Bruna Shiroka (1)

Bisedoi: Denisa Canameti

“Hapi i parë për të përjashtuar gjërat e padëshiruara nga jeta është kjo: Vendos çfarë do”. Pavarësisht dëshirës për të qenë juriste, doktoreshë Bruna Shiroka ka vendosur t’u shërbejë lumturisht pacientëve të saj në Qendrën Shëndetësore numër 3.

25 vjet mjeke. 25 vite punë intensive, plot sfida, por edhe kënaqësi. Intensiteti i një pune të tillë, çuditërisht doktoreshës nuk i ka rrëmbyer as buzëqeshjet dhe as qetësinë.

Në një intervistë shumë të sinqertë për gazetën “Shëndet+”, doktoresha rrëfen diçka më shumë për punën e saj, marrëdhënien me kolegët, pacientët dhe familjen.

Kush është doktoreshë Bruna Shiroka?

Jam mjeke prej 25 vitesh. Më duket vetja më e vjetra këtu. Kur numëroj vitet më duken shumë. Më duket si ëndërr, një punë intensive, një punë e investuar. E kam marrë punën në një zonë ku thuajse nuk ekzistonin pacientë. Ishin vitet ‘91 dhe një pjesë e pacientëve kishin emigruar. Ishin kartela thuajse fiktive. Me lëvizjen e popullatës zona ime, për fat të mirë, u shtua. Sa thuajse nuk e menaxhoja dot. Pra, fillova të depistoja vetë popullatën. Dhe arriti numri i banorëve 4000.

Puna ka qenë e madhe. Por vjen një moment që ia mbledh rezultatin punës.

Cilat janë rezultatet që keni mbledhur?

E kam nisur punën me një amanet të prindërve të mi. U ndrittë shpirti se nuk jetojnë më. Më kanë thënë që nëse vendos të bëhesh mjeke, mendo që vetëm do t’i shërbesh pacientit, mos mendo asgjë tjetër. Ndoshta duket naivitet ta nisësh punën kështu, por mua më ka shërbyer. Sot i ndiej pacientët miq. I ndiej pjesëtar të familjes. I njoh problemet e tyre. Se nganjëherë problemet në jetën e përditshme janë shkak edhe për problemet shëndetësore. Më dhemb kur një pacient më ikën nga jeta. Kënaqem kur ecin mirë. Kënaqem kur shoh rezultate pozitive.

Mjekësia, zgjedhje e prindërve? Tjetër pasion?

Juridiku. Ishte zhgënjim shumë i madh kur pashë që më kishte dalë mjekësia. Edhe pse ishte profesion shumë i preferuar dhe vazhdon të jetë. E nisa me seriozitet. Punën kështu jam munduar ta marr që në shkollë.

25 vite punë? Sa e vlerësuar ndiheni?

Për momentin ndihem shumë e vlerësuar. Të vlerësuar më bëjnë rezultatet e punës këtu. Ne kemi një matshmëri të rezultateve. Kemi indikator performance. Në gjithë këto vite punë, këta indikatorë kanë qenë përtej normës. Pra, jam ndjerë shumë mirë nga ana e pacientëve.

Mjekësia është profesion që nuk ka orar, si ka reflektuar kjo gjë në marrëdhënien me familjen? 

Është e vërtetë. Telefoni im është i hapur gjithë kohës. Familja, jo me shumë dëshirë, më ka pranuar kështu, sepse sigurisht kur të bie telefoni dhe ngrihesh nga gjumi natën, nuk është një gjë e këndshme. Megjithatë, një pacient e shtyn nevoja shumë e madhe që të të telefonojë në atë orë. Një fjalë e mjekut atij i zgjidh punë. Kam zgjedhur të mos e mbyll telefonin natën.

Kam një vajzë dhe një djalë. Djali është në shkollë, po mbaron 3-vjeçarin juridik. Vajza po punon në një depo farmaceutike. Asnjëri nuk preferoi mjekësinë. Ndoshta nuk u pëlqeu mënyra ime e punës. Se unë isha pjesa më e dobët investuese në familje. Ndoshta panë anën monetare, sepse mjekësia është më shumë sesa investim monetar: është investim moral.

Në fakt,  mjekësia veç prestigjit që ka si profesion, zgjidhet edhe për faktin se shumë besojnë se të bën të pasur…

Të bën të pasur shpirtërisht. Mjeku që është mjek, nuk bëhet dot i pasur financiarisht. Por bëhet shumë i pasur shpirtërisht. Ai merr falënderime pa fund gjithë ditën.

Doktoresha, bashkë jemi njohur në një situatë jo fort të këndshme. Në një kohë kur në redaksinë tonë trokiti një rast, që sot ndiqet penalisht, që kërkonte pa të drejtë që ju t’i firmosnit një çertifikatë vdekje. Në atë kohë kam vënë re qetësinë tuaj. Sa të shpeshta janë këto raste përplasjesh me pacientë dhe si arrini ta ruani qetësinë?  

