Mirela Hasanaj (3)

Bisedoi: Elona Tereziu

“Bëjeni me pasion dhe përkushtim atë që merrni përsipër, por, mbi të gjitha, jini të sinqertë”. Kjo është motoja e një femre të suksesshme. Mirela Hasanaj është simboli i asaj femre ku e ëmbla dhe e forta gërshëtohen mjaft bukur bashkë.  Ajo është nënë, grua dhe femër e suksesshme. Me një sërë specializimesh brenda dhe jashtë vendit, ajo sot drejton një prej qendrave shëndetësore më të mëdha në vend, siç është ajo e Specialiteteve Nr.2 në Tiranë.

Në këtë qendër, veç postit të drejtoreshës, ajo ushtron edhe profesionin e  saj si mjeke aleorgologe prej më shumë se 8 vjetësh.

E megjithatë, ajo tregon se rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë fort e lehtë. E diplomuar për mjekësi të përgjithshme në Universitetin e Plemenit (Bullgari), një specializim për alergologji-imunologji klinike në Tiranë dhe një tjetër për pediatri në Itali, ajo tregon se i është dashur të punojë edhe si mjeke kopshti thuajse për thuajse dy vjet.

“Unë kisha një kontratë me Qendrën Spitalore Universitare. Punoja në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme. Pas tre vjetësh punë aty, m’u desh të shkëputesha një vit për të kryer një specializim në Itali. Kalvari i të gjitha peripecive nis pikërisht  me kthimin  në Tiranë. Në atë kohë u ndryshuan qeveritë, unë humba vendin e punës, kontrata ime iu dha dikujt tjetër dhe nuk e gjeja dot.”

E megjithatë, si e para mjeke që kish mbaruar në kohë shkollën jashtë dhe kthehej në vend për të dhënë kontributin e saj, nuk mund të mbetej për shumë kohë “viktimë” e një gabimi të tillë. Ajo tregon se kur Anila Godo u bë ministre Shëndetësie, i tha: “Zgjidh ku do të shkosh”. “Më emëruan në Poliklinikën Qendrore, por nuk pranova. Doja tek 21 dhjetori pasi këtu jam gocë lagje.”

Suksesin e saj si mjeke, Mirela ia dedikon të atit. “Mjekësia ka qenë ëndrra e babait tim, por ashtu si ndaheshin degët në atë kohë, ai nuk mundi ta realizonte. Donte patjetër që këtë pasion t’ia përcillte fëmijëve të tij, më zgjodhi mua, por që nuk doli për keq, unë sot e kam gjetur veten aty ku duhej”.

Para se të merrte postin e drejtoreshës në mars të 2013-s, ajo tregon se ka lektruar edhe në Fakultetin e Infermierisë si pedagoge e jashtme, si dhe në dy universitete jopublik.

Do t’ia kishim dalur pa mbështetjen e prindërve? Ajo tregon se ato kanë qenë mbështetja kryesore në kuptimin e plotë të fjalës, ndërsa çelësi që e bën një femër të suksesshme janë dëshira dhe përkushtimi për atë që merr përsipër.

Mirela Hasanaj (1)

Doktoreshë Mirela, si ka qenë puna juaj gjatë kësaj kohe?

Puna ka plot vështirësi, por njeriu merr edhe kënaqësi, kur i arrin gjërat me kulturimin e tij. Ne kemi të bëjmë me pacientë të sëmurë, pacientë që duan zgjidhje në moment dhe duke qenë se sistemi ynë shëndetësor në njëfarë mënyrë nuk ka funksionuar siç duhet, shto këtu dhe mediat, kemi qenë gjithmonë ajo “delja e zezë”, edhe pse mjeku është figura më e nderuar dhe më e respektuar.

Pse zgjodhët mjekësinë, ishte dëshira juaj apo një zgjedhje e imponuar?

Unë jam fëmijë i dy arsimtarëve. Jam vajzë e një babai ëndrra e të cilit ka qenë gjithmonë të bëhej mjek. Ndërsa unë kisha pasion juridikun, e doja dhe vazhdoj ta dua shumë pjesën e vendosjes së ligjeve. Por një dashuri e dytë për mua kanë qenë edhe lëndët shkencore si kimia e biologjia, i doja shumë këto lëndë dhe gjithmonë kam shkëlqyer.

Duke qenë një nxënëse shumë e mirë, është mëse normale që do ta përmbushja ëndrrën e tij, por në këtë mënyrë do të vazhdoja edhe traditën e një fisi “me shumë bluza të bardha”.

Pra, nëse nuk do të kishit filluar mjekësinë, sot do ju shikonim në diplomaci?

Po. Në diplomaci do ta gjeja veten aq sa edhe tek mjekësia.

Mos do të thotë kjo që traditën do ta vazhdojë edhe Altea?

Altea është ende e vogël për ta kuptuar, por me sa shoh se ka me shumë qejf. Është më tepër e mënjanuar nga arti. Por sigurisht që do të kisha dëshirë t’ia trashëgoja. Do të doja të bëhej e zonja e vetes, pasi mjekësia është një profesion që të bën të mos ia kesh nevojën askujt. Femrat mjeke janë shumë të zonjat, kështu që patjetër që do ta kisha synim edhe për vajzën.

Sa e vështirë është për ju të jeni njëherësh edhe nënë, edhe grua, edhe mjeke, edhe drejtoreshë?

