodit Penal, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet”.