Për fat të mirë këto përplasje nuk janë shumë të shpeshta. Një moment i tillë si ai që keni ndjekur edhe ju, më ka kushtuar një muaj. Një muaj stres. Ishte dominante e ditës. Ishte stresi i ditës. Nuk ishte pacienti im personal, por ishte e nevojshme ruajtja e qetësisë në vendin e punës. Duhet të parandaloja dhe një konflikt, qoftë edhe fizik me mjeken. Një rast kriminal. Nuk di ta përshkruaj. Kisha takikardi çdo ditë. Nuk kisha qetësi.

Emocionet e punës i mbartni edhe në shtëpi? 

Në fillim po, dhe i diskutoja. Pastaj u bëra shumë e mërzitshme, dhe jo më. Ndonjë rast të veçantë.

25 vite punë, përpjekje, dhe prapë dëgjoni që mjekët sulmohen, nuk vlerësohen. Ju ku e shikoni figurën e mjekut sot?

Lë për të dëshiruar pozicioni i mjekëve. Por, nëse mjeku jep shpirtin në punë, nuk do të ketë feedback negativ nga pacienti. Opinioni krijohet nga puna e mjekut. Ndonjëherë në kohën që jetojmë, të vjen edhe turp të thuash që jam mjek. Megithatë, duhet thënë që sistemi ambulator ka mbetur “i virgjër” nga problemet e rënda që mund të ketë mjekësia dhe mjekët. Sistemi është shumë i mirë, por sa e bën mjeku punën. Pra, sa e bën ti këtë punë? Hapësira të është dhënë, mundësia të është dhënë. Sa bën ti?

Ne kemi bërë një kontratë. Nëse nisemi nga paga për shembull, rroga asnjëherë nuk është e kënaqshme, njeriu kërkon gjithmonë më shumë. Me pak lekë kemi pranuar, kemi firmosur. Sistemi ambulator ka mbetur i pastër edhe në marrëdhënien mjek -pacient.

Si ka ndryshuar kjo marrëdhënie me kohën?

Unë këtu mjekët e rinj i shoh shumë të përkushtuar. Ka të bëjë dhe historia e punës në një qendër shëndetësore. Komunikimin me pacientin e kemi të parin. Priroriteti i punës është pacienti. I sëmuri që vjen, nuk vjen për t’u konfliktuar. Mënyra sesi e kërkon, e drejtë apo e padrejtë, ai është i sëmurë dhe do t’i japim gjithmonë të drejtë. Me këtë parim ia dalim punës.

Të qenët në post drejtues…

Të qenët në post drejtues, në pjesën e marrëdhënies me kolektivin dhe modaliteteve të krijuara në pozitivitet e quaj privilegj. Kam parë që kur mjekët kanë hapësirat e duhura dhe janë bashkëpunues me njëri-tjetrin e bën punën më të mirë. Ndërsa këtë pjesën tjetër të punës, si ana e dokumentacionit ose sistemet e tjera, ta shtojnë ngarkesën. U bënë dy vjet dhe ia mora dorën.

Doktoreshë, reflektoni shumë qetësi, shumë buzeëqeshje, si duket kjo është pjesë që edhe stafi i Qendrës Shëndetësore e vlerëson…

Është krijuar me kohën.

Ta lë mjekësia një luks të tillë?

Po. Është zgjedhje nëse do të konfliktohesh apo të gjesh rrugën e bisedimit.

Sfida më e madhe e ditës?

Një pacient që vjen dhe nuk e di çfarë kërkon. Një pacient që është i çuditshëm, ka kërkesa të çuditshme, por në fund del i buzëqeshur është sfida më e madhe.

Cila është gjëja më e bukur që të ka dhënë kjo punë dhe gjëja më e bukur që të ka marrë?

Gjëja më e bukur që më ka dhënë është paqja, satisfaksioni. Më ka marrë kohën. Në shtëpi ka ditë që s’të del koha të hapësh një libër. Se një mjek nëse i kalon një ditë pa hapur një libër, mbetet mbrapa. Kohën ma “ha”, por me kënaqësi.

Marrëdhënia me mediat?

Sigurisht që duhet të bëjnë punën e vet dhe kur ka probleme të evidentohen. Kjo i shërben punës.

Sot ka shumë informacion shëndetësor. Si e përdorin pacientët?

Nëse pacienti përdor internetin për të vënë një diagnozë, kjo është shumë e gabuar. I bie që mendja njerëzore të mos futet në funksion. Shpeshherë diagnozat e vëna në bazë të simptomave që përcaktohen në internet, nuk janë të vërteta. Por ne përpiqemi ta gjejmë gjuhën e përbashkët. Ia shtrojmë problemin e tillë, që kjo gjë është në dorë të mjekut.

 

Të rinjtë e stafit

Stafi i ri është shumë, është rinovuar thuajse 70% dhe ka një mbarëvajtje të shkëlqyer. Numri i infermierëve rreth 40, mjeke diku 37. Fluksi është goxha i madh. Kam qenë dhe vetë e re dhe më ka interesuar idea që dikush të më jepte një dorë. Një shoqe më ka dhënë vetëm një kopje recetë kur kam filluar punë dhe kjo më është dukur gjëja më e madhe.