Lezhë, spitali nuk ka autoambulancë për të vdekurit

(Rasti i investiguar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, nga shoqata “Together for Life”, e mbështetur nga Ambasada Amerikane)

Trupat e të aksidentuarve apo viktimave në ngjarje të ndryshme për të cilët nevojitet autopsia, nuk mund të transportohen në morg me autoambulancë apo mjete të tjera të përshtatshme. Skandali i ndodhur në muajin prill të këtij viti, ku trupi i një 60-vjeçari të aksidentuar u transportua në karrocerinë e një kamionçine, ka ndikuar vetëm për zgjidhjen pjesërisht të kësaj problematike.

Aktualisht policia e Lezhës ka lidhur një kontratë me një agjenci funerale. Por mjekët e spitalit dhe banorë të Lezhës nuk e konsiderojnë këtë si një zgjidhje të përhershme. Kjo pasi, sipas tyre, mjetet funerale nuk kanë kushtet e përshtatshme për të transportuar viktimat, sidomos në rastet kur trupi mund të jetë i dekompozuar dhe rreziku i përhapjes së erës nëpër rrugë është evidente.

Nevruz BareDrejtori i spitalit: Nuk kemi ç’bëjmë

Nevruz Bara, drejtor i spitalit të Lezhës, pranon problematikën.

“Spitali nuk vë dot në dispozicion autoambulancë për shkak të mjeteve të kufizuara që disponojmë. Spitali rajonal i Lezhës duhet të përgjigjet për rreth 104 mijë banorë, të cilët mund të kenë nevojë për ndihma për sëmundje e emergjenca nga më të ndryshmet.

“Për këta 104 mijë banorë janë në dispozicion pesë autoambulanca, por jo të gjitha janë në gjendje teknike të mirë. Në rastet e transportimit të trupave të të ndjerëve, nevojitet një autoambulancë e veçantë, pasi nuk mund të vendoset i sëmuri në të njëjtin ambient, kur ndoshta një orë para tij në të njëjtin mjet është tranportuar një trup i dekompozuar.

” Unë si drejtues spitali nuk e kam lejuar transportimin e viktimave me autoambulancën që transportohen edhe të sëmurët. Mund të përmend këtu rastin e shtetases Lule Bashaj, 46 vjeçe, e cila u gjet në gropën e një ashensori në Lezhë në gjendje të dekompozuar. Ajo kishte tentuar mesa duket të hipë në ashensor pa e ditur që nuk ishte funksional, duke rënë kështu nga lartësia. Trupi i saj u gjet pas rreth një jave. Na njoftuan për trupin e një gruaje pa jetë dhe unë çova menjëherë autoambulancën për të marrë trupin. Nuk e dija se trupi kishte qenë i dekompozuar. Pas kësaj janë dashur ditë të tëra që të dilte era e kufomës së dekompozuar nga mjeti ynë, duke na vënë kështu në siklet me të sëmurët e tjerë që na duhej të tranportonim apo familjarët e tyre. Sigurisht që kjo mund të përbënte edhe rrezik për shëndetin e të sëmurëve. Është siklet për ne t’i fusim pacientët në të njejtin mjet që tranportojmë të ndjerët.

Zgjidhja e përkohshme dhe gjerësia e problemit

Sipas drejtorit të spitalit, Nevruz Bare, aktualisht trupat çohen në morg për kryerjen e veprimeve të duhura mjeko-ligjore me makinat funerale. Por, sipas tij, as kjo nuk është një zgjidhje e duhur, pasi mjetet funerale nuk janë të përshtatshme për të kryer një transport të tillë.

“Ne si spital nuk e zgjidhim dot për momentin këtë problematikë. Ligji mua ma jep të drejtën që ta zgjidh këtë duke kontraktuar një privat, por kjo është një kosto shumë e madhe dhe e papërballueshme. Policia e ka zgjidhur momentalisht me agjencitë funerale. Por as këto mjete nuk është se e kanë zgjidhur totalisht situatën, pasi ato nuk kanë kushtet e duhura për këtë. Duhet të kemi parasysh se mund të kemi edhe trupa të dekompozuar, ku mjetet duhet të jenë hermetike dhe të përshtatshme”, u shpreh Bare.

