Elena Beta

“Dashuria vjen nga stomaku!” Vështirë ta kuptojë njeriu këtë shprehje në fast-food-et e Tiranës apo në drekat e darkat që konsumojmë “me vrap” ndërsa kthehemi të lodhur nga puna e bëhemi gati për ditën në vijim.

Ohri nga Trepejca

Trepejcë, Maqedoni

Por ndodh tërësisht ndryshe në zonën kufitare Shqipëri-Maqedoni, kur vihesh përballë me lakrorin me dy petë, petullat e fshira (jo siç mund të mendoni nga emri), buka e bërë vetë (për të cilën “zihen” dy burra), mishi i pulës që ka “vrapuar” gjatë gjithë kohës në oborr e shumë ushqime të tjera. Të gjitha këto, të shërbyera në ajrin e pastër (që qyteteve tona u mungon tërësisht), të bëjnë të kuptosh se pse stomaku është kaq i rëndësishëm për të vlerësuar dashurinë.

Gjatë një turi 3-ditor të organizuar si vizitë shkëmbimi me gazetarët shqiptarë dhe maqedonas, në zonën kufijtare Shqipëri – Maqedoni nga “Partners Albania” në bashkëpunim me MZDF-në, arritëm të njiheshim më nga afër me një sektor tepër të veçantë dhe ende jo shumë të përhapur për masën e gjerë, por tepër të rëndësishëm, siç është turizmi alternativ apo i thënë më qartë, turizmi familjar.

Gatim tradicional i Vevcanit, Maqedoni

Gatim tradicional i Vevçanit, Maqedoni

Komuna e Voskopojës, 25 km larg nga qyteti i Korçës ishte destinacioni i parë i udhëtimit. Ajri i freskët, bora që mbulonte gjithçka e bënin edhe më të bardhë dëshirën për të qëndruar sa më gjatë në të. Ajo që vizituam sapo hymë në fshat, ishte një ndërtesë karakteristike e hapur si biznes (restorant) nga një agronom vendas. Soba me dru dhe gatimet e larmishme tradicionale ishin gati për të na uruar mirëseardhjen.

Në të, gjithçka ishte “fshati”. Pikërisht një shprehje e tillë do të ishte më e sakta për çdo recetë të shijshme, të përgatitur me kujdes për ne vizitorët. Kryesorja për t’u shijuar, ishte patatja e pjekur, tepër e shijshme. Prodhimi i patates organike në një lartësi 1200-1600 m mbi nivelin e detit, në zona ku nuk zhvillohen sëmundje apo insekte, ishte një temë interesante diskutimi përpara tavolinës. Lakrori me dy petë, petullat e fshira dhe buka e bërë vetë ishin të tjera specialitete të këtij vendi.

Maqedoni, Vevcan

Biznes familjar në Vevçan, Maqedoni

Për ne vizitorët, kodrat e Moravës, të pagëzuara si “Ballkoni i Korçës”, ofronin një ndërtesë të gurtë, dikur bazë për skiatorët ku shërbehej çaj ose kafe, ndërsa tani një aktivitet i zgjeruar me elemente të tjera të kuzhinës. Pista e skive e përdorur për vite me radhë, si dhe sporti i parashutizmit i përuruar së fundmi në këtë pikë të lartë të malit, ishin një magnet tërheqës për gjithë të apasionuarit. Pas drekës të shijshme, ishte radha e fotove e më pas nisja drejt pikës kufitare që do na çonte jashtë vendit tonë, drejt zbulimit të turizmit familjar maqedonas.

Në fakt u deshën disa kilomatra udhëtim për të arritur në fshatin Vevçan, ku ushqimi pikant dhe vera shumëvjeçare që ofronte një nga restorantet e fshatit ishin “pika mbi i” e këtij udhëtimi.

Gatimi Trepejca

Përfshirja e turistëve në gatim, Trepejcë, Maqedoni

Gatimet e servirura gjatë darkës, përveç shijes së veçantë, mbartnin në vetvete histori, pasi janë të trashëguara brez pas brezi për të arritur aq të shijshme e të pandryshuara deri në ditët e sotme.  Për të mos u humbur është natyra gati magjike në brendësi të fshatit, me tepër gjelbërim dhe me plot ujë që përshkonte zonën.

Destinacioni i fundit ishte vizita në fshatin Trepejca, një fshat i vogël që shtrihet në krah të liqenit të Ohrit. Shumë familje vendase kanë zgjedhur të ndërtojnë biznesin e tyre duke përgatitur gatime të ndryshme për turistët, si dhe duke u dhënë mundësi të marrin pjesë në gatim (duke ndihmuar në qërimin e zarzavateve ose zënien e brumit për kulaç dhe bukë).

Tepër interesante është ndarja e bukës së sapopjekur mes dy burrave, ku ai që ndan pjesën më të madhe, konsiderohet më i forti: një zakon i trashëguar dhe një element tërheqës.

Kostumi tradicional, vallet vendase, si dhe ngjitja  në pikën nga ku mund të shihet gjithë bukuria e liqenit të Ohrit (shoqëruar nga vendasit) janë disa nga aktivitetet që mund të shijohen gjatë vizitës në fshatin Trepejcë.

Të gjitha këto larmishmëri traditash, zakonesh, gatimesh, edhe pse jo shumë të promovuara, tregojnë se biznesi familjar është një sektor shumë interesant që po merr zhvillim vitet e fundit, duke ofruar një ambient ndryshe nga ai zhurmshmi me të cilin përballemi në përditshmërinë tonë.

Voskopoje 3

Voskopojë

Voskopoje 4

Pamje nga Voskopoja