Shumë e vështirë. Ndonjëherë është ajo forca shpirtërore, ajo dëshira e madhe për të bërë punën siç duhet që të jep njëfarë shprese dhe kur ti zgjohesh në mëngjes thua, do e bëj dhe këtë, do kalojë dhe kjo ditë. Unë kam pasur mbështetjen e prindërve të mi. Ata kanë qenë shtylla kryesore e imja në kuptimin e plotë të fjalës. Mamaja ime është mësuese dhe me pjesën e edukimit të Alteas është marrë thuajse vetëm ajo. Kur unë shkoj në darkë, i kontrolloj detyrat dhe ajo më reciton ndonjë vjershë. Duke qenë se e di që jam gjithmonë e zënë, ajo më thotë vërtet po më dëgjon apo nuk e ke mendjen (qesh)?

Është shumë e vështirë, por njeriu duhet të mësojë ta programojë kohën. Mua më vjen keq vetëm për diçka. Shumë njerëz të mi, miq dhe të afërm i kam mënjanuar sepse nuk kam kohë t’i takoj të gjithë dhe për këtë ndiej njëfarë pendese, megjithëse kam gjetur mirëkuptimin e tyre dhe komunikojmë herë pas herë.

Mirela Hasanaj (2)

Sa e rëndësishme është marrëdhënia me kolegët dhe pacientët?

Shumë e rëndësishme, sidomos me kolegët. Në postin drejtues ti nuk duhet të mbash absolutisht anën e askujt apo të hysh në thashetheme as me njërin, as me tjetrin. Unë nuk kam ditur kurrë të gënjej, gënjeshtra për mua nuk ka ekzistuar. Nëse kam gabuar në diçka, kam ditur edhe të kërkoj falje.

Me pacientët i kam marrëdhëniet perfekte. Për mua pacienti është Zot, sado faj që të ketë, unë jam sjellë ashtu siç duhet. Edhe nëse më ka ngritur zërin për momentin, edhe nëse më ka sharë, ka qenë po ai pacient që ka ardhur mbas një jave e më ka kërkuar falje.

Unë komunikimin do ta vendosja në vend të parë në ditët e sotme dhe do doja t’i jepja një mesazh të gjithë kolegëve të mi. Nëse njeriu di të komunikojë, nëse njeriu di të sillet, atëherë çdo pacient, qoftë edhe ai më i vështiri, do të përulet.

Kush mendoni se janë më të devotshëm në punë, meshkujt apo femrat?

Të dyja palët. Gjithçka varet nga dëshira e vetë personit. Mund të them vetëm që femrat janë më të përkushtuara dhe më të vëmendshme, pavarësisht se përzgjidhen meshkujt, sepse pacientit një mashkull i duket më doktor.

Pse në Qendrat Shendetësore personeli mjekësor dominohet gjithnjë nga femrat?

Po, është e vëertetë. Mjekët kërkojnë më tepër të punojnë nëpër qendrat spitalore, sepse aty kryhen ekzaminime më të mëdha, siç janë operacionet, skanerat, rezonancat etj. Unë e kam zgjedhur vetë pjesën e Poliklinikës. E para, sepse këtu m’u dha mundësia për t’u futur dhe e dyta, sepse në Poliklinika ndihesh më rehat, në kuptimin që ke më tepër kohë për vete dhe familjen. Megjithatë, duhet thënë se edhe qendrat tona spitalore nuk është se janë qendra të mirëfillta këkimore në kuptimin e plotë të fjalës, pra, që të nxjerrin ekzaminime e parandalime.

Sa e vështirë është në ditët e sotme për një femër të bëjë karrierë?

Është shumë e vështirë, por do të thosha se, nëse njëriu është i përkushtuar, e bën me dëshirë dhe pasion atë që mer përsipër, do ta arrijë dhe nuk ka pengesa për këtë gjë. Ne në jetë do të hasemi edhe me njerëz që përpiqen të na anashkalojnë, por nëse jemi të sinqertë dhe punojmë me ndershmeri, nuk e bëjnë dot. Një njeri i tillë i lë gjurmët e tij kudo që shkon.

Figura mashkullore më domethënëse për ju?

Babai im. Babai im ka qenë gjithë jetën drejtor dhe satisfaksioni i tij është se edhe sot po del në pension si drejtor. Ai është idhulli dhe shembulli më i mirë për mua. Kudo ku ka punuar, ka lënë një dashuri dhe respekt të veçatë, jo vetëm tek kolegët e tij, por nxënësit e tij që nuk harrojnë ta kujtojnë për çdo 7 mars, edhe pse mund të kenë kalur kaq shumë vite.

Pavarësisht se vitet ikin, një njeri i sinqertë e lë gjithmonë një vend në shoqërinë ku ai ka punuar. Edhe unë këtë do të desha.

A do ta shohim ndonjëherë doktoreshë Mirelën në politikë?

Një profesor i imi, ku unë kam kryer studimet na thoshte gjithmonë: “Një mjek i dështuar mund të bëhet një politikan shumë i zoti”. Nuk mund të them që kjo vlen për të gjithë, por një mjek që është i zoti, i aftë dhe profesionist në punën e tij në mënyrën më maksimale të mundshme, nuk mund të bëhet politikan asnjëherë.

Një këshillë për të gjitha femrat

Mesazhi im për të gjitha femrat është: Duajeni dhe respektojeni veten. Jini gjithmonë të drejta dhe sinqerta. Atë që merrni përsipër, përkushtojuni dhe bëjeni me pasion.