PPP-të dështim. Shteti asnjë manual kontrolli për paketat shëndetësore që financon

Denisa Canameti

Partneriteti publik – privat është konsideruar një formë efektive e përdorur jo vetëm në Shqipëri, për të zgjeruar shërbimin. Ligji jonë i këtij partneriteti, tregon që qeveria mund të ftojë investitorë privatë, që t’i mundësojë të kryejnë shërbime që ajo duhet t’i kryejë, apo të krijojë parakushtet për këto shërbime. Ky partneritet, i zgjeruar së tepërmi vitet e fundit, ngjalli një valë të madhe diskutimesh midis profesionistëve të shëndetësisë, dhe përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë, është shprehur më herët se: “Të vetëdijshëm për mungesat e mëdha që trashëguam në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe për faktin se do të duhej të qeverisnim në një kontekst burimesh të kufizuara financiare dhe njerëzore në një të ardhme jo vetëm të afërt, ne u angazhuam në Programin tonë Qeverisës se do të bashkëpunojmë me institucionet jopublike shëndetësore, duke financuar 100% elementë të caktuar të kujdesit shëndetësor, apo të njohura ndryshe si paketat e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

“Hartimi i paketave shëndetësore të shërbimit është tashmë një realitet, por edhe një risi në financimin e shërbimeve spitalore në vend. Përfituesit e këtyre 10 paketave, të miratuara në qershor 2014, mbulohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si në rastin e marrjes së shërbimit në spitalet publike, ashtu edhe në ato private, që tashmë janë kontraktuar nga Fondi. Ky është shembull i qartë se si mund të përdoren në mënyrë të mjaftueshme paratë publike për të marrë shërbime thelbësisht jetike, brenda sistemit të sotëm të financimit të shëndetësisë. Kriteret mbi të cilat u hartuan këto paketa, jane kritere mjekësore, ekonomike dhe sociale, që do të thotë se, në hartimin e tyre , u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies se përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë”.

FSDKSH financon paketat shëndetësore në institucione shëndetësore publike, në përputhje me kapacitetet e tyre për ofrimin e shërbimeve të paketave, për rastet që janë përtej kapaciteteve mjekësore të institucioneve shëndetësore publike, Fondi lidh kontrata dhe financon shërbimet e paketave në institucione shëndetësore jopublike. Kuptohet që Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare ka një funksion të rëndësishëm për Fondin, pasi duhet të kontrolloj respektimin e kontratave të institucioneve shëndetësore spitalore dhe institucioneve shëndetësore jopublik që kanë lidhur kontratë me FSDKSH.

Por, sa misione kontrolli ka realizuar DSHSUKS mbi respektimin e kontratës për paketat shëndetësore? Kjo drejtori ka si detyrë që të ushtrojë misione kontrolli, me stafe mjekësh të specializuar të fushës për të kontrolluar respektimin e parametrave mjekësor të protokolleve dhe procedurave klinike të paketave shëndetësore të ofruar në institucionet shëndetësore publike dhe jo publike.

Në zbatim të planit vjetor 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, zbatimit të Udhëzimeve dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI, EUROSAI etj.), sipas programit të auditimit Nr. 637/6 Prot., dt. 06/10/2017, realizoi auditimin me temë “Kostimi i shërbimeve spitalore”. Subjekt i këtij auditimi janë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor; Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; Spitali Rajonal Vlorë dhe Spitali Rajonal Shkodër.

Faza e terrenit të auditimit nisi në dt. 09.10.2017 me programin e auditimit Nr. 637/6 Prot., dt. 06/10/2017.

Pyetjes, a ndiqet zbatimi rigoroz procedurial i protokollit shëndetësor nga blerësi unik (FSDKSH), Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij I është përgjigjur:

“Nga analizimi i evidencës së mjaftueshme që grupi pati në dispozicion gjatë fazës studimore dhe të terrenit, grupi ka krijuar bindjen e arsyeshme që kjo drejtori (Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare)  nuk i ka ushtruar  kompetencat në drejtim të garantimit dhe respektimit të kushteve të kontratave me këto subjekte duke mos përmbushur detyrimet që parashikohen në rregulloren e brendshme të Fondit.

“DSHSUKS nuk ka realizuar asnjë mision kontrolli pranë QSUT dhe spitaleve universitare për respektimin e kushteve të kontratës të lidhur midis tyre. Natyra e kontrolleve të DSHSUKS është kryesisht formale në drejtim të respektimit të kontratave duke ushtruar kontrolle vetëm proceduriale dhe në asnjë rast mbi respektimit e parametrave mjekësor të protokolleve dhe procedurave klinike të paketave të ofruara nga institucionet shëndetësore jopublike dhe pse në stafin e vet ka mjek specialist të specialiteteve të ndryshme. Kjo vjen pasi kjo Drejtori nuk ka një manual apo një metodikë të qartë për ushtrimin e kontrollit të këtyre paketave, duke u mjaftuar në zbatimin e disa detyra të përgjithshme që janë përshkruar në rregulloren e fondit.

