SKANDALI/ Qendrat shëndetësore përurohen, por nuk funksionojnë

Gazetarë: Elona Tereziu/Mark Brunga

Prerja e shiritave është bërë tashmë e “modës” ndër qeveritarë. Gjithsesi, ajo çka e vlerëson punën e tyre është pjesa pas prerjes së shiritit. Dhe pikërisht pas “prerjes së shiritit” rezulton se situata nuk është ashtu siç shprehen pushtetarët. Të tilla janë dy prej qendrave shëndetësore në Durrës dhe në Tiranë, e para e ndërtuar dhe përuruar para dy vitesh dhe ende jo funksionale dhe e dyta e përuruar vjet nga ministri i Shëndetësisë, megjithatë sot është në funksion vetëm e pjesshme, duke mos zgjidhur problemet e banorëve të zonës. Ndërsa drejtuesit mundohen të justifikojnë pse këto qendra nuk ofrojnë shërbim të plotë, Ministria e Shëndetësisë thjesht kalon përgjegjësitë.

ministri perurim

TIRANË/ Gënjeshtrat gjatë përurimit të një qendre të re shëndetësore

Pika e re e Qendrës Shëndetësore nr.4 në Tiranë u përurua në 15 qershor të vitit 2015 dhe pritej t’u shërbente 25 mijë banorëve të zonës së “Don Boskos”. Pas një ankese të mbërritur në gazetën “Shëndet+” dhe verifikimeve të kryera në terren, rezulton se 9 muaj pas përurimit të saj, kjo qendër ka plot probleme dhe, për më tepër, nuk ofron shërbimet e premtuara, duke u krijuar probleme banorëve, të cilët ankohen se si me qendrën e re, edhe pa të, ata prapë duhet të shkojnë në qendrën e vjetër për të marrë shërbimet. Ata thonë se qendra ose të mbyllet, ose të funksionojë siç duhet.

Sipas premtimeve gjatë përurimit, kjo qendër duhet të ofronte shërbimin e pediatrisë, patologjisë, check up, konsultori i fëmijës, injeksione etj.

Konsultori i fëmijëve nuk funksionon ende, ndërsa shërbimi i pediatrisë ofrohet në mënyrë të pjesshme. Konkretisht kjo qendër ka vetëm një mjeke pediatre e cila punon 6 ditë në javë, 3 herë paradite dhe tre herë pasdite.

Sipas deklaratave të punonjësve, shërbimi nuk ofrohet me kohë të plotë, pasi njëra nga mjeket ka dalë në pension dhe nuk është zëvendësuar ende, ndërkohë që edhe gjysma e kartelave janë në qendrën e vjetër.

Nga ana tjetër, banorët ankohen se fëmijët nuk sëmuren me turne, sikurse është orari në këtë qendër. Moza B., nënë e një fëmijë të vogël, e pyetur se si ia bën për të marrë shërbimin pediatrik, i cili nuk është me kohë të plotë, thotë: “Të gjithëve na intereson që qendra të vijë këtu, nuk kemi pse shkojmë më lart. Por këtu shërbimi nuk ka filluar akoma 100%. Kur është urgjente, e çojmë lart (në qendrën e vjetër) fëmijën se nuk kemi çfarë të bëjmë’’.

Qendra Shendetesore nr.4

Drejtoresha e qendrës, deklarata kundërshtuese

E pyetur lidhur me këto probleme, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 4, Barie Karasani, thotë:

“Konsultori nuk është hapur, sepse nuk ka personel për konsultorin, nuk është emëruar njëri për konsultor të fëmijëve. Qendra atje (e reja) nuk është hapur për konsultor fëmijësh, ajo është hapur për mjekët e familjes. Mbingarkesën që kanë pasur mjekët e familjes këtu, kanë marrë kartelat dhe ia kanë dhënë mjekëve që punojnë atje.

“Ndërsa për pediatrinë, për momentin punon vetëm një pediatre. Kanë qenë dy mjeke këtu, por që kanë dalë në pension dhe atje kemi vendosur vetëm një pediatre, që punon paradite.

Për pasditen nuk është në strukturë. Struktura vjen e përcaktuar nga Ministria që ke kaq pediatre, kaq mjek familje sipas ngarkesës së banorëve. Në strukturë ka qenë e përcaktuar vetëm mjekë familjeje”.

Këto deklarata të saj bien ndesh me atë çka kjo drejtoreshë pohoi në qershor 2015 kur u përurua qendra. Në atë kohë ajo u shpreh:  “Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në një kohë rekord, u hap kjo pikë e re që mbulon të gjithë zonën e “Don Boskos” me shërbim shëndetësor Parësor. Kjo qendër e re shëndetësore do të ofrojë shërbimin e Pediatrisë, Patologjisë, Check Up, Konsultori i Fëmijës, Injeksione etj”.

Ministria

Për mosfunksionimin siç duhet të kësaj qendre iu drejtuam edhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke i kërkuar informacion zyrtar. Pas një muaji, përgjigja e ministrisë ishte marrë po nga drejtoresha e qendrës shëndetësore, e cila ministrisë i pohon se mjekët pediatër po kryejnë evidentimin e fëmijëve 0-14 vjeç për të bërë të mundur hapjen e këshillimores së kësaj grupmoshe.

Ky pohim i 1 marsit 2016 është sërish në kundërshtim me vetë deklaratat e drejtoreshës Karasani. Nëse qendra do të ketë apo jo konsultor, siç edhe u premtua  (ende pas 9 muajsh nuk ka), kjo mbetet të shihet në vijim.

