Studimi: Konsumimi e çdo sasie alkooli rrit rrezikun e demencës

Alkooli rrit rrezikun e demencës, pavarësisht nëse një person ka apo jo predispozitë gjenetike për këtë sëmundje neurodegjenerative, sugjeron një studim i ri në shkallë të gjerë.

Ky është studimi më i fundit që konfirmon se edhe konsumimi i moderuar i alkoolit mund të sjellë rreziqe për shëndetin.

Megjithëse herë pas here dalin informacione që sugjerojnë përfitime nga pirja në sasi të vogla, kërkimet vazhdimisht tregojnë se asnjë sasi alkooli nuk është plotësisht e sigurt për shëndetin.

“Për këdo që zgjedh të pijë, studimi ynë tregon se sa më shumë alkool të konsumojë, aq më i lartë është rreziku për demencë,” tha në një deklaratë Stephen Burgess, statisticien nga Universiteti i Kembrixhit.

Studimi, i botuar në revistën BMJ Evidence-Based Medicine, përfshiu rreth 560,000 persona nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, të ndjekur për disa vite, si dhe të dhëna gjenetike për rreth 2.4 milionë persona.

Në pjesën e parë të studimit, pjesëmarrësit u pyetën për sasinë e alkoolit që konsumonin, dhe u analizua lidhja mes konsumit dhe rrezikut për demencë.

Studiuesit analizuan gjithashtu faktorët gjenetikë të lidhur me përdorimin e alkoolit, për të kuptuar ndikimin e tij afatgjatë.

Rezultatet treguan se sa më e lartë të ishte predispozita gjenetike për konsumim alkooli, aq më i madh ishte rreziku për të zhvilluar demencë. Për shembull, dikush që konsumonte tre pije në javë kishte 15% më shumë gjasa të zhvillonte demencë, krahasuar me dikë që pinte vetëm një pije në javë.

“Provat gjenetike nuk mbështesin aspak idenë se alkooli mund të ketë ndonjë efekt mbrojtës – përkundrazi, tregojnë të kundërtën,” tha Anya Topiwala, bashkautore e studimit dhe kërkuese në Universitetin e Oksfordit.

Megjithatë, studimi nuk provon përfundimisht që alkooli e shkakton demencën, por tregon se ka një lidhje mes tyre, theksoi Tara Spires-Jones nga Universiteti i Edinburgut, e cila nuk ishte pjesë e studimit.

Ajo shtoi se “studimet bazë në neuroshkencë kanë treguar se alkooli është toksik drejtpërdrejt për neuronet në tru.”

Në një studim të mëparshëm me skanime të trurit, u zbulua se edhe konsumimi i 1–2 njësi alkooli në ditë lidhej me zvogëlim të vëllimit të trurit dhe ndryshime në strukturën e tij, të cilat mund të ndikojnë në kujtesë dhe të çojnë në demencë.

Autorët e studimit thanë se këto rezultate shtojnë prova të reja se heqja dorë nga alkooli mund të sjellë përfitime të rëndësishme për shëndetin.

“Ulja e konsumit të alkoolit në nivel popullate mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e demencës,” tha Topiwala./bw

Postime të ngjashme

Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve
INSTAT: Bien vizitat për fëmijët dhe nënat në konsultore në 2025! Ja arsyeja
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbërrin në GJKKO
U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, MSHMS: Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë
Check-up falas për qytetarët, por sa kushton për buxhetin e shtetit?
Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej