Denisa Canameti
Më 22 tetor 2014, u hap klinika e shërbimit të kimioterapisë në Spitalin Rajonal të Durrësit. Pas QSUT-së, ky spital është i pari që ka një klinikë të tillë ku do të ofrohet edhe shërbimi i kujdesit paliativ. Spitali i Durrësit është i pari i përzgjedhur nga spitalet rajonale në vend për hapjen e kësaj klinike, edhe si një domosdoshmëri për shkak të numrit të lartë të të sëmurëve tumoralë në rajon. Duke iu referuar statistikave, vetëm në vitin 2013 janë diagnostikuar 234 raste të reja me kancer, ose 25% rritje krahasimisht me 2012. Rreth 70% e pacientëve kanë nevojë për kimioterapi.
Kjo zgjedhje/zgjidhje do të lehtësonte në mënyrë indirekte edhe mbingarkesën që ka patur dhe ka sot shërbimi onkologjik. Sipas planeve të Ministrisë së Shëndetësisë, shërbimi universitar në Spitalin “Nënë Tereza” pretendohej se do të mbështeste edhe një vit më vonë (2015) këtë spital, derisa të fillonin të transferoheshin gradualisht, fillimisht pacientët, pastaj protokollet dhe mjekimet bazë.
Sot, pas 3 vitesh nga ky premtim dhe investim i qeverisë, duket se shërbimi i kimioterapisë ka nisur krizën për medikamente. Në një rrëfim të shkurtër për “Pro Pacientin”, djali i një prej zonjave (me iniciale Y.T), të diagnostikuar me kancer gjiri, thotë se ka 6 muaj që merr herceptinën në QSUT.
“Mami fillimisht ka marrë herceptinë në Durrës. Në korrik u ndërpre dhe erdhëm në Tiranë. Mami është bërë operacion më 22 shkurt (para 2 vitesh). Anjëherë nuk e ka marrë rregullisht ilaçin. Në Durrës i merrte rregullisht. Kur erdhëm në Tiranë, u prish rregulli”, shprehet ai.
Edhe pse Ministria e Shëndetësisë pretendon se ka 4-fishuar Herceptinën, barin që trajton posaçërisht sëmundjen e kancerit të gjirit nga 833 flakonë në vitin 2013, në sasinë 3530 flakonë, si dhe ka rritur financimin për barnat e kimioterapisë dhe hormonoterapisë, me synim mbulimin e të gjithë pacientëve të diagnostikuar, me trajtimin e duhur bazë, kriza për medikamente vazhdon e njëjtë edhe në rrethe.
Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu, 5 kabinetet e kimioterapisë për diagnozat e tumorit të gjirit në spitalet rajonale në Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Korçë trajtojnë rreth 100 raste në vit.
Pacientët nuk besojnë më as në cilësinë e ilaçeve
Nertila Çelestina është nga Lezha. Ajo është diagnostikuar me kancer gjiri dhe kancer në qafën e mitrës. Prej vitesh është paciente e rregjistruar në QSUT. Themi e rregjistruar pasi kjo paciente prej një viti ilaçet i siguron nga jashtë.
“Nuk marr asnjë ilaç në Shqipëri prej një viti. Edhe një që e marr diku me porosi të veçantë, e marr kontrabandë fshehurazi. Një farmacist e gjen në një shtet tjetër, që të parandaloj zhvillimin e kancerit dhe të shmang thika të tjera në trup, siç do t’i haja në rast s’do të gjeja ilaçin. Vetëm ato kontrabandë janë cilësore në Shqipëri. Që nuk iu intereson t’i fusin në treg, pasi i mbetet hatri doganierëve e shteteve matrapaze të ilaçeve të tjera skandaloze. Tjerat, po mbysin shqiptarët, po i shtojnë masën e dhimbjen e kokës, stomakut etj. Kam hequr dorë nga sistemi mjekësor e farmaceutik legal i këtij vendi”, shprehet Çelestina.