Qendra shendetesore Durres

 

DURRËS/ Qendra e ndërtuar prej dy vitesh, ende jofunksionale

Në lagjen nr. 14 të qytetit të Durrësit, që njihet edhe si Shkozeti, banojnë rreth 15 000 banorë. Kjo është një lagje karakteristike pasi ndodhet në ekstremin verior të qytetit dhe është e banuar me shumë shtresa të varfra, kryesisht romë.

Niveli i ulët i jetesës ka lënë gjurmë të thella kudo që hedh shikimin. Në thellesi të kësaj lagjeje është ngritur edhe një ndertesë  moderne para 2 viteve nga PNUD-i. Në hyrjen qendrore të saj shkruhet “Qendër Shëndetësore”. Po realisht qendër  të tillë nuk ka në të.

Shkuam një  pasdite kur kishte reshje shiu dhe pacientët me  viroza nga shiu dhe temperaturat e ulëta nën 0 gradë  te javës kishin arritur kulmin, që natyrisht do të reflektohej edhe në qendrën shëndetësore, sidomos me fëmijët. Por aty nuk kishte njeri.

Në Spitalin Rajonal të qytetit të Durrësit  numri i pacientëve me viroza kishte shkuar deri në 200 vetë në ditë. Por në këtë vend ishte qetësi. Ndonjë udhëtar i rrallë që kalonte nën shiun e lehtë nxitonte sikur donte të largohej nga një mjedis  jo shumë miqësor

Një pikë grumbullimi plehrash ndodhet pranë, jo me kazanë metalikë që janë në pikat e qytetit, por me një mur betoni të rrënuar deri diku.

Ndërtesa luksoze e Qendrës Shëndetësore është në kontrast me pamjen mjedisore në oborrin e parrethuar të saj. Mbeturina të palarguara prej ditësh deri dyshekë të hedhur qullen dhe kundërmojnë rëndë.

Pyesim dhe na thonë  se nuk ka qendër shëndetësore. Kati i parë, që është caktuar për të kryer këtë funksion, është krejtësisht bosh. Ndërsa në katin e dytë zhvillon veprimtarinë e saj një Qendër  Komunitare e Nish Tullës  me fëmijët e zonës , të rinjtë dhe gratë.

Një nga banorët Jetnor Bici, thotë se këtu nuk ka mjekë e as infermierë. Lart ka vetëm fëmijë zakonisht, po jo për vizita. Fëmijët, sipas tij, bëjnë veprimtari të ndryshme kulturore. Një qendër për familjet e tyre në këtë zonë do të ishte realisht një ndihmë e madhe për të gjithë, pasi për çdo problem ndihmën shëndetësore e marrin në spital.

Bledar Ismaili, operator me mediat,  thotë se është banor prej vitesh në këtë lagje dhe se ka dy fëmijë. Pavarësisht nga koha, në çdo stinë fëmijët i dërgojnë larg, në një kohë që kjo Qendër Shëndetësore mund t’u kryente shumë punë, pasi dhe banorët vihen në vështirësi sepse janë shumë të varfër.

Sherije Abdullai thotë se janë pa para dhe me shumë fëmijë. Nga halli fëmijët nuk i dërgojnë as në spital, se janë larg, por presin të shërohen vetë.

Drejtori Huta: Së shpejti do të vihet në funksion

Në interesimin e bërë pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik të Durrësit, mësohet se këtë vit kati i parë që është lënë në dispozicion të shërbimit shëndetësor të banorëve të zonës do të vihet në përdorim, pasi do të kompletohet me pajisje dhe personelin e duhur mjekësor.

Drejtori Kristo Huta thotë se ndërtesa është e shkëlqyer dhe ishte paradoksale mbetja e saj jashtë eficencës. Aq më shumë se aty pranë jetojnë edhe shumë familje me probleme nga shtresa vulnerabël. Ai thotë se shumë shpejt aty do të emërohen 4 infermiere dhe 2 mjekë dhe qendra shëndetësore do të funksionojë me 2 turne, si dhe se do të shihet edhe mundësia e  funksionimit në tre turne, por kjo pak më vonë. Pasi tashti për tashti kaq janë mundësitë.

Sipas drejtorit Huta, banoret kanë shumë të drejtë për problemet që ngrenë. “Të kesh një ndërtesë ekselente si kjo qendër shëndetësore e lënë jashtë shfrytëzimit për qëllimin që është ngritur dhe të mos e vesh në punë është paradoksale.”

Po për këtë Huta bën me dije se kanë qenë problemet buxhetore që kanë penguar. Nga buxheti që është bërë me strukturën e re të këtij viti, do të vihet edhe kjo qendër në punë. Madje për këtë është  biseduar edhe me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj gjatë vizitës që bëri në njësinë nr.7 të Shkozetit një ditë me parë: “Dje është bërë edhe biseda e fundit për këtë problem me ministrin Beqaj”, thekson Kristo Huta.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)

Postime të ngjashme

Raporti i KLSH për Onkologjikun, si falsifikohej data e skadencës së ilaçit për të sëmurët me tumor
Aftësia për t’u mërzitur: Ilaçi i fshehur kundër ankthit modern
Vjeshta me viroza! 5 këshilla të arta për ta kaluar me shëndet të plotë
Nutricionistja: Kujdes nga dietat detox! Ulin masën muskulore, nuk largojnë dhjamin
Kjo është koha më e mirë për të pirë kafe, sipas ekspertëve
Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!
5 ushqime që përmirësojnë shëndetin tuaj mendor
8 zakone të thjeshta që ndikojnë në sheqerin në gjak