Ndonëse kjo situatë është bërë prezente që në muajin prill të këtij viti, dikasteri përkatës nuk ka marrë ende asnjë masë për të financuar një autoambulancë, e cila do të shërbejnë për transportimin e trupave të vitkimave nga vendet e aksidenteve apo të ngjarjeve drejt morgut.

Sipas drejtorit Baze, ky nuk është problem vetëm për spitalin rajonal të Lezhës, por për të gjithë vendin. “Lezha është përmendur shumë si problematikë pasi mediat publikuan rastin e të ndjerit që e hodhën trupin në një karroceri. Por unë mund të them se ky problem është për të gjithë vendin. Morgu nuk ka mjet të posaçëm për kufomat e rrjedhimisht trupat janë çuar për të kryer autopsinë ose me autoambulancat me të cilat transportohen edhe të sëmurët, ose të afërmit e viktimave kanë marrë vetë masa me mjetet e tyre”.

Qytetari: Të afërmin e aksidentuar nuk e mori as spitali, as policia

Banorët e Lezhës e konsiderojnë si skandal faktin që trupat e viktimave hidhen nëpër karroceri kamionçinash apo mjetesh të tjera  të papërshtatshme. Sipas tyre, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës dhe duhen marrë masa që kjo problematikë të zgjidhet një herë e mirë.

Pjetër Zefi, banues në qytetin e Lezhës, shprehet se dy muaj më parë i kishte vdekur në një aksident një i afërmi i tij. Ata ishin ndeshur me peripecitë e marrjes së trupit nga vend i ngjarjes, pasi askush nuk iu ishte përgjigjur për tranportimin e kufomës për në morg.

“Nuk na përgjigjej as policia, dhe as spitali. Morgu nuk kishte një mjet për të transportuar trupa të viktimave e për rrjedhojë u detyruam dhe bëmë si bëmë vetë me mjetet tona. Më duket se e kanë zgjidhur për momentin situatën me makinat funerale. Por as kjo nuk më duket zgjidhje e mirë, pasi nuk janë të përshtatshme për ta kryer këtë”, u shpreh Pjetër Zefi.

Ashtu sikurse ai, janë me dhjetëra banorë të Lezhës që në raste fatkeqësish familjare janë ndeshur me situata të tilla dhe iu është dashur ta zgjidhin me makinat private të tyre.

Zanafilla e bërjes publike të problemit

Më 25 prill 2015 mediat fiksuam me pamje transportimin e një kufome me kamionçinë. Bëhej fjalë për trupin e të ndjerit Gëzim Sula, 60 vjeç, të cilin e kishte aksidentuar një makinë në rrugë. Trupi i tij u gjet në orët e paradites në aksin Lezhë-Laç. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, por spitali nuk iu përgjigj për tranportimin, duke argumentuar se ky institucion spitalor kryente vetëm transportimin e të sëmurëve, dhe jo të viktimave.

Të gjendur në këto kushte, pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, policia, në prani të dhjetëra dëshmitarëve, mbështolli trupin me një batanije dhe e hodhi atë në karrocerinë e një kamionçine e cila u ndodh rastësisht aty.

Pas pamjeve të publikuara në media, nisi edhe procedimi në gjendje të lirë për drejtorin e spitalit, për mjekun ligjor P.L., dhe mjekun e spitalit të Lezhës, A.B. Ata u akuzuan për shpërdorim detyre. Ndërsa në lidhje me mënyrën e tranportimit të viktimës, për tre punonjës të policisë rrugore u vendos masa disiplinore për “shkelje të rëndë të kodit të etikës” dhe “procedurave standarde të punës”.

Postime të ngjashme

Raporti i KLSH për Onkologjikun, si falsifikohej data e skadencës së ilaçit për të sëmurët me tumor
Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!
Tetori rozë, Rama: Bëni mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale
Emërohet drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik
“Po manipulohen videot e mia”- Kreu i Urgjencës: Persona abuzues përdorin imazhin tim për të shitur produkte mjekësore të dyshimta
Trump shpall tarifën 100% për produktet farmaceutike të markave të njohura
Eugena Tomini emërohet zv.ministre e Shëndetësisë
Sa duhet të qëndrojnë fëmijët para ekranit? Ja çfarë thotë mjeku