Ndërkohë, vetë profesionistët kanë pranuar se barnat të cilat nuk janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë mund të jenë barna fallse, mund të jenë barna të cilat nuk përmbajnë pricipin aktiv të saktë, barna të prodhuara jashtë standardeve dhe etapave që kërkon prodhimi. Barna të cilat e kanë humbur vlefshmërinë për shkak të kushteve të ruajtjes, të transportit etj. Pra, barnat të cilat nuk shoqërohen me një certifikatë prodhimi dhe që nuk i kalojnë të gjitha etapat e regjistrimit nuk mund të jenë kurrsesi të sigurta për përdorim.
“Shpeshherë flasim dhe ngremë zërin: U gjetën në farmaci barna pa pullë. Pse u gjetën? Deshi farmacisti, deshi mjeku apo se është kërkesë e tregut dhe nuk gjenden? Këtu do ta kapja zanafillën e barnave pa pullë… ” Diana Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë
EDA: Administrimi me vonesë i barit, pasoja në ecurinë e sëmundjes
“Protokolli përcakton qartë se gratë e diagnostikuara me kancer gjiri të hershëm ose metastatik që kanë rezultuar HER2+ , duhet të trajtohen me trastuzumab ( Herceptin) çdo 21 ditë për 18 cikle në kancerin e gjirit të hershem dhe deri në progresion të sëmundjes kur kanceri gjirit është metastatik. Administrimi me vonesë i barit mund të ketë pasoja në ecurinë e sëmundjes, e cila mund të përkeqësohet më shpejt.
“Gjithashtu, në kushtet kur premtohet një sistem shëndetësor me mbulim universal, është e papranueshme që ende 40 gra të jenë në listë pritje dhe mos t’ju jepet mundësia e trajtimit në kohë”.
Manastirliu: Për vitin 2017 buxheti i citostatikëve është rreth 657 milionë lekë
(Seancë dëgjimore me Ministrinë e Shëndetësisë dhe grupet e interesit në lidhje me masat e marra në kuadër të tetorit, muajit të depistimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit. Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Tiranë, më 17.10.2017)
Rimbursimin e diagnozës së kancerit të gjirit e gjetëm në vitin 2013 me 71 milionë lekë. Sot e kemi dyfishuar, janë 139 milion lekë rimbursim për kancerin e gjirit, ndërkohë që barnat antineoplazike dhe imunosupresore, vetëm nga skema e rimbursimit financohen me 1.2 miliardë lekë, duke përfituar kështu 3349 pacientë në vit.
Rritëm buxhetin e citostatikëve dhe ulëm çmimin e barnave, duke shtuar përfituesit në skemë. Në shërbimin spitalor për vitin 2017 buxheti i citostatikëve është rreth 657 milionë lekë dhe vetëm barnat citostatikë për kancerin e gjirit kanë një buxhet minimalisht 333 milionë lekë në vit.
Në vend, janë trajtuar vetëm për vitin 2017 rreth 816 pacientë, ndërkohë që linjat e para dhe të dyta të trajtimit mbulohen në QSUT dhe në 5 njësitë e spitaleve rajonale 100%. E gjetëm Herceptinën, barin që trajton posaçërisht sëmundjen e kancerit në gjirit me 833 flakonë në vitin 2013, sot e kemi 4-fishuar sasinë krahasuar me vitin 2013 dhe kemi në QSUT në përdorim barin transuzimat në sasinë 3530 flakonë. Të gjithë besoj e kujtoni spitalin Onkologjik 4 vjet më parë. Sot aty ofrohet shërbim dinjitoz nëpërmjet një spitali ditor me standarde, ku ofrohet shërbimi i kimioterapisë ditore.
Trajtimi i sëmundjeve tumorale ka qenë në këto 4 vite dhe do të vijojë të mbetet prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Investimi për trajtimin e sëmundjeve tumorale prej 2014-ës e në vazhdim është rreth 600 milionë lekë, ku përfshihen: akseleratorë linearë në QSUT në njësinë e re të radioterapisë, rikonstruksioni i të gjitha ambienteve në lidhje edhe me ndërtimin e bunkerit për akseleratorët linearë, pajisjet në të gjithë qendrat e kimioterapisë në vend më poltronat e kimioterapisë, rikonstruksionin dhe pajisjet për të gjitha këto punktet e kimioterapisë me vlerë 3.2 milionë euro, mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore për të gjitha ato pajisje që janë në kuadër të diagnostikimit dhe trajtimit, duke i futur në një mirëmbajtje full risk.