“Funksionet dhe emërtimi i DSHSUKS bie ndesh me statutin e Fondit. Në statut kjo drejtori është përgjegjëse vetëm për zbatimin e kontratës së lidhur me QSUT-në, si dhe me spitalet e tjera universitare të Tiranës. Pra funksionet e kësaj drejtorie bien ndesh me Ligjin dhe statutin e Fondit…

“Kjo tregon që protokollet klinike aktuale që zbatohen në paketat shëndetësore, nuk kanë parashikuar dhe përcaktuar rastet kur duhet kaluar nga paketa e parë në paketën e dytë ose të tretë. P.sh. rastet ku pacienti përfiton paketën e Angiografisë Koronare dhe ka nevojë për përfitimin e paketës së By Passit Koronar si dhe të paketës tjetër atë të Interventit Valvular. Sipas FSDKSH kemi rritje të përfituesve të paketave shtesë pranë institucioneve shëndetësore jopublike duke shmangur sistemin e referimit.

“Shërbimi i kardiologjisë në QSUT nuk ka plotësuar kushtet e kontratës me DSHSUKS dhe Udhëzimin Nr.26, datë 07.11.2014, “Për administrimin e Regjistrit Kombëtar të Paketave”, duke mos përcjell informacion të përditësuar për kapacitetet e lira pranë sektorit të paketave në DSHSUKS dhe si rezultat ky sektor nuk ka planifikuar asnjë angiografi koronare pranë këtij spitali publik. Paketa e implantit koklear ka rezultuar jo efektive. Kjo paketë është miratuar në muajin Maj 2014. Për realizimin e kësaj pakete shprehën interes dy spitale private të cilat kanë lidhur kontrate me FSDKSH. Në shtrojsa nr. 5 te VKM thuhet “Aparatura e implantit koklear sipas standardeve të BE-së, sigurohet në çdo rast nga MSH-ja.” Ky fakt tregon që kjo paketë nuk ka patur një studim të mirë për respektimin e protokolleve dhe procedurave klinike, pasi vendosja e kriterit të shprehur në shtrojsën 5 të VKM është pa kuptim. Por dhe pas heqjes të këtij kriteri me ndryshimin e fundit të VKM 308 date 22.05.2016 në fillim të vitit 2017, përsëri nuk është realizuar asnjë implant koklear.

Kontrolli i Lartë i Shtetit del në konkluzionet se:

  1. DSHSUKS nuk ka kryer kontrolle mbi verifikimin e protokolleve dhe procedurave klinike të paketave shëndetësore duke ushtruar kontroll formal të respektimit të kontratës dhe jo kontroll të respektimit të parametrave mjekësor të protokolleve dhe procedurave klinike.
  2. Protokollet klinike përkatëse aktuale që zbatohen në paketat shëndetësore, nuk kanë parashikuar dhe përcaktuar rastet kur duhet kaluar nga paketa e parë në paketën e dytë ose të tretë. P.sh. rastet ku pacienti përfiton paketën e Angiografisë Koronare dhe ka nevojë për përfitimin e paketës së By Passit Koronar si dhe të paketës tjetër atë të Interventit Valvular.
  3. DSHSUKS nuk ka zbatuar nenin 5, pika 3 dhe Nenin 10, pikat 4 dhe 10 të kontratës me QSUT dhe spitalet universitare, duke mos ushtruar asnjë kontroll pranë këtyre spitaleve për pjesën e buxhetit që financohet nga FSDKSH
  4. DSHSUKS nuk ka hartuar regjistrin e riskut dhe nuk ka caktuar koordinator të riskut. Kjo në kundërshtim me Ligjin Nr.10296, datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, Neni 16 dhe 21.
  5. Bazuar në vkm nr.124 datë 05.03.2014 “Për miratimin e statutit të fondit të sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” neni 15 pika 3 shprehet: Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare e Fondit është përgjegjëse për lidhjen dhe zbatimin e kontratës së lidhur me QSUT-në, si dhe me spitalet e tjera universitare të Tiranës për financimin e kujdesit spitalor shëndetësor nga skema e detyrueshme e sigurimit të kujdesit shëndetësor./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se keni nevojë për vitaminë D
5 pije që mbrojnë sistemin imunitar
4 zakone të përditshme për të shmangur ftohjet dhe gripin
Çfarë e shkakton migrenën
Studimi: Ecja 4,000 hapave një herë në javë, zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme te të moshuarit
Bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme, 1 vit pas zgjerimit të listës
Studimi: Këto janë 6 llojet e kancerit që po përhapen te të rinjtë
Nga shtimi në peshë te ndryshimi i rrahjeve të zemrës, studimi zbulon për herë të parë efektet anësore të antidepresantëve