Blertina Koka / Shendeti.com.al
Pasi ka kaluar një ditë nga vdekja e 35-vjeçares Aida Çajku dhe foshnjës së saj në maternitetin “Koço Gliozheni”, drejtoresha e këtij institucioni, Rubena Moisiu, ka shpjeguar se përse i ka ardhur vdekja pacientes, duke lënë të nënkuptuar se nuk ka qenë faji i mjekëve.
Sipas Moisiut, rasti i 35-vjeçares është shumë i rrallë, ndodh 1 në 1 milion.
“I është bërë ekzanimim obstertikal, nuk kishte kontraksione. Analiza e gjakut që i ka dalë normal kanë bërë që mjekët të mendojnë për infarkt dhe e kanë drejtuar në reanimacionin e kardiologjsë. Sepse, edhe po të vinte kardiologu këtu, nuk i ka të gjitha pajisjet me vete. Rasti është i rrallë, nëse është spontan, ndodh në 1 në 1 milion, por kjo shkaktohet edhe nga traumat”, u shpreh Rubena Mojisu, doktoreshë e maternitetit “Koço Gliozheni”.
Drejtoresha e maternitetit mbron vendimin e mjekëve për ta transportuar gruan shtatzënë nga Materniteti për në QSUT, pasi, sipas saj, gruaja nuk kishte urgjencë për të lindur.
“Gruaja ka refuzuar vizitën vaginale dhe mjekët nuk kanë këmbëngulur, pasi i kanë dhënë përparësi situatës tjetër të emergjencës, duke qenë se gruaja nuk kishte urgjencë për të lindur. Urgjenca ishte ekstreme, dhe ishte më e mirë për ta çuar në spital. Në orën 04:00 të mëngjesit ajo ka ardhur me ambulancën e Sanatoriumit me maskë oksigjeni dhe gjendja ka qenë mjaft e rëndë, ndërkohë që fëmija në bark kishte vdekur.
U vu re që gjaku nuk vinte nga organet gjenitale por ishte e brendshme dhe u kërkua urgjentisht kirurgu. Ata konstatuan se shpretka ishte e çarë. Në momenti kur ka nisur ndërhyrja kirurgjikale ka pasur 2- 2.5 litra gjak brenda barkut”, është shprehur znj. Moisiu për mediat.
Drejtoresha u ka bërë gjithashtu thirrje publikut dhe mediave që të mos fajësojnë pa dhënë fjalën e fundit drejtësia.
“Para se të drejtojnë gishtin e fajit diku të presin të flasë drejtësia dhe mjeku ligjor”.
