Këtë herë në fokus të gazetës “Shëndet Plus” sjellim historinë e Xhenit, vogëlushes nga qyteti i Burrelit, e cila, betejën me jetën e ka nisur fare e vogël.
Aishe Thartori
Xheni është shtruar pranë pediatrisë, në repartin e onkohemotologjisë dhe prej disa muajsh lufton kundër sëmundjes së leucemisë. Në pamje të parë duket e heshtur, por pasi ke kaluar disa minuta me të, fillon të shfaqë shenja afrimiteti dhe të të tregojë gjërat e saj, që nga lodrat e deri tek vizatimet, një pjesë e së cilave qëndrojnë të varura mbi kokën e krevatit.
Fotot janë një tjetër pasion për të. Diku nxjerr një album dhe nis ta shfletojë duke folur rreth fotove dhe personave në to. Sot është e lumtur, sepse do të kthehet në shtëpi, ku do të mund të takojë jo vetëm të afërmit, por edhe shoqet e ngushta të cilat për muaj me radhë nuk ka mundur t’i shohë.
Xheni është ende e vogël për të kuptuar sëmundjen që i kanoset apo pamundësitë ekonomike të famijes për të përballuar sëmundjen që bart. E gjithë “barra” bie mbi nënën e saj, e cila prej muajsh i qëndron mbi kokën e krevatit. F.L me lot në sy rrëfen të gjithë historinë, nga dita e parë kur mësoi për sëmundjen e rëndë nga e cila vuante e bija dhe deri më sot që Xheni mbylli fazën e dytë të kurës. Na rrëfen për problemet e shumta me të cilat është përballur këta muaj, pranimin e një sëmundjeje të rëndë që kërcënon jetën e së bijës dhe pamundësinë për t’u përballur me faturat e ilaçeve, të cilat duken se po ia bëjnë gjithnjë e më të vështirë kurimin.
Prej sa kohësh jeni në dijeni të sëmundjes së Xhenit?
Problemet me Xhenin nisën fill pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në kanalet e lotit pasi ishin bllokuar. Që nga ajo ditë ankesat e sime bije për shëndetin nuk kanë reshtur në asnjë moment. Më ankohej shpesh për dhimbje trupi, dhimbje gjunjësh, ishte shpesh pre e gripit, temperaturës së lartë, kështu që iu drejtova spitalit të Burrelit. Mjeku fillimisht dyshonte për reumatizëm dhe i rekomandoi Amplicilin dhe Gentamicine, por nuk pati asnjë rezultat.
Si vepruat në momentin që shëndeti i vajzës vazhdonte të ishte i njëjtë?
Shëndeti jo vetëm që nuk u përmirësua, por gjendja filloi të rëndohej. Atëherë e mora vajzën dhe shkova sërish tek mjeku për ta vizituar. Në pamundësi për të bërë diçka më shumë, ai na rekomandoi që të shkonim në repartin e Reumatoligjisë Pedriatike në QSUT. U nisëm për në Tiranë, ku pas vizitës mjekësore vajza u shtrua në Reumatologji. Aty qëndroi për tetë ditë, duke ndjekur dhe një kurë gjilpërash.
Çfarë kure ishte?
Një kurë që i dha mjeku prej dhjetë gjilpërash pas vizitës së parë këtu, por që vajza nuk e kishte të nevojshme, sepse pasi bëri disa analiza të tjera dhe mielogramën u përcaktua dignoza përfundimtare që ishte Leucemi Akute (limfablastike). Në asnjë moment nuk më kishte shkuar ndër mend që ime bijë mund të vuante nga një sëmundje e tillë.
Sa kohë ka që qëndron e shtruar këtu në repartin e pediatrisë?
U bënë disa muaj që e kam shtruar vajzën këtu. Sot do të ikim në shtëpi pasi mbaroi fazën e dytë të kurës dhe do të kthehemi sërish në Tiranë pas tre javësh për të filluar fazën e tretë të kurimit që shpresoj të jetë e fundit.
Keni arritur të merrni një shërbimin mjekësor të plotë?
Po, jemi shumë të kënaqur me shërbimin qoftë nga ana e doktoreshës që ndjek nga afër vajzën, por edhe të infermiereve të cilat janë gjithmonë në gatishmëri për gjithcka që më nevojitet.
Gjatë një bisede të mëparshme më keni thënë që jeni pa punë si ju dhe bashkëshorti juaj. Të ardhurat e vetme janë ato që vijnë prej kempit modest që vajza merr në fund të muajit dhe të atij të invaliditetit që merr yt shoq. Si i keni përballuar të gjitha këto shpenzime?
Deri më tani më kanë ndihmuar të afërmit e mi, miqtë, gjë të cilën s’do ta bëjnë deri në pafundësi. Një pjesë e vogël e shpenzimeve u hoqën edhe nga disa shkolla të Burrelit, diçka e organizuar me iniciativën e lirë të nxënësve të këtyre shkollave, ku gjej rastin edhe t’i falënderoj nga zemra.
Kurat që vajzës i duhen, janë shumë të shtrenjta jo vetëm për ne që jemi një familje me kaq pak të ardhura, por për këdo. Një kurë shkon deri në 360 000 mijë lekë.
Sa është shuma që përfitoni nga kempi?
Të ardhurat e familjes sonë nuk arrijnë as shumën e 20000 lekëve (të reja)
Jeni munduar të kërkoni ndihmë nga shteti për t’ju rimbursuar apo mbuluar një pjesë të shpenzimeve?
Kam kërkuar ndihmë por është e kotë, deri tani ndihma e vetme që kam marrë ka qenë një gjilpërë falas, ndërkohë që të gjitha të tjerat me duhet t’i blej vetë.
Ku kërkuat ndihmë konkretisht?
(ndërhyn bashkëshorti)
Personalisht kam kërkuar ndihmë deri tek ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, për marrjen falas të medikamenteve të vajzës. Më tha të drejtohem tek kryefarmacisti në drejtorinë e QSUT, vajtja atje por nuk i kishin këto ilaçe. I thashë që po vij me rekomandimin e ministrit, nuk më kthyen përgjigje menjëherë, por më thanë që të pres. Pas shumë orësh pritjeje vjen kryefarmacisti dhe më bën me dije se ilaçet që më duheshin, nuk gjendeshin. Nuk kisha ç’të bëja tjetër, isha i detyruar të shkoja t’i blija personalisht në farmaci.
Zonja F. pas tre javësh nis kura e tretë, si do të veproni?
Nuk e di ç’do të bëj, për momentin mendoj vetëm të më bëhet mirë vajza. E vetmja gjë që më intereson është të shërohet dhe jam e gatshme të bëj çdo gjë për këtë. Një dëshirë e madhe e imja është që ta dërgoja vajzën për një konsultë mjekësore në Itali, pasi më kanë thënë që ka specialistë shumë të mirë, do doja shumë që vajza ime të merrte shërbimin më të mirë të mundshëm po pamundësia ekonomike po i mbyll shumë rrugë Xhenit.
