Gazetarë: Ornela Hila, Elona Tereziu, Donjeta Zeqa
Karta e të Drejtave të Pacientit është një dokument zyrtar ndërkombëtar i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri që më 15 dhjetor 2010 dhe përmban 16 pika. Kjo kartë shërben për të vendosur pacientin në qendër të sistemit shëndetësor duke përmirësuar vazhdimisht cilësinë e kujdesit shëndetësor. Pavarësisht urdhrit të mbi pesë viteve më parë që ky dokument të jetë në çdo qendër shëndetësore, ai shpesh mbetet i paafishuar dhe për më tepër, pakkush e di që ekziston.
E njëjta gjë ndodh edhe me Kutinë e Ankesave.
Në një vëzhgim të kryer në Tiranë në Qendrat Shëndetësore Nr 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9, si dhe në katër Qendrat e Specialiteteve, rezulton se ka prej tyre që nuk e kanë të afishuar Kartën e të Drejtave të Pacientit dhe nuk kanë të vendosur as Kutinë e Ankesave.
Nga katër Qendrat e Specialiteteve rezulton se Karta e të Drejtave të Pacientit dhe Kutia e Ankesave ndodhen në Qendrën e Specialiteteve nr.3 dhe në Qendrën e Specialiteteve nr.2, ndërsa Qendra e Specialiteteve nr 1 dhe nr. 4 janë pjesërisht në rikonstruksion dhe si të tilla justifikojnë mungesën e tyre. Gjithsesi Qendra e Specialiteteve nr.4 e ka Kutinë e Ankesave.
Karta e të Drejtave të Pacientit është afishuar vetëm në Qendrat Shëndetësore nr. 2, 5, 8 dhe 9. Ndërkohë, Kutia e Ankesave është e vendosur në Qendrat Shëndetësore nr. 2, 3, 5, 6, 7 dhe 9.
Qendra Shëndetësore nr. 1 nuk ka as Kartën dhe as Kutinë e Ankesave.
Qendra Shëndetësore nr.4 është duke u rregulluar dhe është e ndarë në dy godina.
Problem të madh përbën fakti që as mjekët dhe as njerëzit nuk kanë dijeni për Kartën e të Drejtave të Pacientit.
Qytetari A.Kukaj, i cili po priste për të kryer analizat tek Qendra Shëndetësore nr.1, u shpreh se nuk ka asnjë ide rreth kartës. “Nuk e di që ekziston një kartë e tillë, tani po e marr vesh, nuk kam dëgjuar asnjëherë rreth saj”, tha ai.
Znj.Valmira Doka, të cilën e takojmë te Qendra Shëndetësore nr.2, gjithashtu nuk dinte asgjë për këtë kartë. Madje shprehet shumë e habitur, duke mos e kuptuar aspak për çfarë bëhet fjalë: “Çfarë është kjo? Për çfarë bën fjalë? Nuk e kam dëgjuar kurrë. Kur ka dalë kjo?”
Shumë e revoltuar shprehet Mereme Valti, në Qendrën e Specialiteteve Nr. 1, teksa pret për të bërë ekon. Tek i japim të lexojë në një fletë Kartën e të Drejtave të Pacientit ajo thotë: “Kam gjithë jetën nëpër spitale dhe të them të drejtën kjo është hera e parë që po dëgjoj për këtë kartë. Po a di ti se të gjitha këto të drejta më janë shkelur? Kam qenë dhe në gjyqe, kam bërë gjithë ato seanca gjyqësore dhe në fund kanë fituar ata, si gjithmonë”.
Në Qendrën e Specialiteteve Nr. 2 pacientët janë të nevrikosur për shkak të radhës së madhe dhe shpeshherë përgjigjen të revoltuar. Përveçse nuk kanë dijeni rreth kësaj karte, pacientët nuk mbarojnë dot punë. E.Mema thotë se duhet t’i drejtohet klinikës private për të mbaruar punë më shpejt: “Për kartën nuk kam asnjë njohuri, por siç po e sheh dhe vetë unë nuk zgjidh dot punë sot dhe nuk kam ndërmend të rri të duroj dhe mendjemadhësitë e punonjësve në këtë qendër. Do drejtohem drejt ndonjë klinike private, do paguaj më shumë, por e di që do kryej punë”, thotë Mema. Madje një nga mjeket thotë: “Nuk e di, sepse duhet të të ketë dalë tani së fundmi dhe nuk jam azhornuar”.
Në QSUT
Karta e të Drejtat të Pacientit dhe Kutia e Ankesave
Në Spitalin Onkologjik: Kutia e ankesave është në hyrje, të drejtat e pacientit nuk janë të afishuara.
Onkologjiku, pavioni i kirurgjisë (kati i dytë), nuk është as Kutia dhe as Karta e të Drejtave të Pacientëve.
Onkologjiku, kati i tretë është Karta e të Drejtave të Pacientit, Kutia e Ankesave jo.
Onkologjiku, Radioterapia (kati i katërt) nuk janë vendosur as Karta dhe as Kutia.
Onkologjiku, Godina e re, nuk janë vendosur as Karta dhe as Kutia.
Spitali Infektiv
Te urgjenca (Kati i parë) në hyrje është vendosur Kutia e Ankesave, e cila është e mbushur me broshura dhe nuk të jep përshtypjen e një kutie ku futen ankesat. Mungon Karta e të Drejtave të Pacientit.
Urgjenca
Kirurgjia, konsultat është edhe Kutia, edhe Karta e të Drejtave të Pacientit.
Urologjia, ndodhet vetëm Karta e të Drejtave të Pacientit, nuk ndodhet Kutia e Ankesave.
Pediatria
Pediatria e përgjithshme. Ndodhet edhe Karta e të Drejtave të Pacientit, edhe Kutia e Ankesave.
Urgjenca Pediatrike, mungojnë edhe Karta, edhe Kutia.
Pediatria infektive, ndodhet Karta e të Drejtave të Pacientit, nuk ndodhet Kutia e Ankesave.
Spitali francez
Ndodhet Kutia e Ankesave. Karta e të Drejtave të Pacientit ndodhet vetëm tek Urgjenca
6-katëshi
Në Katin e Parë ndodhet vetëm Kutia e Ankesave. Mungon Karta e të Drejtave të Pacientit.
Pavionet Kardiologji, Hemodializë, Gastroenteropotologji, Endokrinologji nuk kanë as Kutinë e ankesave dhe as Kartën e të Drejtave të Pacientit.
Spitali Psikiatrik nuk e ka të afishuar Kartën e të drejtave të pacientit, dhe as Kutinë e Ankesave.
E njëjta situatë është edhe tek psikiatria e fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe tek urgjenca e psikiatrisë.
Neurologjia, të paktën tek hyrja qendrore pasi nuk lejohej të kalojë në pavionet/katet më lart, nuk ishte e afishuar Karta e të Drejtave të Pacientit, si dhe mungonte kutia e ankesave.
E njëjta situatë edhe tek konsultat e neurologjisë.
Neurokirurgjia- Në hyrjen qendrore mungon si Karta e të drejtave të Pacientit, ashtu edhe kutia e ankesave.
Neurokirurgjia-konsultat, këtu është vetëm Kutia e Ankesave, Karta e të drejtave të Pacientit mungon.
Situata në Lezhë
Në qytetin e Lezhës janë 4 ambulanca dhe 1 poliklinikë. Kutia e ankesave për pacientët dhe afishimi i të drejtave të tyre janë të vendosura vetëm tek poliklinika e qytetit. Nga vëzhgimi i bërë në 4 ambulancat e lagjeve në asnjërën prej tyre nuk ka kuti ankesash, ndërkohë që nuk janë të afishuara as të drejtat e pacientëve.
I pyetur për këtë çështje drejtori i Shëndetit Publik në Lezhës Arben Ristani është shprehur se nuk është e detyrueshme që kutia e ankesave dhe të drejtat e pacientëve të jenë të vendosur në çdo ambulancë, pasi këto të fundit varen të gjitha nga poliklinika e qytetit.
Nga ana tjetër, në Spitalin Rajonal të Lezhës ndodhet vetëm një kuti ankesash e cila është e vendosur në poliklinikën e këtij spitali.
Ndërsa të drejtat e pacientëve janë të vendosura në disa ambiente të këtij spitali.
Të drejtat e pacientëve në Vlorë? Nuk i njeh askush!
Edhe pse daton vitin 2010 dhe kanë kaluar mbi 5 vjet vjet nga urdhri për miratimin dhe afishimin në vende publike të kartës së të Drejtave të Pacientit, në Vlorë kjo është zbatuar pjesërisht.
Sistemi shëndetësor në Vlorë, përbëhet nga Spitali Rajonal, Poliklinika Qendrore, si dhe 17 qendra shëndetësore, prej të cilave 5 janë të vendosur në qytet, dhe 12 të tjera të përndara në zonat rurale të bashkisë së re të Vlorës, bashkisë Selenicë e Himarë, pjesë e rrethit të Vlorës, mbi të cilin është shpërndarja e tyre, e qendrat shëndetësore kanë varësi nga Drejtoria e Shëndetit Publik.
Përpos Kartës së të Drejtave të Pacientit, çdo institucion shëndetësor me një urdhër të MSH që daton 2013, në bazë të së cilit duhet të kenë të ngritura njësitë antikorrupsion, e të marrin masa në brendësi të tyre për informimin e pacientëve mbi të drejtat dhe detyrimet, duke ju vënë në dispozion veç të tjerash edhe kutitë e ankesave e orientimet e nevojshme, rreth formularëve tip apo se ku të drejtohen për të denoncuar apo shprehur pakënaqësitë në sistemin shëndetësor, por edhe ky urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë në sistemin shëndetësor në Vlorë zbatohet pjesërisht.
Spitali Rajonal Vlorë
Spitali Rajonal i Vlorës ka në total 8 reparte, ku prej tyre vetëm Pediatria është e vendosur në godinë mënjanë, të tjerat janë të pozicionuara në të njëtën godinë në kate e hyrje të ndryshme.
Sa i përket Kartës së të Drejtave të Pacientit, vetëm në tre prej reparteve është e afishuar. Konkretisht në Urgjencë, e cila ndodhet në katin e parë, materiali i ekspozuar është i printuar në format A4, bardhezi, jo shumë i dukshëm nga pacientët.
Karta e të Drejtave të Pacientit është ekspozuar edhe në katin e tretë të spitalit, në Repartin e Kirurgjisë e printuar në fomat A3, e printuar me ngjyra dhe gërma lehtësisht të lexueshme, ku përfshihen rreth 13 të drejta (kjo formë absolutisht e dukshme dhe e lexueshme për pacientët).
Po ashtu edhe në repartin e Pediatrisë, i pozicionuar në godinë të shkëputur nga Spitali Rajonal, Karta e të Drejtave të Pacientit është afishuar në dhomën e pritjes, pra vizitave të shtrimit, në format A3, me ngjyra e mirëlexueshme nga pacientët, edhe aty renditen 13 pika.
Ndërkohë në Pediatri nuk ka kuti të ankesave
Në Spital, për të gjithë repartet është vendosur vetëm një e tillë, në ambientet e Spitalit Rajonal, në katin e parë, pozicionuar pranë derës hyrëse që të çon në repartet Maternitet, Kirurgji e Patologji.
Kutia transparente nuk ka sipër mbishkimin Kuti Ankesash, por “Mos Ryshfet”, gjithsesi drejtues në spital thanë se aty depozitohen ankesat e pacientëve, pavarësisht se në momentin që ne pamë kutia më shumë se ankesash duket promovuese, pasi ishte plot me fletëpalosje.
Flet drejtoresha e spitalit
Burime nga Drejtoria e Spitalit thanë se Karta e të Drejtave të Pacientit ka qenë në çdo repart, por për shkak të meremetimeve të disa ambienteve të brendshme të tij, kjo kartë mungon aktualisht në disa pavione si psh ORL, ku kjo kartë ka qenë e afishuar në format 1mx1m, Maternitet, Reanimacion, apo Patologji.
Sa i përket Kutisë së Ankesave, Drejtoresha e Spitalit, Brunilda Mersini, tha se nuk kanë munguar ankesat nga qytetarët, e sipas saj nga një anketë e bërë kohë më parë, janë dhënë rezultate që kanë orientuar për mirë punën e spitalit.
Mersini tha se, pas mbledhjes së këtyre ankesave, material i dërgohet edhe MSH.
Ndërsa theksoi se ato janë marrë në konsideratë e nuk kanë munguar masat ndaj personelit të denoncuar, në një kohë kur shkelja e të cilëve është faktuar.
Znj. Mersini saktësoi se ankesat e pacientëve të hedhura në kuti, mblidhen me afate të caktuara e trajtohen nga ekipi i ngritur, e për to nëpërmjet përmbledhjes vihet në dijeni edhe MSH.
Lidhur më Korrupsionin, në ambientet e Spitalit janë të afishuara edhe materiale të tjera orientuese për pacientin, kontakte telefonike apo elektronike, mbi të cilat mund të denoncojë shkeljet dhe korrupsionin e personelit mjekësor në spitalin rajonal.
Poliklinika qendrore, e pozicionuar në qendër të qytetit, përpos shërbimit të urgjencës, ka të gjitha shërbimet e tjera të mjekëve specialistë. Edhe pse këtu fluksi i pacientëve është shumë i lartë, fatkeqësisht në këtë godinë, në të dyja katet e saj ku ofrohen shërbime shëndetësore, mungojnë materialet informuese për pacientët.
Në Poliklinë në asnjë vend nuk të has syri të afishuar Kartën e të Drejtave të Pacientit.
Po ashtu aty nuk ka të ekspozuar një kuti ankesash.
Ndërkohë brenda dhomave të shërbimit të mjekëve të specialisteve të ndryshme, janë të afishuara kryesisht materiale të ndryshme promocionale e në shumë pak prej tyre materiale sensibilizuese antikorrupsion apo orientuese për të drejtat apo detyrimet e pacientit dhe personelit mjeksor.
Drejtuesit e poliklinikës heshtin
Drejtuesit e Poliklinikës Qendrore në Vlorë nuk ishin të gatshëm të përgjigjeshin pyetjes se pse aty nuk janë të vendosura materiale të detyrushme si Karta e Pacientit apo kutia e ankesave.
Qendrat shëndetësore
Në varësi të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë janë në total 17 qendra shëndetësore, 5 prej tyre janë të vendosura në qytet dhe pjesa tjetër të shpërndara në zonat rurale.
Pavarësisht ndarjes së re administrative, e cila e ndau rrethin e Vlorës në tre bashki, konkretisht Bashkisë Vlorë, Bashkisë Selenicë e Bashkisë Himarë, vendndodhja e tyre dhe zonat që mbulojnë janë po ato të mëparshmet, pra, qendrat shëndetësore e rrethit të Vlorës, me varësi nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik, Vlorë.
Nga vëzhgimi i kryer në qendrat shëndetësore, të dy urdhrat që kanë të bëjë me Kartën e Pacientit dhe antikorrupsionit janë zbatuar në masën më të vogël.
Vëzhgimi në qendra
Qendra shëndetësore Ujë i Ftohtë, e cila mbulon pjesën bregdetare e një pjesë të rajonit 1, me një shtrirje të gjerë popullate, është e vendosur në zonën e plazhit të Ri. Pranë kësaj qendra e në brendësi të saj ka të afishuara mjaft materiale promocionale apo sensibilizuese, por Karta e të Drejtave të Pacinetit dhe Kutia e Ankesave nuk janë vendosur.
Punonjës mjekësor të qendrës sqarojnë se s’kanë marrë dijeni lidhur me këtë detyrim për të afishuar apo pasur të tillë element në ambientet e qendrës.
