Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Drejtoria e Higjienës që ndodhet në Rrugën e Elbasanit përballet çdo ditë me të njëjtin fluks njerëzish (shiko foton). Një numër jo i vogël analizash nuk kryhen nëpër Poliklinikat e kryeqytetit. Një pamundësi e tillë bën që pacientët t’i drejtohen pikërisht këtij institucioni. Përveç kësaj rezultatet e analizave janë më të sakta dhe më të sigurta se ato që kryhen në klinika.
Gazeta “Shëndet+” u interesua sot pranë laboratorëve të disa klinikave në kryeqytet dhe përgjigjet nën zë të laboranteve ishin thuajse të njëjta: “Saktësia e analizave nuk është shumë e sigurt”.
Ndërkohë që infeksionistët thonë se shpesh i orientojnë pacientët që t’i përsërisin analizat. “Nëse nuk u kërkojmë pacientëve që të përsërisin analizat, do të na duhej të kuronim gjithë popullatën për parazitë”, thotë një infeksioniste për “Shëndet+”. Infeksionistët pohojnë se laboratorët janë me probleme, pasi është shumë i lartë numri i pacientëve që në analizat e bëra rezultojnë me parazitë, por pas ripërsëritjes së analizave në Drejtorinë e Higjienës rezultojnë të pastër.
Lidhur me këtë, mjekët shprehen se shpesh mohojnë t’i kurojnë pacientët pavarësisht rezultateve të analizave: “Vërtet analizat mund të dalin me parazitë, por shumë persona nuk kanë asnjë lloj simptome që do t’u shkaktonte paraziti nëse analizat do të ishin reale. Kjo na bën që shpesh të kemi edhe konflikt me ta kur u kërkojmë ribërjen e analizave. E kuptojmë që është kosto për pacientët, por ne si mjekë nuk mund të kurojmë kot më kot. Nuk e dimë ende se kur do të gjendet një zgjidhje për këtë situatë. Shpresojmë që laboratorët të rregullohen duke marrë mikrobiologë-parazitologë, në mënyrë që edhe dyert tona të mos mbushen plot me njerëz në një kohë që shumica e tyre janë shëndoshë e mirë pa asnjë problem”.
Gazeta “Shëndet+” do ta shtrijë investigimin edhe më gjerë për të sjellë raste konkrete të kësaj anomalie.