Mungesa e medikamenteve (mosmarrja e shërbimit shëndetësor)
Të gjithë shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat, përfshirë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti, pa u diskriminuar për shkaqet si raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër (nenet 18 dhe 55, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 14 dhe neni 1, i Protokollit 12, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Gjithashtu, në Kreun V, Objektivat Socialë, Kushtetuta jonë ka parashikuar se, shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm për shtetasit e tij (neni 59/1/c, i Kushtetutës). Përmes Kushtetutës dhe akteve ndërkombëtare të ratifikuara, shteti Shqiptar është angazhuar për mbrojtjen e shëndetit të shtetasve të tij.
Kontrabanda e ilaçeve, çfarë rrezikojnë pacientët dhe çfarë rrezikojnë farmacistët që i sjellin.
Mjekimi për sëmundje të ndryshme ofrohet nga institucionet shëndetësore sipas protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në mungesë të sigurimit të medikamenteve që janë pjesë e cikleve të mjekimit të sëmundjeve që trajtohen në Spitalin Rajonal Durrës apo në QSU “Nënë Tereza“, Tiranë, nisur edhe nga fakti që këto janë ilaçe të rralla apo të vështira për t’u siguruar, pacientët detyrohen t’i gjejnë ato në tregun e zi duke përdorur ilaçe të futura në vend në mënyrë të paligjshme, pa u deklaruar dhe regjistruar sipas rregullave përkatëse në fuqi.
Marrja e këtyre medikamenteve jashtë protokolleve mjekësore për trajtimin e sëmundjeve të tyre ekspozon pacientët ndaj dëmeve të mundshme me pasoja për jetën apo shëndetin e tyre. Njëkohësisht, duke qenë se kjo është veprimtari e paligjshme, në rast dëmi është e vështirë të identifikohet edhe personi apo subjekti konkret që ka shkaktuar dëmin në shëndetin apo jetën e pacientit.
Edhe farmacistët që sigurojnë/shesin këto medikamente apo ilaçe për pacientët kryejnë veprimtari të paligjshme pasi ofrojnë medikamente që nuk janë deklaruar dhe regjistruar sipas rregullave dhe procedurave përkatëse, shkencore apo fiskale, për tregtimin e tyre. Gjatë kësaj veprimtarie, legjislacioni ynë penal parashikon disa vepra penale që ngarkojnë me përgjegjësi ligjore farmacistët, në varësi me rrethanat e kryerjes së këtyre veprimeve.
MShMS: Barnat kanë munguar për arsye të procedurave të prokurimit
Më një shkresë, të datës 21.05.2018, e pyetur lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor në shërbimin e Kimioterapisë në spitalin rajonal Durrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kthyer përgjigje, duke u shprehur si më poshtë:
Në spitalin Rajonal të Durrësit trajtohen me kemioterapi të sëmura me Ca mame dhe katër të sëmurë me Ca coloni. Kabineti i kemioterapisë në Spitalin Rajonal Durrës funksionon normalisht. Që nga fillimi i këtij viti, bari herceptinë për arsye të procedurave të prokurimit ka munguar në spital dhe të sëmurët janë dërguar për mjekim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Prej një muaji (shkresa është e datës 09.07.2018) bari herceptinë është futur në listën e barnave të rimbursueshme duke zgjidhur problemin e trajtimit të të sëmurave me Ca mame. Gjithashtu është në përfundim dhe procedura e prokurimit të barit herceptinë për trajtimin intraven.
“Ky suplement mbështetet financiarisht nga projekti: “Transparenca në sistemin shëndetësor”, që mundësohet nga mbështetja e Popullit Amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi vetëm e “Together for Life” dhe nuk reflekton detyrimisht pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.