Kryefaqja Aktualitet Sëmundjet e zemrës shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve në Shqipëri. Mjekët: Fëmijët...

Sëmundjet e zemrës shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve në Shqipëri. Mjekët: Fëmijët të rrezikuar, po ushqehen keq

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve, duke zënë vendin e parë si shkak i të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare. Në vendin tonë ka një rritje të SKV-ve të përvitshme në 20 vitet e fundit.

Në Shqipëri në vitin 2010 sëmundjet kronike përbënin rreth 88%të të gjitha vdekjeve, ku 55% kishin shkaktar sëmundjet kardiovaskulare (Raporti Shëndetësor Kombëtar, RSHK 2014). Nëse do të shikonim rastet e vdekjeve, shohim se dy janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje, sëmundjet e arterieve koronare apo sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditja në tru (sëmundjet cerebrovaskulare).

Në mënyrë specifike, vdekshmëria nga sëmundjet ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Evropës Juglindore (GBD, barra globale e sëmundjeve 2010). Gjithashtu, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon i cili ka pësuar një rritje të nivelit të vdekshmërisë, nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sëmundjet cerebrovaskulare gjatë dy dekadave te fundit (RSHK2014).

Daniela Teferiçi: Është ulur mosha e njerëzve të prekur nga sëmundjet e enëve të gjakut

Është ulur mosha e njerëzve të prekur nga sëmundjet e enëve të gjakut. Daniela Teferiçi, mjekje kardiologe pranë QSUT-së, shton se nëse më parë rreziku fillonte pas moshës 50 vjeç, ky risk është ulur në 35-40 vjeç. Faktorët kryesorë që ndikojnë në sëmundjet e zemrës, kryesisht atyre të enëve të gjakut, janë faktorët gjenetikë, duhanpirja apo dhe një jetesë jo e shëndetshme.

Nëse njerëzit bëjnë një jetë pasive, hanë në mënyrë të çrregullt, kanë më tepër mundësi për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës.

Nëse shikojmë adoleshentët nëpër shkolla, do vëmë re ose obezë ose fëmijë nën peshë. Sa të ekspozuar janë këto fëmijë ndaj problemeve kardiake në të ardhmen?

Fëmijët obezë nëse do të vazhdojnë me këtë ritëm sigurisht që kur të rriten do të kenë probleme me sëmundjet e enëve të gjakut, me sëmundjet iskemike të zemrës. Sepse procesi arteriosklerotik, që qëndron në themel të sëmundjeve iskemike, është parë në studime që fillon që në moshë të vogël 7 vjeç, 8 vjeç. Në këtë moshë fillon si proces dhe pastaj shfaqjen e vet e jep në moshë adulte. Nëse te këta fëmijë që janë obezë fillon më herët procesi ateriosklerotik, do kenë një moshë më të hershme të shfaqjes së sëmundjes, kundrejt atyre fëmijëve që kanë peshë normale.

Ndërsa për ata që kalojnë në anoreksi, është më tepër një problem psikologjik që duhet punuar fort. Shfaqen një sërë problemesh shëndetësore. Te vajzat fillon që me çrregullimin e ciklit menstrual. Kequshqyerja do çojë dhe në problemet me tensionin, marrje mendsh, të vjella. Nuk janë të aftë për të vazhduar jetën e përditshme. Njëkohësisht kanë pasur dhe dëmtime të zemrës. Ata persona që i nënshtrohen dietave të gjata dhe kalojnë në anoreksi, kanë edhe dëmtim të muskulit të zemrës, duke çuar në ulje të funksionit të zemrës. Kemi pasur pacientë që kanë bërë infarkte që në moshën 30 vjeç.

Manjola Liko: Pacientë të rinj, me yndyra të rritura në gjak

Një dietë e pasur me yndyra normalisht që përbën problem për të gjithë sistemin kardiovaskular, sepse enët e gjakut bllokohen brenda nga pllakat yndyrore që formojnë ateriosklerozën dhe që japin shumë probleme. Një nga problemet madhore është ischemia e zemrës ose ataku kardiak. Edhe pjesa tjetër që është e nënushqyer nga dietat e sforcuara dhe, duke mosekulibruar ushqimet që marrin, bëjnë të mundur të marrin sasi shumë të pakta të substancave të domosdoshme për një punë më të mirë të zemrës, duke nisur që nga magnezi, kalciumi, pjesa proteinike që duhet të jetë në dietën ditore të secilit. Sasia e pakët e lëngjeve që merren gjatë ditës, alkooli, cigarja, janë faktorë riskues për zemrën.

Mosha e njerëzve që referohen nga shërbimi parësor për probleme të dyshuara të zemrës?

Ka pacientë të rinj që vijnë me yndyra të rritura në gjak. Kur them të rinj, them mosha 35-vjeçare. Ose vijnë me tension shumë të ulët vajzat që kequshqehen, me gjendje të fikëti.

Çdo vit SKV-të janë përgjegjëse për 17.5 milionë vdekje të parakohshme, dhe deri në vitin 2030 pritet të rritet në 23 milionë. Pjesa më e madhe e SKV-ve mund të parandalohen duke bërë disa ndryshime të thjeshta në jetën e përditshme, si ngrënia dhe pirja në mënyrë të shëndetshme, kryerja e aktivitetit fizik dhe lënia e duhanit./ ProPacientit

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here