Qendra shëndetësore nr.2, e vendsur në Lagjen Kushtrimi, mbulon 4 lagje të qytetit. E pozicionuar në një godinë ku në dy katet e saj ka shërbim të ndryshëm pedatri, mjek familje, injeksione dhe check up, edhe në këtë qendër shëndetësore nuk ka të afishuar kartë pacienti. Aty është vendosur vetëm një fletë e printuar në format 30×30 ku pasyqrohet numri antikorrupsion. Personeli mjekësor i kësaj qendre, nuk kishte dijeni për këtë detyrim ndaj pacientëve, duke rikonfirmuar moskomunimin e DSHP, sa i përket Kartës së Pacientit dhe Kutisë së Ankesave apo materialeve sensibilizuese antikorrupsion.
Qendra Shëndetësore lagja 24 Maji, e pozicionuar pranë postës në këtë lagje, mbulon një numër të lartë banorësh. E ndarë në plot katër ambiente, kjo qendër ka të afishuara në një kënd informacione e udhëzime të ndryshme, por Karta e të Drejtave të Pacientit nuk dukej në asnjë prej tyre. Sa i përket kësaj qendre aty, janë afishuar disa udhëzime me firma drejtuesisht apo minsitri, por Karta JO.
As në këtë qendër s’ka të afishuar një kuti ankesash. Edhe punonjësit e kësaj qendre thonë se s’kanë pasur komunikim nga DSHP.
Qendra shëndetësore nr. 4, pozicionuar në Godinën e Poliklinikës Qendore, në katin e tretë të saj, mbulon dhe zonën më të gjerë në qytet. Pranë kësaj qendre janë të afishuar materiale të shumta orientuese, materiale të sjella edhe nga institucione të tjera që i vinin në ndihmë pacientit, por Karta e të Drejtave të Pacientit nuk ishte e dukshme në hyrje të këtij ambienti. Ndryshe nga Kutia e Ankesave e cila ishte dukshëm sa hyje në qendër.
Drejtues të qendrës thanë se kutinë e ankesave e kanë vendosur aty rreth 1 vit më parë, kërkuar nga një kontroll i ardhur, ndërkohë sa i përket Kartës së të Drejtave të Pacientit, në dhomat e mjekëve qëndronte afishuar në format A4 Karta e të Drejtave të Pacientët, në përmbajtje të së cilës ishin renditur 7 pika. Vlen të theksohet se materiali në fjalë nuk ishte lehtësisht i evidentueshëm nga pacientët, pavarësisht se ishte ekspozuar.
Qendra shëndetësore e lagjes Pavarësia, e zonës së Skelës, është e vendosur në rrugën “Gjergj Araniti” e spostuar në ambient të ri. Edhe në këtë qendër, të sistemuar rishtas, janë të vendosura një numër i konsiderueshëm materiale promocionuese e këshilluese, por Karta e të Drejtave të Pacientit nuk është ekspozuar. Aty janë afishuar materiale sensibilizuese për antikorrupsionin, por nuk ka Kuti Ankesash. Edhe drejtuesit dhe personeli i kësaj qendre nuk kanë asnjë informacion lidhur me urdhrat e sjella pranë DSHP apo te eprorët e tyre sa i përket këtij detyrimi për t’u zbatuar karshi pacientit.
DREJTORIA E SHËNDETIT PUBLIK VLORË, në padije për detyrimet nga pacientëve
Drejtoria e Shëndetit Publik në Vlorë nuk u ka përcjellë institucioneve të varësisë asnjë urdhër që ka të bëjë me Afishimin e Kartës së të Drejtave të Pacientit. Për këtë sekretariati i DSHP-së nuk kish dijeni, duke deklaruar padijen.
Lidhur me urdhrin e MSH të vitit 2013, i cili e detyron DSHP, Vlorë, të Urdhërojë institucionet e varësisë, sa i përket afishimit të materialeve orientuese rreth korrupsionit, ngritjes së grupit antikorrupsion, vendosjes së kutisë së ankesave dhe administrimin e ankesave për llogari të MSH-së, në Drejtorinë e Shëndetit Publik Vlorë ky urdhër ka kaluar pa shumë vëmendje dhe kjo faktohet edhe nga situata në qendrat shëndetësore, ku praktikisht mungon afishimi i Kartës së të Drejtave të Pacientit dhe Kutia e Ankesave.
(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)