“Lëviz për Kopshtin Tim”, trajnohen monitoruesit për kopshtet e Tiranës

Shërbimi i kopshteve në Tiranë përballet me problematika të shumta, si: mbipopullimi, shpërndarja e pabarabartë, mosrespektim i standarteve të infrastrukturës fizike, të sigurisë dhe higjienës etj. Për këtë arsye, shoqata “Together for Life”, mbështetur nga Lëviz Albania me fonde të  Qeverisë Zviceriane, po zbaton projektin “Lëviz për Kopshtin Tim”. Një nga synimet e këtij projekti është edhe monitorimi i infrastrukturës dhe investimeve në 43 kopshtet e Tiranës për një periudhë 12-mujore, me qëllim informimin e qytetarëve dhe medias për të nxitur përgjegjshmërinë dhe transparencën e pushtetit vendor për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kopshtet e bashkisë Tiranë.

Moduli i monitorimit u hartua nga ekspertë të fushës, në zbërthim të standarteve të miratuara nga shteti shqiptar, ndërsa me qëllim plotësimin sa më korrekt të formularëve të monitorimit  nga ana e stafit të kontraktuar, shoqata “Together for Life” realizoi një trajnim, ku ekspertë të fushës dhanë udhëzimet e duhura për mënyrën e kryerjes së monitorimit, duke standardizuar dhe njehsuar  mjetet dhe mënyrat e dokumentimit të provave.

Monitorimi do të hedhë dritë në respektimin prej kopshteve të  aspekteve të tilla, si:  organizimi i fëmijëve në grupe, raporti fëmijë/edukatorë,  hapësirat dhe organizimi i ambienteve  të brendshme dhe të jashtme, mobilimi minimal i nevojshëm për secilin ambient, siguria dhe higjiena.

Stafi i kontraktuar për të punuar me monitorimet ngritën edhe çështje të tjera problematike, bazuar nga eksperienca dhe puna që bëjnë çdo ditë në terren të cilat do të merren parasysh për hapat në vazhdim të projektit.

Pjesë e stafit përgjegjës për monitorimin e kopshteve janë gjithashtu  edhe  gazetarë investigativë të mediave të ndryshme të shkruara dhe vizive,  të cilët do të punojnë në grupe për të evidentuar problemet të cilat ndeshen më së shumti në kopshte për t’i pasqyruar ato paskëtaj publikisht.

Monitorimi fizik i kopshteve do të pasohet nga anketimi i  një kampioni prej 1300 prindërish të përzgjedhur në mënyrë rastësore në secilin prej 43 kopshteve publike të Tiranës.  Gjetjet përfundimtare të këtij studimi do të bëhen publike dhe do t’u dërgohen institucioneve përgjegjëse të linjës.

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese